Ish-kreu i PS, Mensur Hoxha: “Boshti i Jugut, nxjerr Beratin nga izolimi”

990
Sigal

Që socialistët të fitojnë në Berat duhet të shpalosin gjatë fushatës elektorale problemet e infrastrukturës

Nëse Berati në emër të strategjisë luftarake në kohën e komunizmit mbeti i izoluar në sistemin rrugor, një tjetër fat i keq e ka shoqëruar edhe në demokraci, ku jo që nuk u investua fare, por dhe ato rrugë me çakull që ekzistonin në kohën e komunizmit u shkatërruan fare, pasi nuk vuri dorë asnjë qeveri demokratike që vazhdojnë të drejtojnë prej 22 vjetësh. Qeveria e Sali Berishës ndërtoi segmentin e ri Fier- Levan- Tepelenë duke ndryshuar lëvizjen e mjeteve nga segmenti rrugor Fier – Ballsh – Tepelenë. Me ndërtimin e këtij segmenti rrugor Qarku i Beratit, largohet akoma më shumë përsa i përket komunikimit me pjesën jugore të vendit. Për të bërë biznes, për turizëm e për probleme të tjera jetike me pjesën jugore të vendit. Qytetarët e gjithë qarkut duhet të udhëtojnë në segmentin Berat – Fier, 50 kilometër, Fier – Levan 20 kilometër, e Levan – Memaliaj 60 kilometër, pra gjithsej 130 kilometër. Këto distanca rrugore kanë ndikim në koston e transportit si dhe të rezultatit ekonomik të zhvillimit të biznesit si dhe në shumë tregues të tjerë ekonomik e jetësor. Është fat që Berati kufizohet me shumë rrethe, por nuk e duanë qeveritarët dhe janë ata që e largojnë në komunikim me njëri- tjetrin edhe pse Berati është fqinj i afërt. Është për të sqaruar se segmenti rrugor që kërkohet të ndërtohet (Boshti i Jugut) Tiranë – Elbasan është 20 kilometër, Elbasan – Kuçovë 35 kilometër, Kuçovë – Berat 15 kilometër e Berat – Memaliaj 40 kilometër, pra gjithsej 110 kilometër është segmenti më i shkurtër se çdo segment rrugor tjetër që lidh kryeqytetin me jugun e Shqipërisë. Pra, Boshti Jugor është 80 kilometër më pak se segmenti Tiranë – Fier – Levan – Tepelenë. Sipas specialistëve, të Zyrës së Urbanistikës pranë qarkut, mësohet se për të shkuar në Elbasan qytetarët e Beratit sot duhet të përshkruajnë 100 kilometër nga 50 kilometër që është distanca Berat- Kuçovë- Elbasan, pra me ndërtimin e boshtit shkurtohen 50 kilometër edhe distanca rrugore me Tiranën dhe pjesën juglindore të vendit.

Kërkesa

Nga qytetarët dhe fermerët e Qarkut të Beratit kërkohet me të drejtë ndërtimi i boshtit të Jugut. Ndërtimi i këtij boshti duhet të jetë vazhdimi i rrugës së Kombit. Sipas specialistëve të urbanistikës mësohet se, boshti Veri- Jug (rruga e kombit- boshti jugut) e ndan territorin e Shqipërisë në dy pjesë të barabarta, në gjatësi të vendit dhe shkurton të gjitha distancat për ndërtimin e segmenteve të tjerë rrugor për t’u lidhur me këtë bosht. Ish-kryetari Partisë Socialiste në Beratit, z.Mensur Hoxha shprehet për gazetën “Telegraf”, se qytetarët dhe fermerët e Qarkut të Beratit në fushatë elektorale do të shprehin hapur kërkesat për ndërtimin e Boshtit të Jugut. Më tej Hoxha tha: “Socialistët e Qarkut të Beratit, kanë besim se, Partia Socialiste do ta ketë pjesë të programit të investimeve për 4-vjeçarin e ardhshëm të qeverisjes. Është në nderin e PS-së që ndërtimi i këtij boshti ta deklaroi në fushën elektorale pasi Berati e meriton, sepse ai ka qenë gjithnjë mbështetje e fuqishme e Partisë Socialiste dhe nga ky fakt ka pasur shumë kosto e padrejtësi nga pushteti i Partisë Demokratike. Ndërtimi i Boshtit të Jugut duhet të jetë kontratë e rëndësishme me banorët e Qarkut të Beratit në zgjedhjet e reja politike. Qarku i Beratit nuk e meriton izolimin rrugor në pjesën e jugut të vendit. Sipas reagimeve që ka baza socialiste, votat e Partisë Socialiste, do të kushtëzohen me ndërtimin e këtij boshti. Simpatizantët socialistë kërkojnë që në programin e saj, Partia Socialiste duhet të ketë këtë projekt që deri më sot është lënë në harresë”,- tha Hoxha. Votuesi janë bërë më të vetëdijshëm ndaj politikës, e cila deri më sot nuk ka bërë asgjë për Qarkun e Beratit. Pra, interesat politike nga dita në ditë po marrin prioritet ato jetike.