Islam Spahiu/ Tranzicioni si tragjikomedi

646
Sigal

 (Kur do të bjerë më në fund sipari?)

Filozofi i madh Hegel ka thënë që, të gjitha ngjarjet dhe personalitetet e mëdha të historisë botërore shfaqen, si të thuash, dy herë. Ndërsa Karl Marksi, dikur dishepull i tij i flaktë, e korrigjon kur shkruan: “Ai (Hegeli)- ka harruar të shtojë që kjo përsëritje në histori, së pari shfaqet si tragjedi dhe së dyti si komedi”. Po ta shohim në këtë prizëm historinë e vendit tonë, do të arrijmë në përfundimin që kjo dukuri këtu është shfaqur fare qartë: Ne kaluam kalvarin 50-vjeçar të diktaturës më të egër të Europës Lindore komuniste; kjo qe një tragjedi. Tani ne po përjetojmë gjithashtu pjellën e saj, neokomunizmin e ashtuquajtur “tranzicion” të përcaktuar nga Katovica, i cili rezulton komedi. Veç, në këtë rast, duhet të ruhemi nga një lajthitje; prandaj le t’i referohemi edhe një herë Marksit. Është fjala për veprën e tij “18 Brymeri i Lui Bonapartit”. Në parathënien e këtij libri, autori kritikon Viktor Hygon, i cili në të njëjtën kohë me të kish publikuar veprën e njohur “Napoleoni i vogël”, kushtuar së njëjtës çështje. “Hygoi, – thotë Marksi,-shikon te Napoleoni i III vetëm forcën e veprimit të një njeriu. Ai nuk e kupton që atë njeri ai e rrit në vend që ta zvogëlojë, kur i jep atij një fuqi të iniciativës personale që nuk ka shembull në historinë e botës”. Mirëpo ne këtu nuk do të biem në këtë gabim. Sepse e dimë mirë që në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një kalibër të tille si Lui Bonaparti, por me një mediokër që e nxori në pah mekanizmi i një anarkie të lindur nga diktatura. E në qoftë se Marksi, duke korrigjuar Hegelin, nxori në shesh dy aspekte të përsëritjes së historisë, edhe ne do të donim të bëjmë një korrektim në kushtet e zhvillimeve në vendin tonë. Këtu të dyja “përsëritjet”( tragjedia me komedinë) janë “kryqëzuar” duke nxjerrë  hibridin “tragjikomedi”. (term i njohur tashmë). Kështu, gjendja që ka karakterizuar etapën “postkomuniste” ka qenë e mbushur me ngjarje të përgjakshme të bashkuara me ndodhi qesharake e të neveritshme. Në krye të kësaj tragjikomedie u vu artificialisht, si dhemb i vënë, një paranojak i papërgjegjshëm, i cili “noton” në këtë vorbull pa e ditur, ku e çon vala, duke bërë “garë me veten” siç ka deklaruar me krenari. Për t’u kuptuar më mirë, le të marrim vetëm ca shembuj, (sepse kronika e plotë do të ishte shumë e gjatë). Protagonisti i çështjes që kemi marrë në shqyrtim, posa erdhi në fuqi filloi farsën me sloganin “Demokraci” duke profanuar përshëndetjen e famshme të Çerçillit me dy gishtat e shenjës së fitores, të nxjerrë nga grushti bolshevik me të cilin pat përshëndetur për disa dekada kur qe anëtar i PPSh-së e pak kohë më vonë sekretar byroje i ndërmarrjes, ku punonte. Pas përmbysjes, kur “plasi peshku” si me i privilegjuari, rrëmbeu peshkun më të madh e, përnjëherësh, me triskën e partisë në xhep, na u bë kryetar shteti. Pastaj, pa e vrarë mendjen fare, zbatoi moton anarkike “çdo gjë lejohet” duke mbjell kaosin total, ku është i zhytur sot e asaj dite ky vend i mjerë. Është e lehtë të sundosh në një “çorganizim të organizuar”. Edhe ato pak vlera të së shkuarës që ishin krijuar me djersën dhe gjakun e një populli të vuajtur, u zhdukën. Uzinat, fabrikat, ndërmarrjet e ndryshme, ku hante buke populli i varfër, u mbyllën; njerëzit mbetën në rrugë pa punë. Nevoja e bukës shkaktoi dyndjet jashtë shtetit që habitën botën e tërë. Lejoi malësorët e paditur që të vinin në kryeqytet, të “zaptonin” tokat e vendasve, të ndërtonin banesat pa asnjë kriter urban, pa ujë e kanalizime duke rrezikuar përhapjen e ndonjë kolere afrikane. E kjo vetëm për të siguruar votat me vjedhjen e të cilave ka ndenjur në kolltuk në pjesën më të madhe të këtij tranzicioni të mallkuar. Duke qenë mjek, shkatërroi spitalet; atje më shumë vdesin sesa shërohen njerëzit. E kështu kemi një kronikë të tragjikomedisë “demokratike”. Së pari, shkeli të drejtën e pronës, e cila është sanksionuar me ligj nga të gjitha vendet e botës, me përjashtim të sistemit komunist; e njohur dhe e mbrojtur nga të gjitha fetë apo besimet në mbarë njerëzimin; e kjo më keq se në kohë të diktaturës. Atëherë prona private nuk ekzistonte fare, por çuditërisht dokumentet ishin ruajtur nëpër hipotekat me rigorozitetin më të madh. Kurse “rrumpalla” demokratike, së pari zhduku dokumentacionet e pastaj filloi matrapazllëkun duke ia marrë pronën njërit e duke ia dhënë tjetrit. Kjo solli pastaj vëllavrasjen e atëvrasjen, të cilat tashme janë të rëndomta. Tani, ndërsa po bëj këtë shkrim, lajmet e televizorit bëjnë të ditur se një punonjës policie nga Lushnja, ka ardhur në Laknas, ka vrarë vëllanë e tij dhe plagosur nipin për “çështje pronësie”. Duke vazhduar notin në ujë të turbullt, e lë vendin në mëshirë të fatit. E vetmja gjë që e preokupon është si e si të shpifë dhe të shajë “armikun e partisë”; për këtë nuk përton. Tragjikomedia shfaq skenat e aktet e saj: Në një kohë kur krimi bën kërdinë (tragjike), u jepen azil politik duzina muxhahedinëve, të njohur si shembulli më i përkryer i kriminalitetit botëror (komike). Vendi është përmbytur në të katër anët nga plehrat (tragjike), shteti lidh kontratë me shtetet e tjera për importimin e mbetjeve (komike). Shpërthen kërpudha atomike e Gërdecit, ku lanë jetën gjithë ato viktima (tragjike), shkaktari që mbante postin e kryetarit të shtetit, deklaron pa u skuqur fare që as nuk e dinte emrin e fshatit, ku ndodhi katastrofa, as nuk e kish takuar baxhanakun e tij që ra viktimë edhe aty(komike). Shiten ujërat territorial të Atdheut, sikur të ishin pronë e tij personale (tradhti e lartë, pra tragjike), ndërsa këtë absurditet e hedh poshtë Gjykata Kushtetuese (komike). Me urdhër të kryeministrit vriten 4 protestues më 21 janar, duke veshur në të zeza 4 familje shqiptare (tragjike), pastaj,megjithëse ia hedh fajin kundërshtarit, i shpërblen vrasësit me nga një rrogë plus dhe i quan “heronj” (komike). E kështu tragjikomedia vazhdon edhe pasi ka rënë nga fiku; bën mbledhjen e kabinetit fantazmë, të korruptuar gjer në palcë, për të organizuar planin e tokës së djegur që përpiqet të lerë pas, siç bënin pushtuesit e lashtë barbare kur humbnin luftën. Pikërisht tani që po detyrohet të marrë valixhet, shtrin kthetrat mbi SHQUP-in, pasurinë kombëtare, pa marrë parasysh as ligjin dhe pa brejtje ndërgjegje; (tragjedi dhe kjo) pastaj mundohet të verbojë opinionin publik me arsyetime qesharake, sikur e paska hëngër shumë meraku se aty bëheshin dreka e darka dasmash etj.. (komike).

