Ismail H. Xhaferri: Digju, shpirti i njeriut!

182
Digju shpirti i njeriut!
Mjaltë të kesh në gojë 
Dhe shpërnda veç dashuri 
Se kemi nevojë! 
Rend për mirë e mos ndalo 
Si lumi në zall, 
Nëse s’bëhesh dot shenjtor,
Të mos bëhesh djall!
Digju shpirti i njeriut!
Digju për të mirë
Siç digjet një meteor 
Nëpër errësirë.
Rend si një kalorës shprese, 
Mos prish,vetëm ndreq, 
Nëse s’mundesh të bësh mirë,
Kujdes,mos bëj keq!
Digju shpirti i njeriut 
Si bari në gusht,
Sepse bota jonë e akullt
Ka nevojë për prush! 
Rend kudo e vrit të keqen! 
Mos qëndro në heshtje! 
Dhe atje ku të urrejnë,
Shpërnda buzëqeshje! 
Kur ka njerëz buzëplasur ,
Derdhe një pikë lot,
Se kjo botë më ligësira,
Është e mbushur plot! 
Digju shpirti i njeriut!
Lodhur dhe zhuritur ,
Jep pak ujë kur ka të etur, 
Bukë për të uritur. 
Rend njeri drejt bukurisë,
(Bukuria rroftë!)
Nëse vë një gur për mirë,
Zoti të bekoftë! 
Ndaj vrapo ditëve që vijnë,
Siç vrapon dhe era,
Nëse kujt s’ia zbut dot plagët,
Mos i hap të tjera! 
Digju shpirti njerëzor,
Digju natë e ditë, 
Sepse njerëzit anembanë ,
Kanë nevojë për dritë. 
Digju shpirti i njeriut, 
Dritë bëje fytyrën! 
Dhe, nëse nuk bën dot dritë,
Mos mbill errësirën!
Digju shpirti i njeriut!
Ndryshe kurrë s’ke vlerë, 
Digju, o njeri i zotit!
Të ngrohen të tjerë…