Ismail Kadare: Krimet e pandëshkuara të komunizmit

( Vijon nga numri i kaluar )

Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike rifitojë Shqipërinë.

Nga ana e tyre, drejtuesit e institucioneve kryesore të terrorit intelektual, nuk mund të justifikohen se ishin të detyruar nga lart të bënin ato që kanë bërë. Të dy palët janë të përlyera gjer në grykë, të pleksura në një aleancë monstruoze, rrallëherë të ndeshur në histori.

Këtë vizion të qartë të tablosë nuk mund ta japë veçse bota e dokumentacionit. Ndaj reagimi i ashpër kundër librit është njëherësh reagim kundër dokumentacionit në përgjithësi. Gati-gati u ndien haptas thirrjet histerike: nuk duam dokumente!

Natyrisht që një botë e ngritur mbi mashtrim dhe mjegull mbuluese më fort se çdo gjëje i trembet dokumentacionit. Oraliteti ballkanik, aq shumë joshës në rrafshin e artit epik të poezisë, është armiku i parë i së vërtetës në rrafshin e jetës shoqërore moderne. Libri i drejtorit të arkivave vuri ballë për ballë oralitetin dhe dokumentet. Në këtë ndeshje oralitetit (thënë ndryshe mjegullës mashtruese) nuk i mbetet veç humbja. Ky është edhe shkaku i panikut.

Njëqind e tridhjetë vjet më parë, në romanin e tij “Djajtë”, Dostojevski profetizoi makinën e ardhshme të terrorit komunist. Në këtë roman tregohet se si katër revolucionarë rusë mbytin të pestin, shokun e tyre, për t’u lidhur kështu me anë të të fshehtës së krimit. Sipas Dostojevskit, kështu do të punonin këtej e tutje “qelizat e revolucionit”, ato që do të mbytnin botën me gjak. Ne ballkanasit e kuptojmë mirë se ç’është kjo lidhje nëpërmjet njollave të gjakut. Gjatë luftës civile në Shqipëri ajo u përdor gjerësisht e po ashtu pas fitores së komunistëve. Lidhjen, solidaritetin nëpërmjet denoncimit nuk e ndan veçse një hap nga marrëdhënia që u përmend më lart. Kori i bashkuar kundër hapjes së arkivave të fshehta, ato që janë kusht i domosdoshëm për çdo demokraci e çdo qytetërim, tregon qartë se sa larg qytetërimit ndodhet ende sot një pjesë e shoqërisë shqiptare. Çdo shoqëri e pajisur me njëfarë ngrehe morale, kur gjendet përpara një prove ku vihen ballë për ballë moraliteti me të kundërtën e vet, në mënyrë të vetvetishme rreshtohet në anën e moralitetit. Për një pjesë të popullsisë shqiptare, për fat të keq, ndodh e kundërta. Kjo pjesë, me shpërfillje bën sehir të keqen. Nga dokumentet ajo merr vesh se dikush ka kallëzuar, ka marrë më qafë, ka dashur të hedhë në humnerë dikë, e megjithatë vazhdon të vështrojë me sytë e saj të pajetë (sytë e saj prej peshku, siç përfytyrohet shpërfillja në filmat e Felinit), pa dashur të vihet në mbrojtje të askujt.

Por kjo është gjysma e së keqes. E keqja më e madhe është kur kori i solidaritetit, ai që, jo vetëm është shpërfillës ndaj viktimës, haptas bëhet kundër saj, duke marrë në mbrojtje shtypësit. Merret me mend se nga ç’njerëz përbëhet ky kor. Së pari, janë bashkëpunëtorët në krim, ata që, sipas profecisë së Dostojevskit i lidh e fshehta e denoncimit. Me ta bashkohen një tufë zyrtarësh të mesëm e të lartë, ata që dje ishin buka dhe kripa e diktaturës, e që ende sot i gjen aty-këtu në jetën e sotme politike, deputetë të majtë e të djathtë, kryetarë partish, anëtarë të qeverisë, diplomatë, shefa, mbishefa e nënshefa pa fund. Në gjithë këtë tablo, pjesa më shqetësuese është shpërfillja e publikut. Ky zvetënim postdiktatorial është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e bjerrjes morale të epokës që vdiq.

