Ish-gjigandi i superfosfatit vazhdon të helmojë zonën përreth, kostoja e rehabilitimit kap shifrën 16.7 mln euro

648
Marrë nga BIRN
Të përdorura me tepri dhe pa kujdes gjatë periudhës së regjimit, produktet dhe toka bujqësore shqiptare është e kontaminuar me pesticide të rrezikshëm dhe kancerogjenë, si lindani dhe DTT-ja, të cilat përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin publik dhe kanë bllokuar eksportet bujqësore shqiptare në BE.
Amullia që përfshiu lëvizjen e lirë të shqiptarëve pas vitet 90-të bëri që kjo zonë të popullohej me rreth 3 mijë banorë, të ardhur kryesisht nga krahinat veriore Nikaj-Mërturi, Margegaj apo edhe Mirdita e Puka.

Sot duket sikur problemi me lindanin që ishte në gjendje të lirë është zgjidhur, por banorët anohen se vuajnë pasojat e bashkëjetesës me helmet.
Shpresa Prenjasi, banore e Porto Romanos, ku dikur ngrihet ndërmarrja kimike e Lindanit | Foto nga : Esmeralda Keta

Sipas saj efektet e ndotjes i kanë ndjerë më shumë të ardhurit nga zonat veriore.

“Unë vetë kam punuar tek ish fabrika e lindanit, por fatmirësisht nuk kam pasur gjë. Ndoshta ngaqë edhe lindur e rritur këtu dhe si të thuash isha mësuar, por ata që erdhën nga veriu kanë ikur shumë shpejt. Sëmureshin shpejt dhe ka pasur plot raste vdekjesh në moshë të re,” shpjegoi ajo.

Fanja ka një dyqan të vogël në qendër Porto- Romanos. Ndonëse e rezervuar në fjalë, ajo thotë se erdhi nga Margegaj shumë vite më parë me shpresën për një jetë më mirë, por ndotja i ka shkaktuar probleme me shëndetin.

“[Edha] për të hequr barrën e dryve nga shpina, por mora një barrë me sëmundje,” tha ajo.

Ish superfosfati Laç
Me një sipërfaqe më shumë se 38 hektarë, sipas një studimi të bërë nga PNUD, ish superfosfati ka trashëguar si mbetje stok pas ndërprerjes së aktivitetit në 1990 rreth: 200 tone florsilikatnatriumi (Na2SiF6,) 40 ton asbest, 50 tone vanadium pentaoxide (V2O5), 300.000 ton mbetje (përfshirë radioaktive), 2000 ton pirit (FeS2), etj. Për shkak se ndotja po përhapet përreth PNUD sugjeroi ndërhyrje emergjente, dhe kostoja e rehabilitimit të kësaj zone do të kushtonte 16.7 mln euro.

Por përveç këtij rekomandimi të PNUD askush nuk ka bërë asnjë lloj ndërhyrje. I braktisur totalisht, në fakt ish gjiganti i supefosfatit në vendin tonë, vazhdon të helmojë të gjithë zonën përreth.

Ambientet e rrënuara të ish superfosfatit, të harruara nga të gjitha qeveritë, në fakt janë kthyer në një burim të rrezikshëm të ardhurash për banorët përreth.

“Po gërmoj për tulla zjarrduruese, me të cilat dikur kanë qenë veshur furrat e prodhimit të ish superfosfatit ,” shpjegoi Arbeni një banor i zonës. “I pastrojmë dhe ua shesim furrave të bukës për 1 mijë lekë (të vjetra). Punë nuk kemi, kështu që vij e gërmoj këtu mos gjej ndonjë gjë,” shtoi ai.

Pyetjes nëse e dinte që ata tulla janë të kontaminuara, ai iu përgjigj se banorët i përdornin edhe në shtëpitë e tyre.

“Po ne me to kemi ndërtuar edhe shtëpitë tona. I morëm kur u shkatërrua uzina në 90-ën,” tha ai.
Arbeni nxjerr të ardhura nga mbetjet e ndotura të uzinës së superfosfatit në Laç | Foto nga : Esmeralda Keta

Arbeni nuk është i vetmi që e siguron jetën duke gërmuar në mbetjet e kontaminuara të ish superfosfatit. Plot burra të zonës, por edhe gra, së bashku me fëmijët gërmojnë për hekur ose mes mbetjeve të uzinës së bakrit.

I lënë të degradojë në gjendje të lirë, efektet e ndotjes i kanë kaluar kufijtë e një rrethi të vogël. Bardhok Leka, banon në fshatin Shullaz, që ndodhet përballë me ish superfosfatin, shpjegon që për shkak të fabrikës ujërat nëntokësorë janë ndotur.

“Edhe pas 27 vitesh ujin e kemi të papijshëm, pasi na del me acid. Unë e kam gërmuar pusin 45 metra, i kemi bërë analizat dhe sërish na del me përmbajtje të lartë acidi,” tha Bardhoku.

“Jemi 80 familje që ujin e pijshëm e mbushim me karrocë te stacioni i Trenit. Madje ka pasur disa familje, që edhe tokën që e kanë mbjellë e kanë blerë diku tjetër, pasi dheu i tyre ishte i ndotur nga Uzina,” tregon ai.

