Ish- të përndjekurit e diktaturës/ Pas arrestimit të studentes dhe të riut, flasin Cakrani,Çika, Islami dhee Kripa: Rama rikthen ligjin e agjitacionit

871
Sigal

Forumi tek gazeta “Telegraf”/ Flasin: Av. Kujtim Cakrani, Nebil Çika, Reshat Kripa: Rama ka rikthyer ligjin e agjitacionit

E drejtë kushtetuese është të protestosh edhe ndaj ambasadorëve që bëhen palë me qeverinë e korruptuar

Jakup B. GJOÇA

Gazeta “Telegraf” në forumin me temë, nëse është kryer vepër penale, duke shkruar në murin e shtëpisë së ambasadorit të OSBE-së, iu drejtua penalistëve Cakrani dhe Islami, si edhe përfaqësuesve të të përndjekurve politikë, Kripa dhe Çika. Penalistët Cakrani dhe Islami shpjegojnë se në Kodin Penal nuk ka vepër penale kur shkruan parulla politike edhe në murin e shtëpisë së ambasadorëve, ndërsa përfaqësuesit e ish të përndjekurve politikë Çika dhe Kripa pohojnë se Rama ka rikthyer Ligjin 55 të agjitacionit dhe propagandës.

Av. Kujtim Cakrani: Shqiptarët presin nga ambasadori i OSBE-së të kritikojë institucionet shqiptare qe shkelin çdo ditë të drejtat e njeriut

A është vepër penale të shkruash në murin e shtëpisë të një ambasadori një fjali me përmbajtje politike?

Në kodin penal të Republikës së Shqipërisë, në kreun VI të tij, për personat e mbrojtur ndërkombëtarisht, neni 226 ka parashikuar se: Kryerja e veprave të dhunshme ndaj personave të mbrojtur ndërkombëtarisht, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. Pra nuk jemi përpara veprave të dhunshme pasi të rinjtë nuk kanë përdorur fjalor kërcënues dhe as kanë kryer veprime të dhunshme në kuptimin fizik. Vajza që është ndaluar nga policia me pretendimin se ka kërcënuar ambasadorin nuk ka asnjë bazë, pasi ajo vetëm ka shkruar një parullë apo një slogan, që në fakt nuk ka as përmbajtje kërcënuese, as përmbajtje fyese, nga ata që parashikon kodi penal. Por edhe sikur ta marrim këtë parullë si fyerje përsëri është një veprim që në kodin tonë penal deri në vitin 2012 përfshihesh tek neni 227 “Fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja është” (Shfuqizuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012).Pra ndalimi i vajzës së re që ka shkruar parullën nuk ka bazë ligjore për ta arrestuar, gjithashtu edhe të rinjtë e tjerë që kanë hedhur slogane “Turp për ju”.

A është kërcënim ndaj jetës së një ambasadori parulla me përmbajtje politike, sikurse e cilësoi kryeministri dhe disa ambasada?

Parulla e shkruar në murin e shtëpisë së ambasadorit “Turp për ju” nuk ka përmbajtje kërcënuese, madje as fyese dhe, aq më shumë, t’i rrezikohej jeta diplomatit të huaj. Dikush duhet t’i thotë kryeministrit se, shprehjet e tilla “Turp për ju” nuk ka asnjë nuancë kërcënimi dhe aq më shumë të hyjë tek veprat penale të dënueshme. Thjesht vajza e re kishte një pakënaqësi politike ndaj diplomatit dhe gjeti një mënyrë shumë origjinale, ashtu siç bën e gjithë rinia e botës së qytetëruar, duke protestuar, si verbalisht ashtu edhe me anë të parullave në mure. Pra, në asnjë mënyrë këto veprime nuk janë kërcënim për ambasadorin e OSBE.

A na kthen tek Ligji 55 i agjitacionit ndalimi nga policia pas disa ditësh i autores së shkrimit të parullës në murin e shtëpisë së Ambasadorit?