Për të gjitha këto mëkate e shumë të tjera si këto, në një shtet të rregullt, protagonisti i anarkisë aktuale, duhesh të kish dalë me kohë para drejtësisë, jo vetëm për gabime, gafa të panumërta, por edhe për tradhti të lartë, faj që nuk e ka falur asnjë rend shoqëror në botë. Mos të harrojmë, mendimtari i madh francez Marsel Prust ka thënë: “Burrat e shtetit janë si kirurgët; gabimet e tyre janë vdekjeprurëse”. Megjithatë, mungon skrupulli; Nuk është vështirë të dalësh në ekranin e televizorit dhe, pa u skuqur aspak, të shash “armiqtë e partisë” si dikur idhulli i tij, dhe përdor ironinë gjasme ndaj qeverisë së re që, kur të shkojnë për t’u mbledhur në Vlorë, mos të harrojnë rrobat e banjës; pastaj qesh me zor. – “O turp ku e ke skuqjen !”—pat thërritur Hamleti. Gjithsesi, edhe pse kemi parë e dëgjuar për sa u tha më lart, ne nuk do heqim dorë nga shpresa, sepse “nuk ka natë që të mos gdhijë, sado të jetë e gjatë” (Shekspir). Por, para se të na humbë durimi, do të pyesim: Kur do të bjerë më në fund sipari i kësaj tragjikomedie?