Ish-ushtarakët në Berat: Enver Hoxhës iu mohuan meritat që dha për këtë 100-vjetor

602
Sigal

Flet për “Telegraf”, kryetari i Shoqatës së ish-Ushtarakëve, Vladimir Mema: “U mbivlerësuan figurat që s’e meritonin”

Shoqata e ish-Ushtarakëve,dega Berat ashtu si mbarë populli shqiptar festoi me madhështi ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe 29 Nëntorin Ditën e Çlirimit të vendit nga nazistët gjerman dhe ballistët si bashkëpunëtor të gjermanëve. Kryetari i Shoqatës së ish-Ushtarakëve në Qarkun e Beratit, Vladimir Mema shprehet për “Telegraf” se, ish- ushtarakët përulen me respekt dhe mirënjohje të thellë para partizanëve, veteranëve e dëshmorëve të atdheut që dhanë jetën për Shqipërinë e lirë. “Gjaku dhe vepra monumentale e dëshmorëve do të përkujtohet e nderohet brez pas brezi sado që të përpiqen njerëzit e djeshëm e të sotmit për të minimizuar luftën Nacionale – Çlirimtare të popullit shqiptar. Lufta ishte epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar për Pavarësinë e vendit. Deklaratat e turpshme të pinjollëve që u bënë bashkëpunëtorë me nazistët sot po përpiqen ta errësojnë datën 29 Nëntor, por do të përfundojnë me turp, siç përfunduan në vitin 1944 ashtu edhe sot në kohën e demokracisë”, tha Mema.

Kërkesa

Më tej kreu i Shoqatës së ish-Ushtarakëve u shpreh: “Historinë e popullit e bëjnë luftëtarët, e bëjnë patriotët, historinë, dëshmorët që me gjakun e tyre të kuq shkruan historinë e këtij vendi. Luftën e bënë partizanët të drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë që me trimëri arritën në vitin 1943, ku u bë një ushtri e rregullt dhe luftoi me trimëri të madhe kundër fashistëve nazistë gjermanë dhe ballistëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë një datë për të kujtuar luftën”, tha Mema, ku ndër të tjera shton, “ne festuam 100-vjetorin e Pavarësisë, një festë madhështore që e meriton populli shqiptarë. U rivlerësuan figura të shquara të 100-vjetorit të Pavarësisë, u bë dhe rehabilitimi i mbretit Zog, por për mendimin tonë ai u mbivlerësua pa e merituar. Ai më 7 prill 1939 e la shtetin, ushtrinë pa komandant dhe popullin në dorë të fashistëve italian. Lufta Nacional Çlirimtare filloi si një luftë popullore e popullit pushtues. Ajo nisi me njësite guerilje me çeta partizane me brigada dhe me një Shtab të Përgjithshëm që u udhëhoq drejtpërdrejt nga Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, i cili ka merita të mëdha si në drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm ashtu dhe në luftën Nacionale Çlirimtare. Ai ka merita dhe në ndërtimin e vendit, në këtë 100-vjetorë ashtu siç u vlerësua Ahmet Zogu që iku ditën e pushtimit fashistë është e udhës dhe e domosdoshme historikisht që edhe periudha më e lavdishme e popullit tonë në këtë 100-vjetor siç është lufta Nacional-Çlirimtare e udhëhequr nga Enver Hoxha të marr meritat që i takojnë. Është turp dhe denigruese për luftëtarët që të mos vlerësohet komandanti i tyre, i cili ka një kontribut shumë më të madh se mbreti Ahmet Zog, i cili shiti trojet shqiptare, vodhi floririn, tradhtoi vendin dhe shqiptarët. Ne kërkojmë që figura e Enver Hoxhës të vlerësohet për meritat që ai ka dhënë gjatë luftës si dhe në ndërtimin e vendit”, tha Mema.