Shqiptarët i kanë të freskëta çfarë ndodhte në këtë vend para 30 vitesh, kur qytetarët arrestoheshin dhe dënoheshin me anë të ligjit famëkeq 55 që ishte agjitacion dhe propaganda. Sjellja e policisë që ndaloi vajzën protestuese, sepse shkroi një parullë apo mori pjesë në një tubim poshtë banesës së një zyrtari të huaj, na kthen pas në kohë. Vetë ambasadori i OSBE-së që, në fakt, ka ardhur në Shqipëri për të mbrojtur shkeljen e parimeve demokratike, siç është edhe e drejta e protestës dhe fjalës së lirë nuk duhet ta pranonte këtë qasje të autoriteteve shqiptare. Dikush duhet t’i shpjegojë ambasadorit të OSBE-së që shqiptarët kanë vuajtur nga mungesa e protestës dhe fjalës së lirë, dhe të ktheheshim pas në kohë do të ishte fundi i pak atyre të drejtave që gëzojmë si popull. Ambasadori i OSBE-së e di mirë që parullat dhe tubimet janë të shenjta në vendin e tij, dhe askush nuk guxon t’i ndalojë qytetarët në të drejtën e tyre. Shqiptarët presin nga ambasadori të kritikojë institucionet shqiptare qe shkelin çdo ditë të drejtat e njeriut, përfshi edhe të drejtën për të protestuar.

Ju si mendoni, a do të sillej në Gjermani policia kështu ndaj autores dhe a do të cilësohej nga kancelarja “kërcënim ndaj jetës” parulla politike? A u jep mësim demokracie shqiptarëve Ambasadori i OSBE duke pranuar të ndalohet nga policia autorja e parullës?

Kemi parë në shumë vende të botës që qytetarët kanë protestuar kundër personaliteteve e udhëheqësve botërorë, edhe me mjete e mënyra më të ashpra sesa shkrimi i një parulle në murin e shtëpisë së ambasadorit, por në asnjë rast nuk kemi parë dhe dëgjuar që policia të guxojë të ndalojë në mes të natës qytetarë, duke i shoqëruar ata nëpër komisariate policie. Nëse kjo do të ndodhte në Gjermani, ndoshta nuk do të ishte fare lajm, madje kancelarja gjermane nuk do të merrte vesh fare dhe nuk do të ishte e interesuar, dhe jo më të përdorte fjalë si “kërcënim për jetën” ashtu si kryeministri ynë. Në botën demokratike, fjala e lirë, vlerave demokratike, parullat apo tubimet janë pjesë integrale e demokracisë dhe njerëzit i shprehin opinionet apo bindjet e tyre të kundërta ndaj çdo politikani, qoftë ky ambasador apo president. Ambasadori OSBE si një politikan karriere, nuk duhet të kishte lejuar autoritetet shqiptare të kishin vepruar si banditë në mes të natës dhe të ndalonin një vajzë studente, e cila nuk kishte bërë asnjë krim apo shkelje! Misioni diplomatik i ambasadorit të OSBE-së është të nxitë demokracinë dhe të rinjtë të protestojnë për të drejtat e tyre, për çdo gjë që ata e shikojnë të padrejtë. Pra, kjo që ajo vajzë e re ka bërë është një shenjë lirie dhe emancipimi demokratik nga i cili duhet të mësojnë të gjithë.

Nebil Çika: Diktatura është instaluar në Shqipëri, derisa arrestohen protestuesit që u shkruajnë ambasadorëve të shitur: “T’ju vijë turp!”

 

A është vepër penale të shkruash në murin e shtëpisë të një ambasadori një fjali me përmbajtje politike?

Në Kodin Penal nuk përcaktohet që ky veprim të jetë vepër penale. Përkundrazi, e drejta e fjalës është e garantuar me ligj dhe Kushtetutë. Në rastin konkret të ndalimit të protestueses Policia ka shkelur ligjin duke dhunuar hapur një të drejtë themelore te njeriut, të drejtën e fjalës, por kjo nuk po ndodh për herë të parë. Kemi sot në burgje me dhjetëra të arrestuar vetëm se kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Qartësisht, vepër penal kanë konsumuar ata që ndalojnë njerëzit që protestojnë, jo ata që protestojnë kundër padrejtësisë .

A është kërcënim ndaj jetës së një ambasadori parulla me përmbajtje politike, sikurse e cilësoi kryeministri dhe disa ambasada?

