Ismail Qemali, vizioni ushtarak dhe Struktura parësore e Forcave të Armatosura si Xhandarmëri

1025
Albert Z. ZHOLI
INTERVISTA/ Flet ish-pedagogu i Akademisë Ushtarake, studiuesi i Artit Ushtarak, Bashkim Qeli
Shpallja e Pavarësisë Kombëtare është një faqe e ndritur në historinë shqiptare. Ajo i dha fund sundimin shumëshekullor osman dhe çeli një epokë të re, të jetës politike e kombëtare të vendit tonë. Pas Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit Kombëtar. Kuvendi i Vlorës u mor me organizimin administrativ të vendit. Më 4 dhjetor Kuvendi zgjodhi Kabinetin Qeveritar me Ismail Qemal Vlorën, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, ndërsa Ministër i Luftës (i Mbrojtjes sot B.Q) Mehmet Pashë Dërrallën.

Kur dhe si filloi veprimtarinë e saj Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit? Pse ishte e domosdoshme krijimi i Ushtrisë dhe FA?
Qeveria e Përkohshme u krijua dhe filloi veprimtarinë e saj në rrethana tejet të vështira për Shqipërinë. Në planin e jashtëm, vijonte Lufta Ballkanike kundër forcave të ushtrisë turke, të cilat ishin kudo në tërheqje. Në veri luftohej, në Shkodër e cila synohej të pushtohej nga shovinistët malazezë dhe serbë. Ndërkohë në jugë, luftohej në Janinë e cila ishte e rrethuar nga forcat greke, që synonin të pushtonin të gjithë Shqipërinë e Jugut. Kështu që, Shqipëria ishte në rrezik të një copëtimi të ri nga shtetet fqinjë. Në planin e brendshëm vendi vuante e përjetonte shumë vështirësi, të natyrës ekonomike, shoqërore e politike-ushtarake dhe të pasigurisë publike, që ishin rrjedhojë e mungesës së shtetit me institucionet dhe administratën vendase. Në këto kushte shumë të vështira dhe të rënda për vendin dhe popullin shqiptar, Shtetit të ri e të brishtë shqiptar, i duhej të krijonte institucionet e tij, midis të cilave edhe Forcat e Armatosura, por që të mbrohej nga lakmitë, pikësynimet e shteteve fqinj ndaj vendit tonë dhe për të vendosur rregullin, qetësinë e rendin mbi anarkinë, që ekzistonte në atë kohë. Qeveria mori menjëherë masat për mbrojtjen e vendit, me ato pak forca që kishte në dispozicion të saj. Ismail Qemali urdhëroi, të krijohej një forcë e armatosur, që të mbronte bregdetin e Vlorës dhe të mbyllte drejtimin Himarë-Vlorë dhe të vendosej në Qafën e Llogorasë. Për të krijuar këtë forcë të armatosur, në atë kohë, I. Qemalit dhe Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, u duhej një një strategji, që të mbështetej mbi një vizion dhe mendim ushtarak të kohës. Strategjia ishte e thjeshtë. Siç del nga dokumentacioni i kohës, së Qeveria së Vlorës, sipas kësaj strategjie, në fazën e parë, synonte mbrojtjen e vendit nga copëtimi, për këtë, Forcat e Armatosura dhe sidomos ushtria, duhej të krijoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. Për këtë, do të shfrytëzoheshin efektivat e strukturave ekzistuese ushtarake ende në përbërje të njësive ushtarake turke, që vepronin në Shqipëri. Sigurisht që këto forca do të bazoheshin te kontingjenti ushtarak me origjinë shqiptare. Që ishin pjesë e strukturës aktive e rezerviste, dhe pjesa tjetër, ajo e angazhuar në luftime, ishin vullnetarët popullorë të krahinave të ndryshme.

Ku ishte vështirësia e krijimit të Ushtrisë Shqiptare?
