Ish-Ministria Mirela Karabina: Gënjeshtra e dhuratës për librin. Bursa për studime në Itali. Ftesë për studime në SHBA

44

Mirela KARABINA

Një tjetër “vit i mbrapshtë” shkollor për fëmijët dhe mësuesit, duket, po fillon. Vendimi i Ministrisë së Arsimit për dhënien e librave “dhuratë me kusht”, po shkakton një dëm të madh psikologjik te fëmijët, të cilët po “frikësohen” nga libri, ende pa filluar shkolla. Mjeti më i dashur dhe i domosdoshëm për nxënësin, libri, është bërë kryefjala e bisedave familjare dhe shoqërore, dhe, jo për domosdoshmërinë e përdorimit të tij, por ruajtjen dhe përdorimin e kufizuar të tij. Dhe, me demek, Ministria e Arsimit po “kujdeset” për ruajtjen e librit por nëpërmjet gënjeshtrës “dhuratë”. Sa keq, e sa jo edukuese! Kjo është dhurata që Ministria e Arsimit po i bën fëmijëve në këtë vit shkollor; deformimin e qasjes ndaj librit. Kështu, koha e mësuesit e planifikuar për përgatitjen mësimore të vitit të ri shkollor, planifikimit më të mirë të të nxënit dhe mësimdhënies është zëvendësuar me: Letra, ngjyra, paketime, konkurrime për paketimin më të bukur të librave, edhe në rrjete sociale; shpërndarje “dhuratash false”,” “dhurata me kthim”, “dhurata që nuk janë dhurata”, “dhurata me pagesë”, ‘dhurata me gjobë” dhe, shpërndarja e tyre (librave) bëhet jo vetëm në shkollë, por dhe në shtëpi të nxënësve. Shërbimi ndaj nxënësve është detyrim profesional dhe moral shumë i bukur që bën mësuesi, por të përdorësh mësuesin si “shërbëtor” të lojës së pushtetit me shpërndarjen e librave në formë “dhurate me kusht” është një tjetër dëmtim për nxënësin, është t’i ndryshosh perceptimin,është t’i tjetërsosh realitetin. Sepse, kjo paketë nuk është “dhuratë” e mësuesit për nxënësin, po një gënjeshtër “dhuratë” e pushtetit për nxënësin, duke përdorur mësuesin.

Abetarja dhe Këndimi, si libra të veçantë për nxënësin , do t’i mungojnë bibliotekave familjare, pasi vendimi i ministrisë kërkon të rikthehen në shkollë librat në fund të vitit. Dhe, gjithçka bëhet në emër të nxënësit por duke e dëmtuar atë, në emër të prindit por duke e shpërfillur atë, në emër të librit por duke e tjetërsuar atë. Çfarë emri t’i vëmë kësaj maskarade të turpshme, këtij dëmi ndaj fëmijëve? Kujt i shërben kjo shfaqe e shëmtuar? Vetëm interesave të Ministrisë së Arsimit dhe pushtetit të saj. I vendosur dhunshëm në këtë mesele të pushtetit, mësuesit do t’i duhet të përballet me një situatë tejet të vështirë për të, por shumë delikate dhe të rëndësishme për nxënësin: ai duhet t’u shpjegojë nxënësve kuptimin e fjalës “dhuratë” ,të cilën, vetë ai, po e përligj deformimin e saj. Dhe, nxënësi duhet ta dëgjojë nga mësuesi këtë. Në këtë provë të vështirë mësuesin e vendos vetë, Ministria përgjegjëse për Arsimin. Për ç’lloj arsimimi të fëmijëve është e interesuar kjo ministri? E vërteta e dhimbshme është e thjeshtë: Përdorimi politik i nxënësve dhe mësuesit. Kështu, mësuesi e di mirë kuptimin leksikor të fjalës “dhuratë”, por si njeri i përdorur jashtëzakonisht keq nga pushteti atij do t’i duhet të shndërrohet në “kloun”, në “kameleon me ngjyra” për t’u bërë i besueshëm nga nxënësi i tij. Dhe për çfarë? Për lojën e pushtetit. Dhe më kë? Me librin. A ka më fund se ky?! A ka dëm më të madh që i bëjmë fëmijës ?! Dhe, në këtë realitet të hidhur, shkollës dhe mësuesit do t’i duhet t’u tregojë nxënësve jo si të mësojë me librin, por si ta ruaj atë nga frika e gjobës ndaj prindërve; jo si të shënojë në libër atë që është thelbësorja , por si të mos bëj asnjë shënim ose ta fshijë me gomë sepse duhet ta paguajë atë; jo si ta ketë librin shokun e dashur të tij në çdo qoshk të shtëpisë, por si ta mbajë larg çdo mjeti tjetër që mund ta dëmtojë atë; jo si ta duan librin, por si të mos e prekë se e bën pis atë. Pra,shkolla drejton fëmijët të qëndrojnë larg librit, pasi është një ‘dhuratë e veçantë”, pasi është një “Mollë e ndalueme”, pasi është një “gjobë” me kthim. Dhe, mësuesi duhet të përligjë këtë “ çorbë të keqe politike” me efekt negativ psikologjik tek fëmijët nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Çfarë politike arsimore është kjo?! A është prioritet zhvillimi intelektual e shoqëror i fëmijëve? Mesa duket, interesat e pushtetit shpërfillin gjithçka që është pengesë. Dhe, e vërteta e dhimbshme që realisht po ndodh me librat “dhuratë” është se: asgjë nuk është për të mirën e nxënësve dhe familjeve të tyre me gënjeshtrën e librave “pa pagesë”; asgjë nuk është për të mirën e shkollës dhe zhvillimit të saj, sepse shoqëria nuk ndërtohet mbi gënjeshtrën por mbi të vërtetën. Në vite, gjithmonë, fëmijët janë kujdesur për librat dhe i kanë trashëguar ato. Me dëshirë kanë rikthyer në shkollë libra për bashkëmoshatarët e tyre. Por tani, fatkeqësisht, nën një dhunë psikologjike raporti natyral dhe institucional nxënës-libër është dëmtuar. Të edukosh nxënësin me dashurinë për librin, të edukosh nxënësin ta ruajë dhe trashëgojë atë është edukim themelor që bën shkolla, mësuesi, prindërit dhe shoqëria. Por, ky edukim nuk mund të ngrihet mbi fasada, nuk mund të ngrihet mbi gënjeshtrën. Është e tepërt, është një tjetërsim i ngadaltë dhe i vazhdueshëm i vlerave…