Kjo është qesharake dhe absurde njëkohësisht. E para “t’ju vijë turp”, ishte një reagim ndaj një deklarate të turpshme të një ambasadori ndaj vetë demokracisë në Shqipëri. Ambasadori i OSBE-së publikisht ofendoi pjesëmarrësit në protestë, duke i cilësuar ata-dhunues. Zoti Borchardt, pse nuk reagoi kundër dhunës së policisë, kundër përdorimit pa kriter të gazit helmues të policisë kundër njerëzve? Pyes zotin Borchardt: Çfarë kërcënimi mund të të sjellë fraza: “t’ju vijë turp” e shkruar në mur? Është molotov? Është plumb? Nëse ju ato fjalë i konsideroni “plumb” e “molotov”, atëhere keni të drejtë të ndiheni i kërcënuar nga liria e fjalës, nga demokracia…

A na kthen tek Ligji 55 i agjitacionit ndalimi nga policia pas disa ditësh i autores së shkrimit të parullës në murin e shtëpisë së Ambasadorit?

Neni 55 i kodit penal te diktaturës komuniste ka kohë që vepron edhe tani në mënyre antikushtetuese. Por rasti konkret është flagrant dhe prova më e qartë edhe për më optimistët, se diktatura komuniste po rivendoset. Po të kthesh kokën mbrapa e të shohësh dënimet më të ashpra për agjitacion e propagandë janë dhënë për cenimin e miqve ndërkombëtarë të diktaturës komuniste shqiptare. Janë me qindra njerëz të pushkatuar e të dënuar, midis tyre edhe fëmijë, se thanë ndonjë fjalë apo shkruan ndonjë parullë kundër Titos, Stalinit, Hurshovit, Maos apo edhe Fidel Kastros. Si në kohën e diktaturës “armiqtë e jashtëm” ka të drejtë t’i shpallë vetëm partia e qeveria, populli nuk mund të thotë asnjë fjalë për miqtë e qeverisë. Ky kryeministër, që urdhëroi arrestimin e protestueses për “agjitacion e propagandë” ndaj një ambasadori të OSBE pak kohë më parë ofendoi publikisht pa asnjë arsye, presidentin aktual të aleatit më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Donald Trump që e quajti në rrjetet televizive botërore-Turpi i njerizimit, duke rrezikuar e kërcënuar rendë interesat tona kombëtare dhe vazhdon të jetë ende kryeministër. Si në kohën e diktaturës, vetëm lideri suprem ka të drejtë të përcaktojë e komentojë “armiqtë” . Populli jo, ai shkon në burg. Këto dy standarde të zbatuara në Shqipëri, të pabarazisë para ligjit janë provë tjetër e instalimit të diktaturës.

Ju si mendoni a do të sillej në Gjermani policia kështu ndaj autores dhe a do të cilësohej nga kancelarja “kërcënim ndaj jetës” parulla politike? A u jep mësim demokracie shqiptarëve Ambasadori i OSBE duke pranuar të ndalohet nga policia autorja e parullës?

Sigurisht që as nuk do të guxonte t’i përmendte edhe emrin e jo më ta ndalonte e arrestonte. Jo në protesta, por edhe ne shtypin e tyre ka përcaktime më të renda për politikanët se sa fjalët “t’iu vije turp”. Pardje “Bild” revista më e madhe gjermane e cilësonte kryeministrin dhe qeverinë si “Gangsterë”. Kush është më e rëndë: “T’ju vijë turp, apo gangsterë”?. Kush është më “kërcenim”? Dini gjë ju që policia gjermane të ketë ndaluar gazetarët e “Bild” për kërcënim ndaj Ramës? Zoti Borchardt mund të jetë një shembull për shqiptarët. E mbani mend para zgjedhjeve të 2017-s, kur e cilësoi Shqipërinë plantacion droge me të cilën do të bliheshin votat dhe dy ditë më vonë e mohoi, duke lëpirë atë që kishte pështyrë. Mendoj, se qëndrimi i tij komprometon perceptimin shqiptar për standardet e përfaqësimit diplomatik të OSBE-së dhe Gjermanisë .

Reshat Kripa, ish-i dënuar politik për agjitacion e propagandë: Regjimi i Ramës na kthen në 1951-shin

A është vepër penale të shkruash në murin e shtëpisë së një ambasadori një fjali me përmbajtje politike?

Absolutisht jo! Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, nuk ka asnjë nen që e konsideron krim një veprim të tillë. Nëse ka ndonjë jurist që kundërshton këtë, i lutem të ma thotë!

