” Ismail Bej Vlora, duhet të jetë Babai i Kombit”

675
Sigal

INTERVISTA/Tasim Aliaj, shkrimtar: “Haraçin e statusit me kusht, e paguan populli, jo politika”

Shkrimtari i njohur Tasim Aliaj, në intervistën për “Telegraf”, me humorin që  e karakterizon, pohon që haraçin e statusit me kusht, do ta paguajë populli, se politikanët, kanë vajtur, u kthyen e do venë në Europë, me biletën e paguar nga …populli. Shkakun, thotë zoti Aliaj, duhet ta kërkojmë të shoqëria jonë civile, e cila është akoma në moshën e foshnjërisë demokratike. Zoti Aliaj, duke vlerësuar figurën kryesore të 100 vjetorit të Pavarësisë, thotë që Ismail Bej Vlora, duhet të cilësohet “Babai i Kombit”, ndërsa për përmendoren e Ahmet Zogut, krahas atyre të Hasan Prishtinës e Luigj Gurakuqit,  ngre një pyetje:- “Cilit i takon të qëndrojë në këmbë nga këto përmendore? Vrasësi? Apo të vrarët nga vrasësi?” Historia dhe vetë populli do t’i japin përgjigjen kësaj pyetjeje, e jo politikanët stinorë.

– Zoti Aliaj, për popullin, ç’do të thotë ” statusi me kusht”?

– Që këtu qëndron pasaktësia e këtij statusi me kusht. Në këtë mes, haraçin e paguan populli, se politikanët (tanë) kanë vajtur në Europë, janë kthyer e do të venë prapë, sa herë të duan, madje me biletat e paguara nga populli. Ky është një rreth vicioz, që në Shqipëri vazhdon 20 vjet. E populli, nuk do të thosha që gënjehet, por hipnotizohet, duke menduar, se, po u pranuam, do të hamë me lugën e florinjtë, që do të na dhurojnë europianët. Edhe pse e dhënë (statusi), e kemi provuar, që Europa nuk do t’ja dijë fare për ne. Edhe nëse na kanë  marrë (europianët) si punëtorë (emigrantë), na kanë marrë me pagën e skllavit, edhe pse krahu i lirë i punës të shqiptarit është po kaq i aftë sa krahu i tyre i punës, qoftë në nivelin intelektual, por edhe në atë profesional. Aq sa edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë, janë përherë në shkollat, ku mësojnë,  më përpara se fëmijët vendas, në çdo shtet të Europës. Kjo dëshmon për supermacinë e intelektit tonë, por njëkohësisht, edhe për mangësitë e formimit të  shoqërisë civile në Shqipëri. Sepse kjo pasuri intelektuale fare mirë mund të shërbejë edhe këtu, po të kishin një organizim më të mirë administrativ.

–  A ka realitet euforia politike  që propagandohet,  se një status dhe më vonë një anëtarësi në Europë, do të thotë që automatikisht, do të jemi të barabartë me ata, edhe në mirëqenie ekonomike?

–  Marrja e statusit nuk do të thotë që do të hapen vende të reja pune, do të rriten rrogat, do të rriten pensionet, përkundrazi. Mund të ndodhë, që të rriten taksat. Janë kërkesat e Komunitetit Europian, që do të ketë rritje çmimesh në shumë artikuj. Mund të ketë rritje rrogash, por do të jenë më të vogla nga rritja e çmimeve.

– 20 vjet tranzicion. Nuk kemi shembull të dytë. Përse jemi të vonuar në proceset e integrimit?

– Evoluimi social e ekonomik ka çuar në këto stade që kemi arritur, por jo se kjo klasë politike ka kontribuar. Ne nuk kemi një vizion, nuk dimë ku do shkojmë dhe si do shkojmë atje ku dëshirojmë. Në këto 20 vjet, fjala vjen, për bujqësinë, vetëm se u shkatërruan ato që u ndërtuan bë dhjetëra vite. Tashmë, kalojmë nga përmbytja në përmbytje, aq sa u përmbyt edhe Tirana. Politika nuk administroi kthimin e pronave. Është një shembull. Ngrihet një komision gjoja për rikthimin e pronave, është absurde, sepse si ka mundësi që një komision me veteriner dhe infermier, të mblidhet e të vendosë ta na kthejë pronën? Prandaj, ndodhin vrasjet, për një vijë uji. Shteti të kishte venë ligjin. Kthimi i pronës, te pronari. Kthimi i pronës është baza e rimëkëmbjes të çdo shoqërie, si nga ana ekonomike, intelektuale, politike. Kur nuk ke pronën tënde, nuk ke asgjë.

– Keni përshtypjen që ne përpiqemi që të nxjerrim mësimet demokratike?

