Ish-Presidenti i Republikës që nderoi historinë dhe folkorin e Labërisë

MSc. Albert HABAZAJ, studiues i etnologjisë dhe foklorit

I nderuari di të nderojë

Tradita/ Vlerësimi i poetëve të këngëve të Labërisë në 100 Vjetorin e Pavarësisë
Para pesë vjetësh, në atmosferën e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi nderoi disa nga krijuesit më të shquar të këngës dhe polifonisë labe. Mbështetur në traditën e pasur të krijimtarisë popullore gojore në shekuj, me veprën e shpirtit të tyre, me punën e jashtëzakonshme artistike dhe atdhetare, ata e kanë ngritur krijimin folkorik, Polifoninë dhe, në këtë linjë, Folkorin shqiptar, në lartësi artistike shpirtërore labe universale, si “Evropa për zhvillimin e Folkorit” (1986) dhe “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO (25 Nëntor 2005). Ata, dhe të tjerë më përpara tyre, apo e tjerë në vijimësi, janë emblema të folklorit të Labërisë, asaj krijimtarie artistike shpirtërore të komuniteteve përkatës, si pjesë e së tërës të krahinave të tjera etnografike të Shqipërisë, po aq të pasura me këtë gurrë popullore të pashtershme. Apogjeu i polifonisë labe! Kronologjikisht, po përmendim dhjetë të vlerësuarit me titujt “Mjeshtër i Madh”, “Naim Frashëri i Artë” dhe “Naim Frashëri i Argjentë” në mjediset e Presidencës, më 19. 07. 2012: 

1- Lefter Çipa (Pilur, Himarë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në forcimin dhe zhvillimin e kulturës dhe folklorit shqiptar në zonën e Bregut dhe më gjerë, në sjelljen e elementëve të rinj në poezinë dhe folklorin e Pilurit dhe Himarës, si krijues dhe drejtues i grupit të famshëm polifonik të Pilurit”; 

2- Kujtim Mici (Tërbaç, Vlorë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut në studimin, evidentimin dhe zhvillimin e folklorit të zonës së Lumit të Vlorës e sidomos në fshatin e Tërbaçit, si themelues i grupit polifonik me emër të Tërbaçit”; 

3- Muhamet Tartari (Vranisht, Vlorë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për studime të spikatura të folklorit, për zhvillimin e poezisë, këngës dhe valles labe përqënduar në zonën e Vranishtit dhe Labërisë në rritjen e vlerave të iso-polifonisë, si drejtues i grupit të famshëm të Vranishtit”; 

4- Dule Havari, pas vdekjes, (Dukat, Vlorë), “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin: “Për punë të palodhur në fushën e folklorit, si krijues dhe organizues i grupit folklorik dhe këngës dhe valles së zonës së Dukatit”; 

5- Feti Brahimaj (Lapardha, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjentë” me motivacionin: “Për veprimtari të dendur dhe efektive në fushën e folklorit dhe ripërtëritjes së traditës, si krijues dhe organizator i grupit të shquar polifonik të Lapardhasë dhe zonës Kotë-Drashovicë të Vlorës”; 

6- Hamdi Pulo, pas vdekjes, (Tragjas, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për evidentimin, zbulimin dhe zhvillimin cilësor të folklorit të Tragjasit, si krijues i shumë vargjeve dhe këngëve me nivel ideo-artistik dhe patriotik”; 

7- Teno Lona (Fterrë, Sarandë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Si krijues dhe drejtues i grupit polifonik të Fterrës dhe grupeve të zonës së bregdetit të Sarandës”; 

8- Tomorr Lelo (Smokthinë, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Si organizator i aftë i ansamblit folklorik “Çipini”, si krijues i veçantë dhe interpretues i momentit emocional dhe për zhvillimin edhe sot e kësaj dite i traditave folklorike të Labërisë”; 

9- Sejmen Gjokoli (Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për aftësi të spikatura organizative, drejtuese, krijuese dhe interpretuese të këngës dhe valles labe, si themelues dhe drejtues i ansamblit “Bilbili”, Vlorë”; 

10- Zaho Balili, pas vdekjes, (Rexhin, Tepelenë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e folklorit të zonës së Tepelenës, veçanërisht me grupin e Hormovës, si drejtues i spikatur dhe rapsod”. 

