Ismail Qemali në Vlorë (Në 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë)

742
Nga Enver Memishaj

Kastriot Mahilaj: Vizita e Ismail Qemalit në Vranisht të Vlorës.
Në Vranisht ka një rrugë të shkurtër e të ngushtë që fshatarët e quajnë rruga e Ismail Qemalit. Ai kaloi në disa rrugë të fshatit, por vetëm kjo copë rru¬gë mori emrin e tij. Gojëdhëna thotë se, ndërsa ecte aty, plakut patriot i shkau këmba; duke qeshur ai nxori nga kuleta një monedhë të shtrenjtë dhe la porosi që ajo t’i jepej atij që do të shtronte këtë rrugë me kalldrëm. Ky nuk ishte kurrsesi një gjest parelliu. Dihet se ai mori shumë herë borxhe gjatë jetës. Dhe më tepër se një gjest shakaje ky episod ishte shprehje sado e vogël e dëshirës së tij të përjetshme për ta parë vendin të përparuar e të qytetëruar. Më të moçmit e fshatit tregojnë se Ismail Qemali erdhi në Vranisht me dy inxhinierë të huaj dhe një krushkun Ahmet Durmishi nga Karbunari. Darkën e ditës së ardhjes e kaloi në shtëpinë e Pasho Ramadanit, mik i Ahmet Durmishit, ndërsa 2 vakte të ditës tjetër ndenji në shtëpinë e Veli Dukës, i cili kishte një odë të madhe, të përshtatshme për kuvend të gjerë burrash. Gjatë shëtitjes që u bë në mal, ditën e dytë, inxhinierët mblodhën copëra gurësh dhe drurësh. Dy të huajt nga Evropa, duhet të kenë shoqëruar Ismail Qemalin në këtë krahinë të largët me kërkesën e këtij të fundit, për të parë paraprakisht mundësinë e ndonjë përparimi ekonomik të kësaj krahine, sidomos po të zbuloheshin aty pasuri minerale. Janë të njohura interesimi e kërkesat këmbëngulëse të Ismail Qemalit në parlamentin turk për reforma ekonomike në Shqipëri. Për kohën e kësaj vizite në ndonjë shkrim është përmendur viti 1909. Këtu është vendi për një saktësim. Pas 8 vjet endjeje nëpër Evropë i dënuar nga Sulltani, Ismail Qemali u fal me shpalljen e hyrietetit (kushtetutës), në vitin 1908. Prej fillimit të gushtit e deri në nëntor të këtij viti kur mori rrugën e Stambollit për të zënë vendin e tij në parlamentin turk, ai ndenji në Shqipëri. Pikërisht kësaj periudhe i përket vizita e tij në Vranisht. Nga ana tjetër vetë vizita u bë në kuadrin e takimit të tij si kandidat për deputet me zgjedhësit. Ç’e shtyu Ismail Qemalin, që në një moshë të shkuar, 65 vjeç të merrte udhën jo të afërt Vlorë-Vranisht? Për këtë udhëtim atëherë lipseshin të paktën 8 orë dhe ai mund të zgjidhte një fshat tjetër, afër Vlorës, për të bërë takimin zyrtar. Takimi me zgjedhësit si kandidat për deputet i parlamentit perandorak ishte fasada ne shtëpisë; rëndësi kishte se çdo të thuhej brenda mureve të kësaj shtëpie. Dhe, gjithë sa tha e kuvendoi Ismail Qemali në shtëpitë ku bujti, dëshmojnë misionin patriotik të tij. Pas, kësaj vizite çeta e Sali Muratit u rrit në numër, u armatos dhe i shpeshtoi aksionet. Kjo çetë luajti rolin e saj në kryengritjen e vitit 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës duke penguar mësymjen e shovinistëve; u dallua në Luftën e Vlorës dhe veproi krahas forcave demokratike, në revolucionin e vitit 1924. Ismail Qemali ishte ndër të parët, që kuptoi rrezikun e politikës së xhonturqve ndaj kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë nuk u projektua prej tij në një kohë të shkurtër, qoftë edhe për 2-3 vjet. Krahas kërkesës për një autonomi të gjerë, tokësore dhe ad¬ministrative, ai, tok me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare, punonte edhe për rrugën e dytë, atë të kryengritjes së armatosur, rrugë e cila edhe u ndoq. Duke ardhur vetë në këtë fshat të thellë të Labërisë, Ismail Qemali donte të shihte me sytë e tij patriotizmin e masave të gjëra fshatare, ta frymëzonte e ta mobilizonte këtë patriotizëm për betejat e ardhme. Në odat e kuvendit, shkruhet në historikun e Vranishtit, ai tha që fshatrat duhet të jenë gati për komb e atdhe, t’i falin gjakrat që kanë për të marrë. Shqiptari duhet të derdhë gjakun jo kundër vëllait të tij, po për çlirimin kombëtar.