– Nuk e kam këtë përshtypje. Sepse janë disa parime themelore të humanizmit, që duhet t’i kemi në gjak. Përpara se të jemi demokratë, duhet të jemi njeri, ndërsa përpiqemi e mendojmë sipas interesave vetjake dhe jo për të mirën e përgjithshme. Pikërisht, unë këtu e shikoj mungesën kryesore te individi, te shoqëria civile e te politikanët.

– Kjo klasë politike, a mund të marrë përsipër barrën e integrimit?

– Kjo klasë politike nuk e bën dot. Unë nuk e besoj.

– 100 -vjetori i Pavarësisë, a e ka kristalizuar identitetin tonë Kombëtar?

– Jemi në qerthullin e kërkimit e të kristalizimit të identitetit tonë kombëtar. Por jemi ne, prapë, shkaktarët. Fjala bie. Vjen një grup fashistësh grekë, që të festojnë në Këlcyrë festën e tyre kombëtare, por jemi ne që nuk dimë të mbajmë qëndrim e të ruajmë identitetin tonë kombëtar. Sepse, po të kishim patur edhe ne një shtet të stabilizuar, do t’u takonte  shqiptarëve që të shkonin deri në Athinë, në lagjen Pllakë, e deri në parlamentin grek, e të festonin fitoren e revolucionit grek të 1821-shit, pasi dihet fare mirë, që pa kontributin e shqiptarëve, nuk dihej si do të ishin fatet e atij revolucioni. Aty, ku është parlamenti grek, e ka varrin Çelo Picari. Dihet fare mirë që gjysma e deputetëve të Parlamentit të parë të Greqisë, ishin shqiptarë, e në atë Parlament fliteshin dy gjuhë, greqishtja e shqipja.

– Në këtë 100 -vjetor, a janë vlerësuar figurat patriotike që luajtën rolin patriotik në arritjen e Pavarësisë?

– Figura qendrore e këtij 100- vjetori është Ismail Bej Vlora, i cili me të drejtë meriton të jetë Babai i Kombit. Mund të ketë kundërshtime, polemika. Dikush mund të thotë se Babai i Kombit të jetë Skënderbeu. Ndryshimi është, e para, Ismail Qemali jetoi në kohë moderne, dhe, e dyta, Ismail Qemali diti të bëjë për vete diplomacinë europiane në favor të Shqipërisë. Ndërkohë, që Papët e Romës e princët e tjerë të Europës, Skëndërbeun e lanë në baltë, si nga ana financiare, ashtu edhe ushtarakisht. Sa për të thënë, nëse janë vlerësuar figurat patriotike, unë kam bindjen, se tepër pjesërisht dhe tepër pak.  Unë mendoj se një përmendore e madhe do t’i takonte edhe Abdyl Frashërit, kollozit të Lidhjes të Prizrenit, Ali Pashë Gucisë, ca më tepër, Gjolekës, Hodo Aliut, Dede Gjo Lulit, etj., sepse këta ishin pararendësit e Rilindjes Shqiptare.

– Ia vlen, që në 100- vjetorin e Pavarësisë, rehabilitimi i Ahmet Zogut, të luajë rolin kryesor?

– Qëndror, jo, por sigurisht, ne duhet të jemi dialektikë në vlerësimin e figurave. Të vlerësojmë të mirat dhe negativet. Është e vërtetë që Zogu krijoi një farë shteti e njëfarë stabilizimi. Por lind pyetja: – Si e administroi ai këtë shtet? Është e vërtetë se edhe Enver Hoxha krijoi një shtet, por rëndësi ka rezultati, përfundimi. Përfundimin e Zogut e dinë të gjithë dhe nuk ka asnjë diskutim që Zogu e shiti Shqipërinë te Italia fashiste, përveçse grabitjes që i bëri arkës së shtetit. Kur të hapen arkivat e mbretit Emanuel III, do të dalë së ka nuk ka kërkuar ky mbret të blejë Shqipërinë, por Ahmet Zogu i ka kërkuar që t’i shesë Shqipërinë. Përsa i përket përmendores së Zogut, këtu ka një kontradiktë të hapur.  Mos ndoshta, duhet t’u ngremë përmendore edhe bashkëpunëtorëve të tij, si Esat Toptani, Hamit Matjani, e Abas Kupi? Sepse, krahas monumentit të Zogut, do të lartësohet edhe Luigj Gurakuqi e Hasan Prishtina, të cilët dihet mirë që i ka vrarë Ahmet Zogu. Edhe më naivët, i takon të bëjnë një pyetje të thjeshtë: – Cilit i takon të qëndrojë në këmbë nga këto përmendore? Vrasësi? Apo të vrarët nga vrasësi?

–  Ideja e festimit të 100 -vjetorit të Pavarësisë, më 27 nëntor në Vlorë e 28 nëntor në Tiranë, ju duket një normalitet?

– Është një marrëzi dhe nuk e besoj se shqiptarët do ta kapërdijnë këtë.

– Faleminderit!