Një nga majat e krijmit folkorik të Labërisë, i paharruari Maliq Lila (17.09.1937-25.12.2004) është i mbarënjohur si Laureant i të gjitha Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, simbol i polifonisë, autor i teksteve të këngëve të grupeve më të spikatura të Shqipërisë, Bënçës së Paros e Golik Jaupit me nam. Maliq Lila ka botuar përmbledhjen poetike “Zilja e erës” (1998) dhe “Jashtë hënë e pjekur” (2005, pas vdekjes), si dhe ka kontribuar në fushën e studimeve historike e folklorike, është autor dhe realizues i qindra montazheve letrare e libreteve artistike. Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medaljen “Naim Frashëri”. Është “Personalitet i shquar i Labërisë” pa përmendur vlerësimet lokale si “Nderi i Qarkut”, “Personalitet i Shquar i Qarkut”, etj. Për shumë kohë ka qenë nënkryetar i Shoqatës Kombëtare Atdhetare-Kulturore “Labëria”. Modeli për polifonët në breza është standardi i Kryemajës së majave të këngës labe dhe himariote, Kryebilbili Dhimitër Varfi (“Artist i merituar”, sot 91 vjeç, që e ka emrin e tij pranë yjësive folkorike shqiptare, mesdhetare dhe universale me të famshen “Vajzë e valëve” e sa e sa simotra të tjera polifonike, dalë nga pena brilante e Neço Muko Himariotit në vitet ‘30 të shekullit XX, kur Dhimitri i vogël ende ushqehej me qumështin e gjirit nga nëna dhe mbushej me nektarin e këngës dhe valët e detit… S’kishte si mos të vlerësonte ish - presidenti Topi me dekoratën e lartë “Mjeshtri i Madh” prof. dr. Bardhosh Gaçen! Vlonjati Gaçe u përket gjithë shqiptarëve, edukimit universitar dhe botës akademike, letërsisë dhe veprimtarive atdhetare, etnologjisë dhe folkorit shqiptar. Apo nuk i shkon motivacioni: “Për kontributin e dhënë në gjurmimin dhe studimin e etnokulturës shqiptare dhe ringjalljen e traditave të vendit tonë”. Prof. Gaçe është etnoklutura shqiptare në lëvizje, një bibliotekë e gjallë, përherë e hapur për miqtë e librit, të historisë, ngjarjeve, datave dhe personazheve të historisë, arsmit dhe folkorit. 

Stafeta/ Vizioni moral i Presidentit për historinë, etnokulturën dhe polifoninë labe
Presidenti i Republikës, që sapo la detyrën, Bujar Nishani shfaqi një vizion të hapur, të qartë, të plotë e mrekullueshëm për krahinën etnografike të Labërisë, duke vlerësuar kontributet e saj, vështruar nga tri piketa: 

1- historia, 
2- etnokultura dhe folkori, 
3- njerëzit me jetë aktuale aktive më të spikatur të saj në fushën e historisë, arsimit, etnokulturës, etnografisë dhe folkorit. 

Nderimin për polifoninë labe e ka natyror e thjeshtësisht të dukshëm, ndoshta burimor për hir të origjinës së tij nga treva e Labërisë, si libohovit që është. Stafetën morale të paraardhësit për nderimin e krijuesve dhe artistëve të mirëfilltë, Presidenti i Republikës e ngriti në stadin që i takon. (Jo thjesht për kortezi, se, nuk kemi as interesin më të vogël, sidomos tani, që “ra nga kali”, por për nderim të merituar, gjatë këtij shkrimi nuk do të përdorimim emërtimin ish-presidenti Nishani, por presidenti Nishani). Nderimet që Ai ka dekretuar me medalje të ndryshme kanë qenë të katër kategorive më të rëndësishme, që nga Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe titujt “Nderi i Kombit”, “Mjeshtri i Madh” e “Naim Frashëri”, kolektive dhe individuale (dhënë fshatrave me kontribute të veçanta historike, kulturore dhe arsimore, grupeve polifonike më të shquara, si dhe personave të veçantë, që i kanë dhënë nder nga emri i tyre trevës së origjinës), pa përmendur medaljet e tjera të vlerësimit nga Presidenca, por që radhiten më poshtë në hierarkinë e merituar të nderimit presidencial. Vëzhgimet vetiake dhe kërkimet e stafit precidencial të fushës, vlerësuan me të drejtë ravijëzimet e shquara shpirtërore, atdhetare, intelektuale, organizative dhe dashurinë e zjarrtë për historinë dhe etnokulturën e djalit bujar të Labërisë, birit vërtet të denjë të Drashovicës, dr. Bujar Farudin Leskaj, pa ndihmesën e jashtëzakonshme të të cilit këto vlerësime nuk do të ishin bërë kaq të mirëstudiuara sipas gjeografisë, gjinisë, grupmoshave, jetës aktive në sotshmëri, nivelit të përfaqësimit dhe mesazheve të dobishme.