Nevoja e ngutshme, për të krijuar një forcë të organizuar ushtarakisht e detyroi Qeverinë e Vlorës të hynte fillimisht, në bisedime me komandën e ushtrisë turke në Berat, për të siguruar arme e municion për forcat shqiptare. Kjo duket qartë në letrën që Ismail Qemali i dërgonte Prefektit të Beratit, më 9 dhjetorin 1912, ku in shkruante. “Qëllimi ynë kryesor është që si të shpëtojmë atdheun nga kthetrat e armikut, të ruajmë nga rreziku i shfarosjes tepricat e ushtrisë dhe ta forcojmë atë, për t’u përleshur me armikun. Kjo për ne është një çështje jetësore, njëkohësisht një detyrë e shenjtë për shefat e armatave” dhe më poshtë vijon: “merrni masat që t’iu sigurohen ushtarëve nevojat në këtë kohë krize dhe të mbahet qetësia”.Ky vizion Qeverisë së Vlorës, për krijimin e Forcave të Armatosura, nisi të vihej në zbatim me njëherë me krijimin e dikasterit te Mbrojtjes. Kuvendi Kombëtar në mbledhje e tij më 4 dhjetor 1912, zgjodhi “Grupimin Ekzekutiv të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”. Të cilin e ligjëroi duke e dekretuar dhe e bëri të njohur në të gjithë vendin. Në përbërje të kësaj Qeverie përfshiu edhe një dikaster mjaftë të rëndësishëm, ai me emërtimin Ministria e Luftës (e mbrojtjes BQ), që do të ishte organi kryesor për organizmin e drejtimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky vendim bëhej i njohur, në aktin e kohës së Kuvendit ku thuhej: “Në përbërje të këtij grupi bënte pjesë edhe Dikasteri i rëndësishëm i Luftës (i Mbrojtjes Kombëtare BQ) i kryesuar nga Mehmet Pash Dërralla (Tetova)”. Gjeneral karriere dhe komandant i kryengritjeve të viteve 1909-1911. Ky dikaster në bashkëpunim me dikasterin e Punëve të Brendshëm, morën masa për mbrojtje e trojeve shqiptare dhe rruajtjen e rendit. Sipas këtij vizioni, strategjisë dhe skemës së përpunuar nga drejtuesit ushtarak, krijimi dhe dhe organizimi i forcave u krye në dy faza. Në fillim formua dhe u organizua Ministria e Luftës, Shtabi Madhor dhe ajo e Punëve të Brendshme dhe strukturat e mundshme ushtarake, si ato Vullnetare, Rezerviste dhe Xhandarmëria si dhe Policia, në një periudhë të shkurtër-nëntor 1912 deri në qershor 1913. Faza tjetër, në fillim të qershor 1913 deri më 22 janar 1914, kur Qeveria e përkohshme e Vlorës u largua nga skena politike.

Po në fazën e dytë, çfarë u formua?