Kronika e zvetënimit të jetës letrare artistike në Shqipëri ka nisur qysh më 1945, në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Në atë kohë, Lidhja ishte fare ndryshe nga ç’u katandis më pas. Më 1945, në kryesinë e Lidhjes ishin zgjedhur Dhimitër Pasko, Sejfulla Maleshova, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Ymer Dishnica e të tjerë zotërinj të kulturës shqiptare.

Në këtë kulturë ishin ende zotërinj të tjerë si Vinçens Prenushi, Vedat Kokona, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Frano Alkaj, Henrik Lacaj, Fejzi Dika e të tjerë. Një frymë intelektuale, një atmosferë gjysmë e lirë vinte nga epoka e përmbysur.

Regjimi komunist e ndjeu menjëherë se ky ekip shkrimtarësh, këta mohikanë të fundit, ishin të huaj për të. Ata ishin dëshmitarë bezdisës për krimet e tij. Në vend të vështrimit të tyre depërtues ai do të parapëlqente vështrimin e ngrirë të peshkut felinian. Dhe kështu nisi luftën kundër “borgjezëve”, duke hedhur në sulm shkrimtarët e dalë nga lufta, më saktë, nga njëra barrikadë e luftës, ajo komuniste. 

Pëshpërima që u hap në Tiranë, më 1946, se anëtari i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, Lasgush Poradeci, ka thirrur në duel ministrin e Kulturës së qeverisë komuniste, ngaqë ky e kishte fyer publikisht, ishte edhe bëma, ose më saktë, skandali a mondaniteti i fundit me shije evropiane në Shqipëri. 
Një shoqëri me ndërgjegje të gjymtuar, siç është sot një pjesë e shoqërisë shqiptare, gjëja e parë që bën kur dikush i vë përpara pasqyrën për të parë vetveten, është refuzimi i pamjes. Një reagim i dytë, edhe më i keq, është përpjekja për ta thyer pasqyrën.

E mësuar këto 15 vjet të tranzicionit me mjegullën e mashtrimit dhe me dokrrat e kafeneve, këto balsame aq shumë të parapëlqyera për të, kjo shoqëri e ndien veten kaq keq dhe të pambrojtur përpara saktësisë së pamëshirshme të dokumenteve. Ajo bën çmos për të penguar daljen e tyre dhe ajo do të bëjë çnuk e çmos për të kufizuar veprimin e tyre shelbues. Ajo do të donte shumë që në vend të tyre, në vend të së vërtetës së arkivave, të vazhdonte në Shqipëri surrogati i së vërtetës.

Ky surrogat është një mjet i vjetër, i përdorur shumë herë në periudha pastiranike. Thelbi i tij, mbulimi i krimeve, shfaqet e kryhet me forma nga më të larmishmet. Mbulimi i drejtpërdrejtë, zhdukja, djegia e dokumenteve, është pa dyshim mënyra më e ngutshme, e kryer shpesh në rrethana paniku. Një tjetër formë është transferimi i krimit. Kjo është një mënyrë dredharake që përzien qëllimisht krimin e mirëfilltë me sofizmat për të, ose kriminelët e mirëfilltë me kinse burimet teorike të tij. Kështu, në rastin e holokaustit, vënia e emrit të Hitlerit, midis emrash filozofësh e shkrimtarësh të njohur, që, për fat të keq, janë përzier në mëkatin kundër hebrenjve, ngjan gati-gati si një përpjekje lehtësimi për kryekriminelin nazist. Të natyrës së përafërt janë raportet e krahasimit të intelektualëve shqiptarë me Enver Hoxhën. Zërat e avokatëve të këtij të fundit, se tirani s’paska bërë ndonjë krim më tepër se një pjesë e intelektualëve është gjithashtu përpjekje e mjerë për të shfajësuar diktatorin.

Një ndër alibitë me tingëllim kinse filozofik, siç janë shpesh ato që ndërtohen me ndihmën e konceptit “kohë”, është shfajësimi “ashtu ishte koha”. Është e tepërt të zgjatemi këtu, për të kuptuar se në historinë e njerëzimit ka pasur disa akte që nuk kanë pasur kurrë kohën e tyre. Bota ka ndërruar epoka, rende e sisteme të menduari, por disa vepra, ndër të cilat kallëzimi i pabesë, nuk janë pranuar nga asnjë kohë. Denoncimin që 2000 vite më parë e degdisi në internim poetin e Romës, Ovidin, shteti romak e mbajti në shekuj të fshehtë, sepse ai kallëzim ka qenë atëherë, njëlloj si sot, i turpshëm.