Shfletojmë kujtesën e linjës për nderimet presidenciale
Kujtesa në fushën e vlerësimeve për historinë dhe folkorin e Labërisë nga Presidenca ravijëzohet tek kontributet e veçanta, me gjurmë të dobishme e mesazhe humane. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi më 12.06.2017, me nr. dekreti 10445, dr. Bujar Leskaj dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Në vlerësim të lartë shtetëror të angazhimit dhe përkushtimit të tij si drejtues për fuqizimin institucional të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe modernizimin e auditimit të jashtëm publik në Shqipëri në drejtim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, në lidhje me përdorimin e fondeve publike me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë; si dhe për kontributin e veçantë si përçues i vlerave njerëzore dhe evidentues e promovues pasionant i traditave më të mira kulturore e patriotike shqiptare”.

Domethënës ishte vlerësimi nga presidenti Nishani i fshatit Drashovicë dhe atdhetarit Mulla Xhafer Drashovica (pas vdekjes) me dekoratën “Nderi i Kombit”, të cilat i dorëzoi vetë në portën e Labërisë, te Harku i Triumfit, para Monumentit kushtuar epokave historike që i dhanë lavdi kësaj krahine dhe vendit tonë. Më 14 shtator 2016, banorët e krahinës dhe bashkëatdhetarë të tjerë deri nga Kosova e Çamëria, u mblodhën krenarë, me shpresa e të gëzuar, si në një festë të madhe labërore e mbarëkombëtare, organizuar, ndër të tjera, dhe për kujtesë e nderim të 73 vjetorit të epopesë termopiliane të Drashovicës, që njihet si beteja e parë frontale e Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe forcave vullnetare territoriale kundër pushtuesve nazistë. Ende na jehon e freskët vërtetësia dhe respekti i mesazhit që përcolli presidenti Nishani: “Kur lexon historinë 585-vjeçare (themeluar në vitin 1431) të këtij fshati dhe kur rreshton peshën e lavdisë, ngjarjeve, duket sikur Drashovica është e destinuar dhe e bekuar për të bërë histori”. Çfarë duhet të marrim me vete ne labët, shqiptarët nga fjala e Kreut të Shtetit atë ditë? “Jo vetëm në raste festash duhet të jemi të bashkuar për çështjet kombëtare dhe të mos harrojmë që jemi të njëri-tjetrit dhe të bëjmë mirë për njëri-tjetrin dhe përparimin e familjes së madhe Shqipërisë europiane”. Ja motivacioni, me të cilin presidenti Nishani i akordoi më dt. 13.09.2016, me nr. dekreti 9734 Fshatit Drashovicë dekoratën “Nderi i Kombit” “Për kontributin e shquar në luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me Shpalljen e Pavarësisë; në Luftën e Vlorës (1920), si dhe betejën heroike të vitit 1943 kundër pushtuesve nazifashistë. Në këtë histori të lavdishme Drashovica, si portë e Labërisë, ia ka dalë të mbledhë rreth Flamurit Kombëtar të gjithë bijtë e saj pa dallim bindjesh e idesh, duke u bërë kështu simbol i unitetit e atdhetarisë për Vlorën dhe krejt vendin”. Dhe me numrin vijues të dekretit (9735), dekorata “Nderi i Kombit”, akorduar po më 13.09.2016, që po atë ditë jepet për një nga mësuesit më të shquar atdhetarë të krahinës së Vlorës e Labërisë, për dritanin trim të gjuhës shqipe Mulla Xhafer Drashovica pas vdekjes, të cilën e morën të pasmit e tij. Motivacioni ishte: “Si atdhetar i shquar dhe një nga figurat emblematike të Pavarësisë së Shqipërisë dhe arsimit tonë kombëtar, i cili ia doli që të blatonte në çdo vlonjat, krahas aspiratave për liri, edhe dashurinë për gjuhën dhe identitetin shqiptar. Në vlerësim të patriotizmit dhe kulturës së tij me anë të së cilave, ai diti të bashkonte e të njehsonte luftërat dhe sakrificat për liri me çeljen e shkollave të para shqipe dhe ndërtimin e themeleve të shtetit të ri shqiptar”.