Ka edhe një fakt tjetër të vogël që flet tërthorazi. Në Vranisht patrioti i madh bujti mik në shtëpinë e Pasho Ramadanit. 
Ky vranishtjot pat shkuar disa herë në Korfuz për t’i blerë armë çetës së Sali Kapedanit. Dhe vetë Ismail Qemali, për kryengritjen e Veriut 1911-1912, u mor personalisht me blerjen e armëve nga Evropa. Ka shumë të ngjarë që Plaku i Vlorës ta ketë biseduar punën e armëve me këtë fshatar patriot. Gjatë kësaj vizite dyditëshe Ismail Qemali gjeti kohë që t’i kërkonte pleqërisë së fshatit 7 djem të zotë për t’i dërguar me bursë në shkolla jashtë vendit. Këtë punë ai e pati bërë edhe më parë, e bëri edhe më pas, sepse shpresonte shumë te djemtë e arsimuar e të ditur të Shqipërisë. Demokratët revolucionarë Avni Rustemi, Halim Xhelo e të tjerë e përligjën shpresën e Plakut të Bardhë. Edhe djemtë që kërkoi nga Vranishti punuan për mëmëdheun. Këta, si Dan Seferi e Meçan Kallarati, kur u kthyen prej shkollës së Korfuzit, u bënë pionierë të shkollës e të gjuhës shqipe në Labëri. Gjithashtu, në Vranisht ai la edhe dy abetare. Ja se ç’tregohet në historikun e fsha¬tit: Në shtëpinë e Veli Dukës oda u mbush cep më cep me burra. Llaf pas llafi, Ismail Beu dëgjoi një potere të vogël te dera. Një burrë qortonte dy djem të vegjël që s’donin të iknin që andej. Miku kërkoi që t’ia sillnin aty fëmijët. Ata erdhën dhe ranë në gjunjë para tij. Ismail Qemali u fërkoi flokët, nxori nga çanta dy libra të hollë, ua zgjati fëmijëve dhe foli që ta dëgjonte gjithë oda e burrave: – Po ju jap dy abetare, janë shqip. Duhet ta mësoni gjuhën tonë, ta shkruani dhe ta këndoni. I ruani të mos ua shohë hoxha. Ua jepni dhe të tjerëve fshehurazi. Pas këtyre do t’u vijnë edhe abetare të tjera. Hoxha, «mësuesi i mejtepes», u ra në erë abetareve, erdhi me xhandarë për kontroll, por abetaret nuk i gjetën. Më 1909 ishin disa vranishtjotë që dinin të shkruanin e të lexonin shqip. Më 1912 u çel shko¬lla shqip e fshatit. Po gurin e parë të kësaj shkolle e pati vënë vetë Ismail Qemali, 4 vjet më parë me 2 abetaret dhe me porositë që la për mësimin e gjuhës amtare. Në historikun e Vranishtit përmendet edhe ky episod: Për nder të mikut, Pasho Ramadani bëri darkë të madhe. Me mish të pjekur në hell, me këngë e valle. Në mes të kuvendit, një bari vendas, Çelo Jonuzi quhej, ngriti aty për aty një këngë dhe e këndoi para mikut të madh: 
Ismail beu me halle
Gjezdise krajl me krajl
Hallë e Shqipërisë qave
Po s’ta vunë veshin fare…
Patrioti i madh, i çuditur, por edhe i kënaqur, iu drejtua fshatarit: «Mor ti burrë! Bari fshati e i ditke të gjitha. Politikën e Evropës e lojtke me gisht! Ti po na i tregon ngjarjet sikur ke qenë me mua.» Me atë intuitën e tij të pagabueshme, populli e njohu Ismail Qemalin si udhëheqësin e vet. Simpatia dhe besimi që kishte populli ndaj Ismail Qemalit nuk ishin të njëanëshme, këto ndjenja ushqente dhe ai ndaj popullit. 
