Islam Spahiu/ Gabove rëndë Edi Rama!

579
Sigal

Po bëj një imitim të një letre historike të titulluar: “Gabove, Hile!”. Qe letra që Patër Gjergj Fishta i pat drejtuar ministrit të arsimit Hile Mosi i cili aty nga fundi i viteve ’20 dha urdhër për laicizimin e shkollave fetare në Shkodër. Fishta në emër të klerit katolik protestoi duke e kritikuar botërisht mikun e tij për atë që ai e quajti “sakrilegj”. Edhe ne këtu duam t’i përgjigjemi një dukurie analoge në ngjarjet politike të kohëve të fundit.

Tashmë e dimë të gjithë që çështja e ish të përndjekurve politikë është një plagë kombëtare e pambyllur prej 23 vitesh “tranzicioni”. Të mbijetuarit  e burgjeve komuniste që, natyrisht me kalimin e kohës po pakësohen, nuk kanë reshtur së kërkuari të drejtat e mohuara, por gjer më sot nuk e kanë arritur qëllimin. Këto përpjekje kanë shkuar duke u ashpërsuar gjer në dëshpërim: Grevat e urisë u bënë gati si rit, të cilin pushtetarët e ardhur nga klika e diktaturës, e shihnin me  indiferencë,  e të vetmin interesim që patën, ishte intriga dhe përçarja ndaj kësaj shtrese të shumëvuajtur. Ata sajuan disa “shoqata” duke i mbiquajtur me emrin e partisë së tyre e cila nuk ka asnjë lidhje me idealet për të cilat janë dënuar ata. Mjerisht ish të përndjekurit, edhe pse bashkëvuajtës, janë përçarë, madje kundër njëri-tjetrit. Për këtë qëllim është përdorur llumi i burgjeve, elementi ordiner i cili përbënte një përqindje të konsiderueshme. Sidoqoftë, elementi i shëndoshë nuk është dorëzuar; përkundrazi, i është përgjigjur krizës me forcën më të madhe: Greva e urisë e kohëve të fundit, pak para zgjedhjeve të 23 qershorit, e sfidoi cinizmin e pushtetit me sakrificën sublime të vetëflijimit. E, situatat pa rrugëdalje nxjerrin heronj. Kështu, Lirak Bejko i vuri flakën vetes si Jan Palahu i Çekosllovakisë, duke u shndërruar kështu në një pishtar të pashuar. Po kështu edhe Gjergj Ndreca. I pari nuk rron më, ndërsa i dyti mbeti i gjymtuar. Megjithatë, çështja jonë vazhdon të mbetet e pazgjidhur e, sigurisht, qëndresa do të vazhdojë gjer në fund.

 Z.Kryeministër!

Ju e udhëhoqët fushatën tuaj elektorale me shumë parulla që, disa e quajtën “brilante” nga optimistët, kurse të tjerat u quajtën “bombastike” nga skeptikët. E keqja është se, në shumicën e rasteve skeptikët kanë të drejtë ndërsa optimistët mbeten të zhgënjyer. Kjo po shihet që në ditët e para të karrierës suaj pushtetare. E ja se pse:

Besoj, e dini fare mirë që, një nga faktorët e fitores suaj me 23 qershor, ishte greva martire e urisë së një detashmenti burrash të cilët u rreshtuan të vendosur gjer në vdekje. Ajo e tronditi gjer në themel regjimin e kaluar. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie me ju- kështu e quajti propaganda politike-, veçse pozicioni ynë qe një koincidence nga e cila ju përfituat.

Ju e mbani mend fare mirë flijimin e heronjve tanë. Ju erdhët për homazhe te arkivoli i Lirak Bejkos, jo si politikan, por si individ. Aty patëm rastin t’i shtrëngojmë dorën njeri-tjetrit dhe unë, si njëri nga miqtë dhe bashkëvuajtësit e të ndjerit, krahas familjarëve të tij, pritëm ngushëllimet e rastit:  Unë, i emocionuar, ju kam thënë sinqerisht: “Paçi faqen e bardhë dhe të faleminderit!”

Kaloi njëfarë kohe, pasi fituat zgjedhjet. Pak si me vonesë i morët frenat e shtetit në dorë, pasi trashëguat një tokë të djegur nga paraardhësi. Pastaj menjëherë filluat të hidhni poshtë disa vendime të qeverisë së mëparshme si p.sh. ndalimin e importit të mbetjeve  nga jashtë. Për neve të përndjekurit, në programin tuaj qeverisës patët publikuar një paragraf të gjatë me premtimin për shpërblimin  monetar. Keni shpallur me zë të lartë shumë premtime të tjera por këto çuditërisht kaq shpejt po duken të harruara. Pas fitores nuk ju kemi dëgjuar të përmendni zotimet për të përndjekurit. Unë tashmë, i zhgënjyer jashtë mase, jam i detyruar t’u kërkoj ndjesë  skeptikëve  të cilët më kanë përqeshur për optimizmin  tim që tani po rezulton qesharak. Po s’është vetëm kjo. Fyerja më e madhe që i keni  bërë shtresës sonë është emërimi i një bashibozuku në krye të institutit. Ai që ish deri tani, Simon Miraka, ndoshta duhej zëvendësuar, gjoja për më mirë; por këtu po del e kundërta. Simoni ndoshta nuk qe i përsosur, sepse fundja nuk ka të tillë, por ai nuk është përfolur për mungesë të dinjitetit personal. Personi me të cilin e keni zëvendësuar është pa karakter së pari. Ai siç ka vjedhur  kooperativën në fshatin e tij po ashtu ka vjedhur edhe krijimtarinë letrare të bashkëvuajtësve, pa e vrarë aspak ndërgjegja. Emërimin  e këtij personi ju e keni bërë pa e menduar, vetëm gjatë një allishverishi me Bamir Topin i cili mbahet “gjoja” si i djathtë. Ai pat deklaruar botërisht  që nuk mund të bënte kurrë kompromis me PD-në dhe as PS, kurse tani, për çudi, kushedi se si, “mbiu në Korçë” dhe mbështeti maxhorancën në zgjedhjet lokale tashmë të kompromentuara turpësisht.

Shkeljet që i bëtë premtimeve që në muajt e parë, na detyrojnë që ndaj jush të drejtojmë qëndrimin tonë më të vendosur; me veprimet e kohëve të fundit ju po vërtetoni që nuk keni privilegj moral ndaj paraardhësit. Me këtë rast po ju kujtoj  episodin e famshëm të Bethovenit kur shkroi simfoninë “heroike” kushtuar Bonapartit si “një kryetrim liberator, por kish prap të drejtë  edhe kur prishi këtë kushtim nga dorëshkrimi i tij, pasi Napoleoni u bë diktator dhe shtypës i lirive”. Kështu e pat shkruar  Noli ynë i madh. Analogjitë janë shumë kuptimplotë. Edhe ne, ish të përndjekurit e tradhtuar, do të bëjmë si Bethoveni i madh: do t’i hedhim poshtë gjithë lëvdatat për ju dhe do të ndërmarrim një angazhim kundër jush me të fortë se ndaj rivalit tuaj; ju nuk e merituat kontributin tonë  në fitoren e 23 qershorit.

Keni gabuar rëndë z.Kryeministër, dhe në se do të vazhdoni në këtë rrugë, ish të përndjekurit e vërtetë politikë, do të jenë të vendosur kundër jush. Dhe, për të përfunduar dëgjojeni një paralajmërim prej orakulli: Jeni i humbur.