Ismail H. Xhaferri: Do të bëjmë revolucion

501
Do të bëjmë revolucion, 
Do ndezim furtunë,
Sepse ne jemi popull,
Veç për këtë punë.

Do ngrihemi brof në këmbë
Gjithë Shqipëria,
Ne s’e bëjmë fjalën dy, 
Po na tha partia.

Po na thirrën për beteja,
Ne bëhemi copë, 
Sepse ne të gjithë e dimë,
Jemi mish për top.

Do të bëjmë revolucion,
Do të hapim sytë, 
S’kemi nëna kush na lindi, 
Nënë kemi partitë.

Ngrehuni të gjithë në këmbë; 
Qytet e katund,
Kur mbaron revolucioni, 
Vemi prapë në fund.

Ngrehu, o popull dhe mos rri!
Thërrit derë më derë, 
Të heqim ca nga karriget, 
Të ulim të tjerë.

Të dalim të gjithë në rrugë,
Gra, burra e pleq 
Dhe po ranë disa dëshmorë, 
Nuk do ishte keq!

Shpejt të bëjmë revolucion, 
Vrullin mos ta ndalim, 
Kur mbaron revolucioni,
Dhjesin ne dhe kalin.

Prandaj brofni sa më shpejt
Dhe mos rrini, sus! 
Populli revolucionin,
Pushteti për luks.

Ngehuni e mbushni sheshet!
Koha na thërret,
Sepse ne po s’u mashtruam,
S’ndihemi të qetë.

Do të bëjmë revolucion,
Sheshet do gjëmojnë
Dhe pastaj kolltukofagët
Pronat të shumojnë.

Do të bëjmë revolucion,
Do ta ndezim zjarr ,
Politikanët të kenë
Dhe më shumë dollarë.

Do të dalim nëpër rrugë,
Krahët të bashkojmë,
Sepse bythët e disave,
Pa karrige s’rrojnë!

Do të bëjmë revolucion,
S’është kohë që të heshtësh.
Po ju pyes, more njerëz:
“A ja vlen të vdesësh?!”

Po në fakt, duhet çuar, 
Të bëjmë tërmet,
Për ç’i keni bërë atdheut 
Njëzet e ca vjet?!

Do të bëjmë revolucion, 
Të bëhemi fli, 
Sepse ne kemi nevojë, 
Për zhgënjim të ri,,,


Sigal