Itali, fletëpalosje kundër emigrantëve shqiptarë

646
Fletëpalosje racistë kundër emigrantëve janë shpërndarë pak ditë më parë në tregun e komunës së Rozzanos në provincën e Milanos e mjaft pranë selisë së bashkisë së kësaj qyteze. Media italiane “Il Giorno” ka shpërndarë një fotografi origjinale të fletëpalosjes me përmbajtje shokuese kundër emigrantëve, mes të cilëve dhe kundër atyre me kombësi shqiptare e kosovare. “Kalendari i gjuetisë së hapur gjatë gjithë vitit për shtazën migratore!”, lexohet në të, “për marokenë, rumunë, bullgarë, shqiptarë, kosovarë, talebanë, afganë, romë e përgjithësisht ekstrakomunitarë”. “Duke marrë parasysh lëkurën e tyre, thuhet në fletushkë, është e lejueshme përdorimi i armëve të tipit pushkë si dhe më shumë se 5 të shtëna. Lejohet përdorimi i bombave të dorës dhe të qenve.” Mbi 100 copë fletëpalosje të tilla janë shpërndarë në mes të ditës gjatë fundjavës së shkuar në tregun e sheshit Foglia shumë pranë komunës së Rozzanos. Me shkrim dore e penë po mbi këtë fletëpalosje lexohet gjithashtu informacioni se është shkruar nga një këshilltar bashkiak i Partisë Demokratike të kësaj qyteze. “Partia Demokratike e Rozzanos ka fashistë në këshillin bashkiak”, shkruhet në fletëpalosje. Gjithashtu mediat italiane informojnë se kjo fletëpalosje është shkruar nga këshilltari bashkiak Marco Andrea Ercoli, i cili ia ka shpërndarë privatisht kolegëve të tij të Këshillit komunal të Rozzanos.


Sigal