Kuptimplotë dhe i duhur ishte nderimi i madh që iu bë Kaninës, fshatit sa një qytet e sa një krahinë e më shumë. Thuhet se Kanina ka një histori, të cilën do t’ia kishte zili një qytet i tërë milionash. Është dhe një shprehje e vjetër që përdoret këtyre hënave tona: “Kanina bën Vlora, Vlora s’bën dot Kaninë…”. Njihen dhe nderohen figurat e shquara që kanë dalë nga Kanina. Nuk thuhet thjeshtë me krenari apo vetëm në kuptimin simbolik, porse, mbi të gjitha, në Kaninë kanë patur “shtëpinë e vjetër” Vlorajt e famshëm. Edhe Ismail Qemal Vlora nga Kanina e ka origjinën.

Kujtojmë se, Presidenti Nishani i akordoi më dt. 19.06.2017, me nr. dekreti 10463 Fshatit Kaninë dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për rolin historik dhe kontributin e shquar patriotik, të dhënë përgjatë shekujve për formëzimin dhe përparimin e kombit shqiptar, duke nxjerrë nga gjiri i saj figura të shquara shtetarësh dhe luftëtarësh për liri, si dhe figura intelektuale të ndritura, që kanë ngritur e kanë bërë të njohur në mbarë botën emrin e popullit shqiptar”.

