Ishujt e Ksamilit mbushen me rërë për plazhe të reja, Tare: E pa lejueshme

751
Vija bregdetare e Ksamilit ka veçantinë se nuk është e mbushur me ndërtime apo lokale si pjesa tjetër e vijës bregdetare të vendit.
Mirëpo, një gjë e tillë ka nisur të dëmtohet nga disa biznese që kërkojnë të përfitojnë hapësira më të mëdha plazhimi, duke hedhur materiale e sasi rëre në det. Përveçse dëmtojnë faunën dhe florën përreth ndërhyrje të tilla dëmtojnë edhe vijën bregdetare shkëmbore të virgjër.
Kontrolli i territorit në Ksamil nuk funksionon pasi siç shihet edhe nga pamjet në mes të ditës punëtorë derdhin mbetje inerte në det duke krijuar hapësirë për plazh. Sipas ligjit kontrolli i vijës bregdetare është detyrë e IKMT.
Shqetësimin për fenomenin e ngre edhe drejtori i Agjencisë së Bregdetit Auron Tare, i cili thotë se ishujt e Ksamilit po shfrytëzohen për biznes e kjo është e palejueshme.
‘Ishujt e Ksamilit që janë uzurpuar nga një subjekt, të cilin mendoj që edhe policia edhe bashkia e njeh kush është. Nuk merr asnjë lloj mase për ta larguar këtë subjekt. Ishulli i Ksamilit është pronë publike. Qytetarët nuk duhet të paguajnë asgjë për të shkuar në plazh.’-tha Tare.
Ishujt e Ksamilit mbrohen sipas 3 kategorive pasi përfshihen në territorin e parkut kombëtar të Butrintit, janë monument natyre e ndërkohë janë zonë e mbrojtur edhe me vendim të Këshillit të Ministrave.
‘Të gjitha këto janë konstatuar nga ana jonë. Nga ana e Bashkisë nuk ka ndonjë reagim. Fundi i fundit është territor i bashkisë‘-shtoi ai.
Sigal