Kujtime të Ali Asllanit për Ismail Qemalin
Për Ismail Qemal bej Vlorën më kishte fjalosur shumë Mulla Xhaferri dhe Osman Efendiu. Mulla Xhaferri kishte qëndruar disa vakte në shtëpi të tij e u jepte djemve të Ismail Beut mësim. Ai e kishte pjekur me Osman Efendinë kur ky shkollohej në “Robert Kolegj”. Osman Efendiu sa herë merrte karta nga Vlora ia çonte Ismail Beut e ky i thosh: “Osman Efendi. Vlora është vendi i shenjtëruar. Me ka pikur malli për atë vend të bekuar e më del në ëndërr.”Pasi u bë deputeti i Beratit (1909), Ismail Qemali u instalua në shtëpinë e tij në Orta Koy, ku frekuentohej natë e ditë prej patriotëve shqiptarë. Gjatë vazhdimit të debateve të parlamentit turk ngjanë incidente të rënda midis grupit shqiptar dhe xhonturqve. Bile Ismail Qemali u godit me shpullë në sallën e parlamentit prej kundërshtarëve të tij. Shqiptarët deshën të merrnin hakën për këtë ofendim të prijësit të tyre. Por ai, si udhëheqës i zgjuar e ndaloi këtë hapë të ngutshme dhe vijoi veprimtarinë e tij patriotike më me energji për të arritur sa më pare qëllimin e tij kryesor që ishte indipendenca e Shqipërisë. Në këtë kohë ngjau revolucioni i 31 Marsit që quhet në historinë turke (31 mart vakassi, dmth ngjarja e 31 marsit) prej anës së xhonturqve për të rrëzuar sulltan Abdul Hamidin dhe për të eliminuar grupin shqiptar. Xhonturqit, me të marrë fuqinë në dorë, shpifin kundër Ismail Qemalit gjoja se ai paska komplotuar kundër xhonturqve. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse Ismail Qemal beu u arratis për nëntë vjet, se Sulltan Abdul Hamidi deshi vetë ta vrasë Ismail Qemalin si udhëheqës i shqiptarëve. Ismail Qemali e mori vesh planin djallëzor të xhonturqve dhe u arratis në Evropë 1910-1911. Familja e tij iku pas tij dhe të gjithë u instaluan në Napoli e më vonë në Nicë-Francë. Adresa e shtëpisë së tij në Nicë ishte: Rue de France, Nr. 99, Villa Bore. Nga shtëpia e tij në Nicë, vazhdonte aktivitetin e tij patriotik për çlirimin e Shqipërisë. Shtëpia e tij frekuentohej natë e dite prej patriotëve shqiptarë si Luigj Gurakuqi etj. Ai ishte vazhdimisht në lëvizje nëpër kryeqytetet e Evropës për të gjetur mënyrën e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe më së fundi përpjekjet e tia të palodhshme u kurorëzuan me sukses. Ideali i këtij patrioti të veneruar dhe të adhuruar u plotësua me ngritjen e flamurit kombëtar, nga ana e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ditën që po kthehej Ismail Qemali nga mërgimi në Stamboll (pas hyrietit) të gjithë pjesëtarët e familjes së tij bashkë me djalin më të vogël, Qamilin, të cilin e kishte lënë 4 vjeç para se të arratisej, u nisën me araba për në molo. Gruaja e tij me lot gëzimi në sy po priste çastin që ta përqafonte burrin e saj dhe të hidhte në krahun e tij djalin e tij më të vogël, që po priste me padurim të pushtonte babën e tij që po kthehej nga mërgimi. Nga shkaku i grumbullimit të mijëra shqiptarëve që kishin pllakosur gjithë skelën e Kara Koj-it, arabaja që mbante familjen e Ismail Qemalit nuk mund të përparonte dhe mbeti bllokuar midis kallaballëkut. Me t’u afruar vapori rumun skelës, u duk plaku me mjekër të bardhë në kuvertë të vaporit. Shqiptarët e morën Ismail Qemalin krah më krah dhe e çuan në klubin e shqiptarëve prej ku vetëm pas një jave mundi të vinte pranë familjes së vet. Më 1914 isha në Itali. Poqa në stacion të trenit Ibrahim Abdullanë, Osman Haxhinë e Omer Radhimën, kishin qenë në Romë e ishin pjekur me Ismail Bene për hallet e Vlorës e rebelët. Ibrahim Abdullau më dha një kartë me pesë rreshta që ma dërgonte Ismail Qemali. Më thoshte që të kthehem në Vlorë. Meraku i tij ishte të ngrihej prapë flamuri që kishin përdhosur rebelët. 
