ISSH kthen pensionet për ish-ushtarakët, 5.500 pensionistë ish-ushtarakë do rimarrin 369 mln lekë

536
Sigal

Qeveria ka zbardhur vendimin, i cili detyron Institutin e
Sigurimeve Shoqërore të kthejë 369 milionë lekë, ose rreth 3 milionë dollarë,
për afro 5.500 pensionistë ish-ushtarakë dhe policë.

Sipas vendimit, paratë do të paguhen brenda 7
muajsh, nga nëntori i këtij vitit deri në maj të vitit të ardhshëm.
Ish-ushtarakët dhe punonjësit e Forcave të Rendit do t’i marrin ato bashkë me
pagesat e pensionit mujor.

Për shumicën dërrmuese të përfituesve, të gjtha
procedurat do të kryhen nga Instituti i Sigurimeve dhe paratë do të shpërndahen
automatikisht me pensionin mujor. Por një pjesë e vogël e përfituesve, nga ky
vendim, për të cilët ministritë nuk kanë dërguar formularët, do të duhet të
paraqesin vetë pranë ISSH-së vërtetimin e pagës mesatare neto dhe vjetërsisë në
punë.

Konflikti financiar me pensionet e
ish-ushtarakëve lindi në vitin 2009, kur u ndryshua ligji që çoi në
rillogaritjen e këtyre pensioneve. Ndryshimi i ligjit bëri që shumë prej
pensionistëve ish-ushtarakë, apo punonjës të Ministrisë së Brendshme, të
rezultonin debitorë në shtet.

Si rezultat, nga korriku i vitit 2009 e deri më
sot, ISSH u ka mbajtur atyre 20 për qind të pensionit mujor deri në shlyerjen e
plotë të debisë. Këto parà, me vendimin e qeverisë do të kthehen mbrapsht dhe e
gjithë debia e pensionistëve falet.Gazeta Telegraf/