Që surrogati, thënë ndryshe mashtrimi, të ngadhënjejë, atij i duhet pushtimi i hapësirës mediatike. Vërshimi në shtyp nën pasaportën e kujtimeve, i një vale nostalgjie për kohën e përmbysur dhe për personazhet e saj, ka shqetësuar me të drejtë pjesën më të shëndoshë të opinionit shqiptar. S’do të kishte ndonjë të keqe, përkundrazi, nëse këto dëshmi të njerëzve të ish-nomenklaturës, qofshin ata të kupolës komuniste, qofshin rojet, hetuesit, madje torturuesit, do të tregonin të vërtetën. Mirëpo, me përjashtime të rralla, rrëfimet e tyre s’kanë lidhje me të. Tabloja rozë që del prej tyre është fyerje e rëndë për vuajtjet e këtij populli.

Në kushte të tilla, maksima e njohur “historinë e shkruajnë fitimtarët”, mund të ketë një fat të çuditshëm në Shqipëri. Ajo mund të përmbyset duke u bërë “historinë e shkruajnë të mundurit”, ose edhe më keq, të mundurit të ndihen vërtet fitimtarë, çka do të ishte turpi më i madh për këtë vend. Trimërimi i së keqes staliniste, arroganca, fryma revanshiste e saj, dëshmon pikërisht shpresën e saj për t’u kthyer. Kori i solidaritetit alla dostojevskian, i inkurajuar nga vështrimi shpërfillës i peshkut të Felinit, shfaqet në të gjitha rrafshet. Është kjo frymë e keqe që nxit qëndrimin mohues ndaj popullit shqiptar. Ai konsiderohet mëkatar për përmbysjen e komunizmit, ndaj në mënyrë të tërthortë ndaj tij mund të bjerë hakmarrja. Vetëm kështu mund të shpjegohet mungesa e skrupujve në drejtimin e punëve të tij, ngritja e imoralitetit në rangun e një doktrine, korrupsioni i paparë, talljet e pareshtura me varfërinë e vendit, së fundi sëmundjet kronike të politikës shqiptare: mosnjohja e zgjedhjeve, e bojkotimi i parlamentit, dy nga turpet e neveritshme të jetës sonë. Sipas kësaj mbrapshtie, sa herë që vendi ia refuzon votën dhe besimin një krahu politik, ai quhet prej këtij krahu, vend mëkatar. Lufta për shëndoshjen morale të Shqipërisë së sotme nuk është çështje përkryerjeje apo luksi kulturor. Ajo është kthyer në kusht të ekzistencës sonë të mëtejshme.

E treguar me gisht nga komuniteti ndërkombëtar për korrupsionin e saj, Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të keq të ndotjes morale që ka njohur ndonjëherë. Nga kjo gropë ajo ose duhet të dalë me ngut, ose do të fundoset përgjithmonë.

Mbrojtja e mjedisit, luftëtarët mjedisorë shqiptarë, duhet të përkrahen sot si një ushtri e shenjtë. Por një tjetër ushtri, edhe më e shenjtë, pritet të shfaqet përkrah tyre, ajo e rimëkëmbjes shpirtërore. Nuk është koha as për vaj e as për berihaj. Në jetën e popujve janë të njohura gjendjet e krizave morale, ato që mund të quhen “orë e vetëvrasjes”. Për një paradoks të madh, ato, më së shumti ndodhin në liri, atëherë kur rreziqet e tjera shmangen.

Procesi i rigjetjes së drejtpeshimit shpirtëror, është i lidhur natyrshëm me kurajën për shqyrtimin e ndërgjegjes, sidomos kur ajo është e dëmtuar. Një gjë e tillë është vështirë të përfytyrohet pa hapjen e zgafellave ku është strukur e keqja.

Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë.

Jo çdo brezi mund t’i bjerë një shans i tillë.