Ismail H. Xhaferri: “Kujtesë për antikomunistët”

785
Atë ditë që mora teserën 
Zemra gjoksit më gufonte, 
Gjithë natën dora ime 
Atë tesër ledhatonte. 
Atë ditë bëra betimin 
Si njeri me besë e nder, 
Që ditë nga ditët e mia, 
T’i jepja shokut Enver! 
Ngrita grushtin edhe thashë 
“Gjer në vdekje ballë stuhisë”, 
Ditë nga ditët e mia, 
t’ia falja edhe partisë 
U betova përmbi tesër, 
Armiqtë kurrë s’do më ndalin, 
Ditët e tjera të jetës, 
t’i jepja për idealin. 
Që të bëja mirë detyrën, 
S’lashë njeri pa spiunuar, 
Ndaj gjysma e lagjes sime, 
në qeli pat përfunduar. 
Nga spiunllëqet e mia 
Eh, sa herë që u bë nami, 
20 veta në qeli, 
Se thoshin, s’ka presh dyqani. 
Duke mprehur vigjilencën 
Sy e zemër në llogore, 
Natyrisht që kam zbuluar, 
dhe grupe armiqësore. 
Dy barinjve majë malit, 
plani zi në mes u mbeti, 
Se të dy po komplotonin, 
Si të bënin një grushtshteti. 
Mos ta zgjasim muhabetin , 
Gjer në fund armikun ndoqa, 
Si komunist i devotshëm , 
dorë nga lufta e klasës s’hoqa. 
Nëpër mbledhje bëja thirrje, 
Që të gëzoja partinë, 
Të dërrmojmë kapitalizmin, 
ku ha njeriu njerinë. 
Të dërrmojmë kapitalizmin , 
Është sistem i dalë boje, 
Dhe populli Amerikës, 
vdes e heq për bukë goje. 
Kur flisja nëpër podiume, 
Shava gjithë ata të shkabës , 
Edhe pse në kohë të Luftës, 
isha në ato të Babës. 
Flisja unë e para meje, 
dridhej grua, dridhej burrë, 
Sepse teserën e partisë, 
lart e tundja si flamurë. 
Dhe kur vdiq Mao Ce Duni, 
për pak sa s’më ndali fryma. 
E qava Maon e shkretë, 
E qava me ulërima. 
Si komunist i patundur, 
bëra vepra të mëdha. 
“O ndërtojmë socializmin, 
Ose rrugë të mesme s’ka!” 
Ç’të kujtoj nga ajo kohë, 
kohë me halle të rënda?! 
Shpata ime vetëtinte, 
mbi armiqtë jashtë e brenda. 
Kur erdhi demokracia, 
si të gjithë edhe unë e drodha. 
Grisa teserën e PP-së, 
dhe andej nga blutë vrapova. 
Grisa teserën e PP-së, 
që ma kishin dhënë me zor! 
Dhe brenda në selinë blu, 
prapë ndër shokët kryesor! 
Ardhja e demokracisë, 
më bëri dhe më të zgjuar, 
Mora prona, mora lekë, 
Si një ish-i persekutuar. 
Dhe ashtu siç më takonte, 
Ashtu siç më kishte hije 
Komunizmin e kam sharë, 
kudo, me libër shtëpie. 
Fjala ime gjëmoi rëndë, 
Si krismat e Maliherit. 
Se unë isha nga të vetmit, 
që s’i fala ditë Enverit. 
Se në kohë të diktaturës, 
Kur ish vetëm një parti. 
Ato që kam hequr unë, 
Nuk i ka hequr njeri! 
Ndaj aq shpejt i ngjita shkallët, 
dhe shndrita si një yll. 
Linda antikomunist, 
edhe do të vdes i tillë. 
Ngjita shkallët e karrierës, 
Jo ngadalë por shpejt e shpejt, 
Deputet në opozitë, 
Ministër në parlament. 
Kur më thonë ish- komunist, 
dridhem, më vjen të pëlcas. 
O ndërtoj kapitalizmin, 
ose veten do të vras! 
Kur më thonë ish- komunist, 
Nuk më duket fare çudi 
Unë jam antikomunist, 
që luftoj për demokraci…!
Sigal