Bardhoku thotë se për ndotjen nga ish superfostfati kanë vënë në dijeni të gjithë institucionet por askush nuk ka reaguar.

“Dikur ka pasur një kanal kullues që të gjitha mbetjet që kullonin nga aktiviteti i superfosfatit i mblidhte dhe i derdhte në det. Tani ky kanali është bllokuar dhe për shkak se helmet janë në sipërfaqe, kur bie shi, ata kullojnë në tokë dhe na kanë helmuar çdo gjë,” tha ia, duke shtuar që sigurisht “e di që është i ndotur e nuk bën dhe ne nuk e pimë, por ama për t’u larë, për bimët, për kafshët dhe për tokën e përdorim.”

Për sa i përket ndikimit në shëndetin e popullatës, BIRN u interesuar pranë departamentit të mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik, i cili u shpreh që edhe pse ishte në dijeni të problematikës nuk kishe ndërmarrë akoma ndonjë monitorim në zonat e sipërpërmendura.

“ISHP nuk ka bërë ndonjë monitorim të situatës në këto zona, por as edhe një institucion shtetëror apo qeveritar nuk ka kërkuar kurrë një skanim të situatës për shkak të mbetjeve të trashëguara.”
Zgjidhja e vështirë
Aktivisti mjedisor Sazan Guri, i cili ka qenë pjesë e një studimi të PNUD, që identifikoi 35 zonat problematike mjedisore në vend, thotë se qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë në mënyrë urgjente.

“Shqipëria trashëgoi 35 zona të nxehta mjedisore, disa prej tyre janë rehabilituar si Lindani në Porto-Romano është kapsuluar dhe groposur. E njëjta skemë është përdorur edhe për arsenikun ën Fier, edhe zhiva në portin e Vlorës, e katërta është në Rubik, e pesta është në Bajzë që është pastruar,” tha Guri.

“Për 15 hotspote të tjera mjedisore, janë studimet e gatshme nga PNUD se për çfarë ndërhyrjesh kanë nevojë, sa është kostoja dhe si duhen bërë … por janë edhe 15 hotspote të tjera që janë të paprekura, as në fazë projektuese, as në fazë studimore, as në fazë fizibiliteti,” shtoi ai.

Sipas Gurit përveç atyre 5 hotspoteve që janë rehabilituar, të 30 pikat e tjera (15 të studiuara dhe 15 të pastudiuara ende) janë një kërcënim serioz, jo vetëm për banorët e këtyre zonave por për të gjithë popullsinë e vendit, pasi nëpërmjet shirave mbetjet e rrezikshme kullojnë, lëvizin nëpërmjet erës dhe rrymave të ajrit.

“Nuk e ekzagjeroj nëse them se rreth 2 milionë shqiptarë preken direkt apo inderekt nga ndikimi që këto hotspote kanë në shëndet,” tha ai.

Guri jep shembullin e tokave bujqësore pranë ish uzinës së baterive në Berat, të dhënat e së cilës nuk ka logjikë t’i shpjegojë përpos ndotjes.

“Unë besoj tek lidhja e ndotjes së mjedisit me shëndetin, ndaj është detyrë e shtetit të ndërhyjë për të minimizuar efektet që këto mbetje historike kanë. Është absurde që ata të kenë ndikim konkret dhe real edhe pas 27 vjetësh,” përfundoi ai.

Por pastrimi i hotspoteve mjedisore nuk është një sipërmarrje e lehtë. Kimisti Aurel Nuro, sugjeron se zgjidhja kërkon vullnet institucional.

“Nëse flasim për zonën e Roskovecit, apo për zonën e Myzeqesë, apo për një zonë që ka pasur depozitime që thjesht janë lënë në mëshirë të fatit dhe nga eksperienca e dimë që janë lënë, aty është e vështirë të përcaktohet se kur mund të pastrohet,” shpjegoi ai.

Përpjekjet e institucioneve në këtë drejtim janë në hapat e para.

Valbon Braimllari, drejtor i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) , thotë se qeveria kanë nisur një projekt për pastrimin e sipërfaqeve të tokave përreth veprave të rëndësishme industriale të kohës së regjimit komunist.

Sipas Braimllarit projekti financohet nga ministria e Bujqësisë dhe ka për qëllim të evidentojë të gjitha problematikat që u kanë dalë këtyre tokave..

“Grupi i ekspertëve do të nxjerrë konkluzione se çfarë kanë më tepër: plumb, magnez, hekur, zink , si është sipërfaqja e tyre dhe çfarë politikash duhen të ndërmerren,” shtoi Braimllari, i cili sqaron se projekti është kryesisht i fokusuar tek ish superfosfati në Laç, metalurgjiku në Elbasan dhe në Rubik.

Sipas tij “duke qenë se këto toka përmbajë metale të rënda dhe shpërbërja e tyre varion nga dhjetëra deri në 20-vjeçarë, mendojmë që krahasuar me tokat e tjera paraqesin një rrezikshmëri më të lartë dhe duhen politika të veçanta”.

