Ish-ministri Ahmetaj flak i zemëruar dosjen para derës së kryeministrisë. “Furtunë” largimesh në Tatime dhe Dogana

952
Sigal

Arben Ahmetaj, nuk e ka pritur mirë largimin e tij nga posti i ministrit të Financave dhe Ekonomisë, edhe pse thuajse ka dështuar në rritjen e të ardhurave të buxhetit, aq sa buxheti për 2018 u rishikua 2 herë, rritja e ekonomisë, sipas pretendimeve të tij, nuk solli as hapjen e vendeve të premtuara të punës, as rritje të mirëqenies ekonomike të shqiptarëve. Dje, ish-ministri Ahmetaj është parë para derës së kryeministrisë, duke flakur në drejtim të saj, i zemëruar një dosje të zezë, ndoshta në mënyrë simbolike për të shprehur, jo vetëm pakënaqësinë e vet ndaj largimit nga posti i ministrit të Financave, por edhe falimentimin e financave, derisa ende shteti nuk u ka paguar rrogën e dhjetorit mësuesve dhe punonjësve në sektorin e shëndetësisë publike.

“Furtunë” në Tatime e Dogana. Gati largimi i drejtuesve

Drejtuesit më të lartë të administratës tatimore dhe doganore pritet të largohen nga detyra brenda pak ditëve. Një burim i lartë në kabinetin qeveritar, i cili preferoi të mbetet konfidencial, deklaroi deri në javën e ardhshme, pritet që të largohen nga detyrat e tyre Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave e Tatimeve, si edhe drejtues të tjerë të rëndësishëm në këto dy institucione. Në pritje të ndryshimeve të ministrave, stafi i ngushtë i Kryeministrit ka hartuar edhe listën e zyrtarëve të lartë të administratës fiskale, të cilët pritet të lëshojnë zyrat. Sipas këtij burimi konfident, në krye të listës së largimeve qëndrojnë emrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Vasilika Vjero, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Belinda Ikonomi, si edhe me disa drejtues të degëve më të rëndësishme të Tatimeve e Doganave, kryesisht në Tiranë dhe në qytetet me aktivitet të lartë financiar.