Disa shënime karakteristike të jetës së tij:
Ai ka qenë një tip shumë i shëndoshë që nuk trembej kurrë nga të ftohtit dhe në kohërat më të ftohta vishej vetëm me një pardesy të lehtë. Ushqimi i tij ka qenë: në mëngjes disa biskota, vetëm reçel portokalli dhe pinte shumë çaj. Zarzavate nuk hante kurrë. Qep dhe hudhra nuk përdoreshin në gjellët e tij. Hante mish, brumëra dhe ëmbëlsira me qumësht. Studionte vazhdimisht. Në dhomat e tij të punës në Nicë (Francë) vazhdimisht ishte në kontakt me patriotët shqiptarë dhe veçanërisht me Luigj Gurakuqin.
(Marrë nga arkivi i familjes së Ali Asllanit. Këto kujtime janë shkruar në nëntor 1962 dhe janë botuar në gazetën: “Labëria”, Tiranë, dt. 30. 4. 1998)
Si punonte dhe si i përballonte vështirësitë Ismail Qemali 
Ismail Qemali shërbeu si kryetar i qeverisë së parë shqiptare nga 28 nëntori 1912 deri më 24 janar 1914, kur u dha dorëheqja si rezultat i presionit të të huajve dhe intrigave e presionit të kundërshtarëve të tij në Shqipëri. Vullneti qëndruar dhe dëshira e popullit por ca më shumë shpresa kombëtare u bënë ballë rreziqeve me çdo farë mënyre. Ismail Qemali natë e ditë nuk bën gjumë, nuk trembet aspak nga sulmet e armiqve sepse kumbiset në fuqinë e vërtetë besnike të popullit shqiptar. Populli shqiptar i trembur nga rreziqet e tmerruara që kishin shkarkuar mbi shtetin tonë të ri, nga frika e topave, vijnë njëri pas tjetrit i madh e i vogël me nxitim te kryetari pa mos menduar se është mesnatë ose i pushtuar me punë. Ismail Qemali i priste me gëzim duke i këshilluar të jenë gati për shpëtimin e Shqipërisë, e ata i përgjigjeshin: “Jemi me ty dhe e presim shpëtimin tonë nga ty”. Kryetari Qeverisë priste çdo sërë njeriu që t’i vinte, i ditur e i pa ditur, natë e ditë, kurdoherë e gjenin të ngritur dhe pa mos u mërzitur fare u përgjigjej të gjithë pyetjeve që i bënin. Nuk u tregua i madh dhe i rëndë, nuk u tregua fytyrë ashpër si aristokrat ose feudal por gjithnjë tregohej si në sjellje ashtu dhe në punë si një demokrat e si një patriot dhe nacionalist i vërtetë. Tërë dimrin nuk e lanë ndonjë natë Të fli më shumë se dy orë gjumë. Kish ngjarë shumë herë që të fli pa zhveshur se e ngrinin nga gjumi.
Dua të them që në këtë kohë ish e pamundur që një njeri tjetër të bëhej udhëheqës i kombit dhe t’ja arrinte qëllimit si Ismail Qemali, i cili me këshillimet dhe sjelljet e tij në një popull fare të paorganizuar të fitojë një dashuri, një simpati dhe me këtë mënyrë të formojë një fuqi të çeliktë e cila i vu fre të fortë Shqipërisë. Ismail Qemali për të mbajtur fuqinë e vet kombëtare me besnikëri deri në fund, fillojë duke i bërë popullit lehtësira të ndryshme duke mos i shtrënguar në nxjerrjen e havajete, cave ua falte fare, ankesat zyrtare i shikonte sipas zakonit, lutjet i pranonte pa pullë, punëve fetare u bënte më të madhen nder e lehtësi, fatkeqësitë e ndryshme i ndihmonte, fali vergjinë e luftës, bëri xhelepin 3 grosh kokën etj. Kujtdo njeriu i fliste me gjuhë të ëmbël, të voglit si të vogël, të madhit si të madh, trimit si trim, të frikshmit i jepte kurajë, të diturit i kuvendonte fjalë filozofike, me pleqtë bënte shaka mbi përfundimin e ëndrrave e të shpatullave të cilat i kish në vend të lajmeve telegrafike.
Në kohëra të fundit, rreziku më i madh qe ajo që po mbarohet buka fare, por besnikëria e popullit qe e tillë që linin fëmijët e tyre pa bukë dhe mbanin luftëtarët e lirisë. Ishte një qetësi e madhe sa s’dëgjohej të vidhej ose vritej njeri. (Sali Hallkakondit “Historia e Shqipërisë së re” Vlorë, 1923, Enver Memishaj në “Rilindja”, Tiranë, dt. 24.11.1998)
Sigal