E si mund të mos vlerësohej maksimalisht nga presidenti Nishani “Lulja e Vilajetit”? Ai e çmoi si duhet Krahinën e Himarës me dekoratën “Nderi i Kombit”, duke e dhënë vetë në qytetin buzë brigjeve të detit Jon, mes mikpritjes tradicionale himariote. [06.05.17] Çdo himariot, para dhe mbrapa Vargmaleve të Vetëtimës e ka të lexueshëm motivacionin, se e mbart me vete, si hajmali nga kapedanët e jetës e të luftës për liri, pavarësi e përparim: “Për kontributin e shquar në historinë e luftërave të kombit tonë për liri dhe emancipim shoqëror, për traditën e lavdishme, të karakterizuar ndër shekuj nga bujaria dhe besa. Bijtë e saj, me pushkë e penë, kanë ditur të shkruajnë faqe të lavdishme në identitetin tonë kombëtar, dhe të shpalosin vlera të rralla etnofolklorike kulturore”. Po atë ditë të bukur maji, Ai vlerësoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Gjeneralin e polifonisë Lefter Çipën me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për mbajtjen gjallë të vlerave më të mira kulturore, tradicionale të bregdetit të Himarës, si një interpretues me nivel të lartë dhe krijues i suksesshëm poezish e këngësh, që janë kthyer në perla të iso-polifonisë himarjote”. Edhe pse objekt i vlerësimeve presidenciale kanë qenë ata krijues, studiues, këngëtarë dhe grupe që bëjnë jetë aktive, për kontribute të çmuara e të pashlyeshme, u vlerësuan dhe më të shquarit e së kaluarës. Me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Ai nderoi Atin shpirtëror të “Vajzës së Valëve” Neço Mukon pas vdekjes me motivacionin: “Si një nga studiuesit dhe krijuesit e talentuar të trashëgimisë folklorike himarjote. Me virtuozitetin e tij të rrallë mundësoi përçimin e vlerave folklorike kombëtare brenda dhe përtej kufijve”. Historia e kësaj treve ka nxjerrë, krahas të tjerëve, edhe një rilindas të shquar Odhise Kasnecin, që vlerësohet pas vdekjes me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar për Pavarësinë e Atdheut, për rolin e tij të jashtëzakonshëm në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e dijes e shkollave shqipe”. Me titullin “Mjeshtër i Madh” është nderuar edhe tenori popullor me diapason të gjerë, bilbili me zë të rrallë Koço Çakali pas vdekjes me motivacionin: “Për talentin e tij të spikatur në interpretimin e këngës polifonike himarjote. Me artin dhe mjeshtërinë e tij të të kënduarit, ka arritur të lartësojë eposin kulturor të krahinës së tij”, akorduar më datë 04.05.2017, me nr. dekreti 10258. E thotë bukur, saktë dhe në mënyrë lakonike kënga labe portetin e himariotit: “të penës e të difekut”. Një nga ata himariotë me emër në fushën e shkencës dhe diturisë shqiptare është dhe prof. Dhamiano Bollano, që u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” pas vdekjes me motivacionin: “Për kontributin e tij të vyer si veprimtar shoqëror, si njohës i mirë i historisë dhe traditave himarjote, me ndikim të madh në informimin dhe edukimin intelektual të shoqërisë shqiptare”. Me titullin “Naim Frashëri”, u vlerësua Ansambli Artistik “Bejkë e Bardhë”, Pilur: “Për nivelin e shquar artistik, shkallën e lartë të interpretimit dhe origjinalitetin e transmetimit të thesarit të këngës e valles pilurjote. Me talentin dhe virtuozitetin e tij, ky ansambël ka shënuar një faqe të veçantë në historinë e polifonisë shqiptare”, akorduar më datë 04.05.2017, me nr. dekreti 10255. Grupi karakteristik i Himarës u dekorua me titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Për ruajtjen e traditës, riteve dhe kostumeve popullore dhe interpretimin e valleve, melodive, si dhe për transmetimin e këngës tipologjike himarjote me një nivel të lartë artistik. Me interpretimin e tij virtuoz, ky grup ka mbajtur gjallë dhe ka ngritur lart nivelin etnokulturor të krahinës së Himarës”, akorduar më dt. 04.05.2017, me nr. dekreti 10257 . Sikurse nuk mund të harrohet i magjishmi i poezisë së kënduar, mbreti lirik i idealit artistik dhe estetik Neço Muko (H)Marjoti, krijuesi i grupit polifonik “Malet e Vetëtimës”, i cili, së bashku me sopranon e madhe lirike, Artisten e Popullit Tefta Tashko Koço, regjistroi në vitin 1930, në Paris, në pllaka gramafoni PATHE (disqe) perlat e këngëve të Labërisë, këngët virtuoze të trevës së Himarës si: “Mbeçë more shokë mbeçë”, “Moj Kanina nina-nina”, “Erdhi prilli, shkriu bora”, “Moj nepërka pika-pika”, “Dallëndysh’ e vogël-o”, etj, apo kryekëngën “Vajza e valëve”, që shkenca muzikore shqiptare e ka vendosur krye të muzikës shqiptare. Duke kujtuar luftërat dhe qëndresën heroike të himariotëve në shekuj kundër dyndjeve barbare të pushtimit, se ata banorë trima, të ashpër e bujarë vetëm një shqiponjë e një diell kanë pranuar e pranojnë mbi krye, edhe neve na shkasin dy pika loti prej historive të dhimbshme të kurbetit që kemi lexuar apo kemi dëgjuar nga rrëfimet e moshatarëve të këtyre anëve. Nuk mund të shlyhet kurrë nga kujtesa jonë kalorësi rebel i lirisë, humanisti universal Petro Marko, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, lindur dhe edukuar në këtë trevë, që me Feniksin e Himarës Neço Muka plotësuan fizionominë e kulturës së Himarës e Shqipërisë dhe dritërojnë për ditë, pikë-pikë, si yje mjalti nga lartësia e një shekulli. Me ta, nga qielli i vendlindjes na ndriçojnë dhe yje të tjerë kulturorë: Andrea Varfi si studiues, Aleks Çaçi si poet entusiast, Spiro Çomora si komediograf dhe përkthyes i kalibrit të lartë, Dhimitër Anagnosti si regjisor filmi e Robert Ndrenika si aktor filmi dhe teatri, Spiro Dumi si regjisor teatri apo Lefter Çipa si princi i pashpallur i muzikës popullore, të cilët janë thjesht disa maja në vargun e personaliteteve që ka nxjerrë Himara...

Vijon