Ish-kimikja spital psikiatrik, fund problemit për të sëmurët e dënuar

499
Sigal


SHTISH-TUFINE
 – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Avokati i Popullit, Igli Totozani dhe përfaqësues të Delegacionit të KE në Tiranë, vizituan sot zonën e “Ish-Regjimentit të Kimisë,” në Shtish-Tufinë, ku do të fillojë  ndërtimi i një spitali të psikiatrisë ligjore dhe të një qendre kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale. Në fjalën e tij Ministri i Shëndetësisë, Beqaj, theksoi rëndësinë e këtij projekti ndërsa tha se kjo do t’ju rikthejë dinjitetin personave në nevojë. “Ky është një detyrim i kahershëm ndaj komunitetit. Kjo është një kërkesë dhe një hap i rëndësishëm për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’i dhënë kujdesin dhe dinjitetin e atyre personave që kanë nevojë. Kjo çështje ka qenë gjithmonë në axhendën e Avokatit të Popullit. Tashmë jemi diskutuar me Komisionin Evropian nëse në programin e këtij viti mund të gjejmë financimin për fillimin e ndërtimit të këtij spitali.” tha në fjalën e tij ministri Beqaj. Ndërkohë nga ana e tij Avokati i Popullit, Totozani e cilësoi këtë si shenja e parë për t’i dhënë zgjidhje shkeljes më të madhe të të drejtave të njeriut në 12 vitet e fundit. “Kjo është një ditë e shënuar për mua, për faktin se prej 12 vjetësh kjo është një kërkesë e Avoaktit të Popullit. Nëse më pyesni cila ka qenë shkelja më e madhe e të drejtave të njeriut, do të thoja së është pikërisht kjo, strehimi në spitale të burgjeve të personave të cilëve gjykata ju ka dhënë një masë shëndetësore. Edhe sot janë mbi 120 persona në spitale të burgjeve. Këta janë persnoa që gjykata ka dhënë një masë shëndetësore dhe jo dënim. Sot shohim shenja të para serioze të trajtimit të këtij problemi. Shpresoj që para mbylljes së mandatit tim të fillojë rehabilitimi i këtyre personave. Ministrja e Mbrojtjes nga ana e saj u shpreh se këto nisma të institucionit që ajo drejton do të vazhdojnë për tu ardhur në ndihmë edhe komuniteteve të tjera si ai rom.“Të gjitha pronat e ushtrisë në radhë të parë do të shërbejnë në funksion të komunitetit deri edhe tek strehimi i popullsisë rome. Ne do ju japim gjithnjë asistencë komunitetit rom, për ndërtimin e shkollave spitaleve, dhe godinave të banimit.” u shpreh Kodheli.Ndërkaq edhe anëtari i delegacionit të KE theksoi rëndësinë e këtij projekti, ndërsa shtoi se së shpejti do të fillojnë edhe vlerësimet në lidhje me kostot që do të ketë projekti.“Ne duhet të bëjmë studime të mëtejshme, por ky është një projekt i rëndësishëm pasi është një projekt për të drejtat e njeriut. Tashmë do të bëhen disa studime që do të na bëjë një përllogaritje të mirë të kostos por edhe për planifikimin më të mirë të infrastrukturës së këtij projekti.” tha anëtari i delegacionit të KE.Ndërtimi i spitalit të psikiatrisë në zonën e Shtish-Tufinës është një vendim i Këshillit të Ministrave, i marrë javën e kaluar, ndërsa projekti do të financohet nga Bashkimi Evropian.