A është kërcënim ndaj jetës të një ambasadori parulla me përmbajtje politike, sikurse e cilësoi kryeministri dhe disa ambasada?

Nuk mund të jetë kurrsesi kërcënim për jetën e një ambasadori një parullë e shkruar nga një vajzë në murin e shtëpisë së njërit prej tyre. Ajo mund të jetë thjesht një mungesë korrektese. Veprimi i asaj vajze mua më ktheu 68 vjet prapa, në vitin 1951, kur unë së bashku me dy shokët e mi shpërndanim trakte me përmbajtje antikomuniste në qytetin e Vlorës. Atëherë gjykata komuniste na dënoi me burgim, megjithëse nuk ishim më të mëdhenj se 15 vjeç. A thua besonte shteti komunist se ne tre fëmijë do ta rrëzonim me trakte atë? Sigurisht që jo. Megjithatë ai nuk nguroi të na dënonte. Kjo histori po përsëritet edhe sot në rastin e vajzës së sipërshënuar.

A na kthen tek Ligji 55 i agjitacionit ndalimi nga policia pas disa ditësh i autores së shkrimit të parullës në murin e shtëpisë së Ambasadorit?

Ndalimi i autores së shkrimit në murin e shtëpisë së ambasadorit është një rikthim në ligjet diktatoriale të sistemit totalitar komunist, pra të Ligjit 55, gjë që është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike. Qysh prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria Rama e ka kthyer vendin në një qendër të trafikimit të lëndëve narkotike, në një shtet ku në krye të organeve të drejtësisë qëndrojnë ish-lakenjtë e sistemit komunist. Kini parasysh fjalët e shprehura nga zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”: “Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakenjtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë“.      Ndaj edhe ne nuk mund të pajtohemi me një qeveri që në krye të Kuvendit të Shqipërisë ka vendosur një figurë të përlyer të sistemit të përmbysur. Ndaj jemi ngritur edhe në protestë. Ndaj e shkroi parullën edhe vajza në murin e shtëpisë së ambasadorit, pasi diplomatët kanë heshtur para kësaj situate dhe duket sikur ajo u thotë atyre: “Zgjohuni!“

Ju si mendoni a do të sillej në Gjermani policia kështu ndaj autores dhe a do të cilësohej nga kancelarja “kërcënim ndaj jetës” parulla politike? A u jep mësim demokracie shqiptarëve Ambasadori i OSBE-së duke pranuar të ndalohet nga policia autorja e parullës?

Në asnjë mënyrë policia gjermane apo e kujtdo vendi tjetër perëndimor nuk do të sillej në këtë mënyrë. Por këtë nuk duan ta kuptojnë përfaqësuesit e disa shteteve apo organizatave ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë. Më lejoni t’ju tregoj një shembull konkret: Me shkresën Nr. 5 Prot. datë 20.06.2015, Dega e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, ku kryetar i së cilës isha unë, iu drejtua Komisioneve të Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi të Kuvendit të Shqipërisë me propozimin që të mos lejoheshin të merrnin pjesë në organet e larta të drekjtësisë si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apelit si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në ato të rretheve, cilindo që kishte marrë pjesë në trupat gjykuese të regjimit komunist dhe kishte dhënë dënime të padrejta për motive politike. Një gjë e tillë të shtrihej edhe në organet e Kuvendit të Shqipërisë dhe në ato të pushtetit qendror dhe lokal. Në lidhje me këtë i dërguam shkresën Nr 8 Prot, datë 21 korrik 2016, Ambasadorit Amerikan Donald Lu, me anën e të cilit kërkonim ndërhyrjen e tij për çështjet në fjalë. Por, çuditërisht, ambasadori në fjalë zgjodhi rrugën e heshtjes. Asnjë përgjigje nuk na erdhi. Përse? Atë e di ai, por shtresa e jonë është sakrifikuar vetëm, sepse ka qenë e renditur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke sakrifikuar edhe jetët e shumë intelektualëve të shquar. Të njëjtin qëndrim po mbajnë edhe zotërinjtë për të cilët bëhet fjalë. Ata janë hedhur kundër opozitës nën pretekstin e përdorimit të dhunës. Për çfarë dhune bëhet fjalë? Për disa shashka të hedhura apo shtyrje të policëve? Përse nuk u bie në sy, përdorimi i gazit lotsjellës dhe i makinave të ujit kundër shumicës dërmuese të protestuesve që as qëllonin me gjësendi dhe as shtynin ndokënd. Një prej tyre jam edhe unë që gati u qorrova nga tymi i gazrave lotsjellës. Opozitarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e konsideruar me të drejtë atë si shkaktarin e gjendjes në të cilën ndodhet vendi. Misionarët përse nuk i kujtojnë Ramës se Presidenti Nikson dha dorëheqjen, pasi u zbulua se u kishte vënë përgjues kundërshtarëve të tij politikë, se kancelari Gjerman Vili Brandt, fitues i çmimit Nobel, dha dorëheqjen si kancelar në vitin 1974, pas një skandali ku u përfshi asistenti i tij personal, Gunter Guillaume, se Margaret Thaçer, “Zonja e Hekurt”, kryeministrja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, duke mbajtur këtë post që nga viti 1979 deri në 1990-n, pasi sfidohet nga ish-kolegu i saj, Michael Heseltine, më 22 nëntor 1990 detyrohet të japë dorëheqjen. Këto janë arsyet, përse opozita është ngritur në protestë dhe kjo do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës së saj. Kjo është dhe arsyeja, përse vajza shkroi parullën e saj. Një gjë të tillë përfaqësuesit diplomatikë duhet ta dinë.

