Nëpër rrugëtim të jetës
Me pasion edhe me zjarr,
Kush më pak e kush më shumë,
Të gjithë jemi mëkatarë.
Mëkatare bota jonë,
Ca i do e ca si do.
Mëkatar ai që shpif
Prapa krahëve për këdo.
Mëkatar një burrë i lig,
(Shumë të tillë ka kjo botë)
Që godet gruan me grusht,
Dhe, ia njom syrin me lot.
Me mëkate janë mbushur
Shumë e shumë në vendin tim,
Mëkatar është dhe gjahtari
Që vret zogjtë në shtegtim.
Mëkatar, një burrë i lig
Që gjakos një nënë të mirë,
Mëkatar, një burrë i çmendur
Që lë fëmijët jetimë.
Mëkatare është dëbora
Kur vret lule – manushaqe
Mëkatar është i pabesi
Që me shpirtin Kurrë s’bën paqe
Mëkatare është një vajzë
Që i varet loti faqes.
Mëkatar është edhe dimri
Që na mori pleqtë e lagjes.
Mëkatarë është dhe djali
Se dikë në besë ka prerë
Vajzës qe i tha: “Të dua!”
Nuk e deshi asnjëherë.
Mëkatarë është edhe gjumi
Që na shpie pas një ëndrre.
Mëkatare është dhe drita
Që djeg fluturat në mbrëmje.
Mëkatare është pranvera
Që u ndez vajzave zemrën,
Mëkatarë është edhe maji
Që e fsheh nën gjethe hënën.
Mëkatar është edhe mali
Që e bën rrëkezë dëborën,
Mëkatarë edhe fëmija
Që mbi prindin e ngre dorën.
Mëkatar është edhe shpirti
Që ndizet si zjarri eshkës,
Mëkatare është edhe era
Që rrëzon lulet e pjeshkës.
Nëpër rrugëtim të jetës,
Me pasion edhe me zjarr,
Kush më shumë e kush më pak,
Të gjithë jemi mëkatarë.