Ishulli i Sazanit dhe sorollatja jonë për turizmin

660
Vladimir Bizhga 

Në zbarkimin e ushtrisë mbretërore Italiane, në vitin 1914, nga informacionet e kohës, mora vesh rëndësinë që i jepnin Italianët Sazanit, këtij ‘kryqëzori’ ne Otranto, siç e quante Enver Hoxha. Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë Mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Traktatit të Varshavës… Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë, të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Duke qënë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të pa prekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pa shfrytëzuara. Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore. Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksploratorë amatorë të nënujit, spelologë, admirues të natyrës, por së shpejti ai do jetë një objeksion për turizmin e lirë. Sazani mbetet një mundësi e vonuar për turizmin shqiptar.


Sigal