Av Zacce Islami: Ambasador i diskretituar

 

Kemi kohë që po vërejmë një strategji antidemokratike nga pushteti në fuqi, strategji që shprehet nëpërmjet taktikave të ndryshme për të rivendosur diktaturën e paraardhësve të tyre, komunistëve shqiptarë. Jo vetëm që nuk është vepër penale por është një e drejtë kushtetuese që secili shtetas të shprehet lirisht për mendimet e tij në lidhje me politikat që ndjek qeveria shqiptare apo edhe për qëndrimet politike të përfaqësuesve diplomatikë të akredituar në vendin tonë.

Nëse shprehja me gojë ose me shkrim për politikën do cilësohet vepër penale atëherë kthehemi 30 vjet mbrapa në ligjin famëkeq nr 55 agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Nëse shtetet që kanë ambasadorët e tyre këtu pajtohen me këtë qëndrim, atëherë ne si qytetarë duhet të rishikojmë edhe qëndrimin tonë karshi tyre. Është shumë qesharak në këtë çështje kryeministri ynë kur e quan kërcënim për jetën atë togfjalësh që ka shkruar një qytetare shqiptare në murin e shtëpisë së një ambasadori tashmë të diskredituar me qëndrimet e tij në mbështetje totale të rivendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Nëse bota e qytetëruar do t’i konsideronte kërcënim për jetën miliona parulla që shkruhen nëpër vendet e tyre atëherë reprezaljet do kishin filluar me kohë. Ndërkohë duhet ta dinë shqiptarët që ky Borchardt ka ikur me teneqe nga Kosova ku ishte në UNMIK. Ky është momenti që ata që e kanë dërguar në Shqipëri ta marrin mbrapsht dhe të dërgojnë diplomatë vizionarë dhe dashamirës për këtë vend e këtë popull. Ai zotni është person non grata për qytetarët shqiptarë pasi kudo është bërë shtojcë e qeverisë Rama. Ndalimi nga policia shqiptare është tërësisht i pa ligjshëm anti demokratik dhe tregues i qartë që kjo qeveri po e përdor policinë e shtetit njëlloj si MADUROS i Venezuelës. Vetëm ky veprim terrorist që ka kryer policia e shtetit duhet të çojë në këmbë të madh e të vogël në Shqipëri për të protestuar tashmë fuqishëm kundër rivendosjes së diktaturës. Kjo protestë duhet të fillojë me një herë. Ambasadori Borchardt as një recepsionist hoteli nuk do të mundej të punonte në Gjermani e jo më diplomat. As që mund të mendohet se kancelarja Merkel do mbante një qëndrim të tillë fashist si kryeministri shqiptar, ndaj një qytetari gjerman që do bënte të njëjtin veprim si shtetasja shqiptare. Është koha që vendet e BE dhe OSBE të shikojnë seriozisht qëndrimin e tyre ndaj vendit tonë. Deri tani këto vende nëpërmjet ambasadorëve të tyre janë bërë paterica të pushtetit thellësisht të korruptuar në Shqipëri.