Në fazën e dytë u formua Zyra e Shtabit Madhor dhe u organizua struktura e Xhandarmërisë . Po në këtë kohë filloi dhe organizimi i forcave aktive. Në fazën e parë u përfshin në përbërje të Forcave të Armatosura, Forcat rezerviste me origjinë shqiptare të përbëra nga ushtarakë të moshës 40-60 vjeç, të cilët thirreshin me termin turk “redifë” ose “muhtafizë”. Formacionet rezerviste ishin reparte të rregullta, të pajisura me armatim e municione të lehta, të veshur me uniform ushtarake kur thirreshin në luftë. Ata njihnin dhe dinin të zbatonin gjatë të gjitha veprimeve luftarake taktikën e luftë në front të rregullt. Këto ishin formacione bazë batalioni, që vepronin në disa krahina të vendit, nga Berati, Skrapari, Tepelena, Vlora, Delvinë e Sarandë etj., por edhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, u përdorën me mjaftë efektivitet. Forcat rezerviste përbënin masën kryesore të Ushtrisë Shqiptare. Struktura tjetër ishin Forcat vullnetare, kjo ishte masive, të cilat në fillimet e Qeverisë së Vlorës ishin mjaft ë aktive. Ato ishin organizuar në çeta në bazë fshati, apo lagjeje të qytetit, duke vepruar sipas taktikës tradicionale. Strukturë parësore e Forcave të Armatosura ishte Xhandarmëria. Ajo nisi që në fillimet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Kjo strukturë u vlerësua shumë sepse ishte një forcë që merrej me sigurimin e rendit dhe të qetësisë, por edhe në mbrojtje ne vendit, krahas strukturave ushtarake. Dokumentet e Qeverisë së Vlorës dëshmojnë se të gjitha përpjekjet e bëra nga organet e saj dhe ministrit përkatëse, çuan në organizimin e një force që deri në fillim të qershorit 1913 u shtri në mjaftë zona ku njihej pushteti i kësaj qeverie. Mbi organizimin e Forcave të Armatosura, mund te formohet një ide jo vetëm nga dokumentacioni vendas por edhe i huaj. Konsulli i Austro-Hungarisë pranë Qeverisë së Vlorës Lejhanec informonte qeverinë e tij se…: “…kohët e fundit Qeveria e Përkohshme është marrë me çështjen organizative dhe po bën emërime të shumta sidomos në fushën e administratës së brendshme”. Ministria e Luftës së bashku me pjesët përbërëse të saj, do të kryente edhe detyrën e Komandës së Përgjithshme, që përbënte hallkën më të lartë organizuese e drejtues të Ushtrisë Kombëtare. Kjo Ministri përbëhej nga “…Zyra e Shtabit Madhnuer (shtabi Madhor), Zyrën qarkore, Zyrën herretare (Logjistika) dhe Zyrën shëndetësore”. Dikasteri i Luftës përgatiti e përpunoi konceptin e organizimit të ushtrisë dhe një rregullore për funksionimi e saj që u hartua më 22 prill 1913. Ajo ishte e shkurtër e përbërë nga 7 pika në një faqe. Qeveri udhëzoi Ministrin e Luftës, që për organizimi e një ushtrie të rregullt, të shikohej e të merrej përvoja e ushtrive evropiane. Kjo dëshmon edhe njëherë për vizionin e qartë të Qeverisë për krijimin e një ushtrie modern të kohës. Në fazën pasuese, pikërisht në maj 1913, në përputhje me vizionin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Luftës u formua Shtabi Madhnuer (shtabi Madhor) si një nevojë e një hallke të qendërzuar, që do të shërbente për organizimin, përgatitjen dhe drejtimin profesional të veprimeve luftarake të FA. Ky Shtab, që u konceptua, ishte i thjeshtë, vetëm më 5 zyra, që i dha një hop organizimit të Forcave të Armatosura. Për këtë dëshmojnë qarkoret e hartuar nga ky shtab e të firmosua nga Kryetari i tij, major Ali Shefqet Shkupi. Elementet përbërës të Shtabit të përcaktuara në rregulloren e përkohshme të Ministrisë së Luftës të 22 prillit 1913, ishin 1. Qarqet e Shtabit Madhnuer, 2. Shkresinat e Shtabit Madhnuer, 3. Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve, 4. Komisioni i trajtimit të policisë e të xhandarmërisë, 5. Komisioni i ndërtimit”. Konceptimi, formimi dhe funksionimi i këtij shtabi, ku vepronin një grup ushtarakësh mjaftë të formuar me kulturën profesionale ushtarake, të nivelit akademik dhe me një përvojë të lakmueshme luftërash, dëshmonte edhe për një kulturë të mirë politike-ushtarake të drejtuesve të shtetit dhe të liderëve ushtarakë shqiptarë të asaj kohe. Ky shtab, që varej nga Ministria e Luftës, shërbente edhe si një organ këshillimor për çështjet ushtarake pran Qeverisë së Vlorës.
Sigal