Pedagogu Fatbardh Sallaku, mbetet skeptik për politikat e ministrisë së Bujqësisë në këtë fushë.

“Studimi i fundit për tokën bujqësore në Shqipëri është bërë para 40 vjetësh, nga viti 1978 deri më 1981. Sistemi aktual i taksave bëhet ende në bazë të këtij skanimi, por nga ’81 deri në 2017 kjo tokë ka mbetur në të njëjtën cilësi?” pyet ai.
Sipas Sallakut institucionet janë shumë të vonuara dhe është emergjente që të bëhet një hartë e detajuar e 500 mijë hektarë tokë bujqësore. Vetëm pas monitorimit të tokës bujqësore ekspertët mund të japin zgjidhje për pastrimin e saj nga pesticidet e rrezikshme si Lindani dhe DTT-ja.

“Ta zëmë: nëse toka është shumë e pastër mbillet sallata, spinaqi, pasi këto produkte vijnë direkt tek ne, pa kaluar asnjë lloj procesi më parë. Nëse toka është pak e ndotur atëherë ne sugjerojmë grurë, pasi ai duhet të kalojë disa procese deri sa të vijë në tryezë (bluarja, bëhet miell, pastaj bukë), nëse është akoma më e ndotur ne mbjellim misër, pasi ai do të shkojë njëherë tek bagëtitë, tek qumështi pastaj tek ne,” shpjegoi Sallaku.

“Sigurisht që nuk sugjerohet të mbillen perime në Elbasan, sallatë në Elbasan pasi konsiderohet shumë i ndotur,” shtoi ai.

Edhe profesor Nuro nënvizon se përpara se të ndërhyhet, duhet të studiohen dhe identifikohen vatrat kryesore të Lindanit dhe DTT-së.

“Duhet bërë një inventar shumë i mirë i të gjitha ish depove që kanë pasur të magazinuar këto insekticide. Të çohen njerëzit në çdo zonë, të mund të gjendet burimi, të bëhen edhe analizat, të merren mostrat dhe të bëhen verifikime. Sigurisht që numri i mostrave do të jetë shumë i madh, por nëse duam të dimë se si e kemi tokën, kjo është e vetmja zgjidhje,” tha ai.

“Pastaj duhen marrë në konsideratë ekspertët që këshillojnë se me çfarë kulturash mund të mbillet,” shtoi Nuro.

Në këtë situatë, duket se jo vetëm ata që merren me tokën bujqësore, por edhe konsumatorët janë lënë vetëm. Patatja e Divjakës është ndaluar të eksportohet në tregjet e BE, për shkakun se Shqipëria, nuk ka mundur të japë garanci, nëpërmjet analizave të certifikuara, për sigurinë e këtij produkti dhe tokat e kësaj zone janë ende në karantinë, por tregjet në Shqipëri janë mbushur plot me patate Divjake.

Në këtë amulli, ata që duan të punojnë me produktet bujqësore, duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen e këtij problemi. Sokol Stafa, i cili ka një kompani (Albinspekt) që merret me certifikimin e produkteve bio, thotë se në Shqipëria nuk mund të bëjë dot analizat për mbetjet kimike që ka një produkt, ndaj ata janë të detyruar t’i kryejnë jashtë vendit me kosto shumë më të larta.

“AKU bën vetëm analizat fitosanitare, që janë praktikat si është rritur bima dhe se çfarë është përdorur mbi këtë bimë, por kjo analizë nuk zbulon se çfarë mbetje mund të ketë lënë …por analiza që zbulon se sa është niveli i mbetjeve është analizë shumë e rëndësishme, ndaj ne i bëjmë në laboratorët jashtë vendit,” tha ai.

Sipas Stafës në produktet shqiptare shpesh kanë rezultuar mbetje të pesticideve me lindan dhe DDT të përdorura në kohën e komunizmit, sidomos në zonat ish kënetore si në Maliq dhe Lushnjë.

“Na kanë rezultuar mbetje te patatja sidomos, panxhari i sheqerit, etj në sasi jo shumë të mëdha, por penalizimi në këtë rast për eksportin është se niveli i mbetjes është më i madh se MRL që është masa e lejuar e mbetjes dhe ka pasur raste që e na ka dalë,” tha ai.

“Kur qeveria bën ata hartat e bukura se çfarë do mbjellim këtu apo çfarë do të subvencionojmë atje, duhet të marrë parasysh edhe këto probleme që janë në tokë,” përfundoi Stafa.

Pyetjes së BIRN nëse në AKU bëhen analiza të mbetjeve që lënë pesticidet, Autoriteti Kombëtar i pranon se këto analiza nuk mund të kryhen pranë laboratorëve të tyre, ndaj ata i delegojnë për ekzaminim pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

“Planit për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore, në produktet: mollë, rrush tavoline, domate, spec, kastravec, miell (misri, gruri), karota, patate, spinaq dhe sallatë jeshile për vitin 2017, të gjitha mostrat e marra nga AKU analizohen në Institutin e Sigurisë ushqimore dhe veterinarisë (ISUV),” sqaron zyrtarisht AKU.

Në rrethin vicioz, ku është futur prej vitesh bujqësia shqiptare, me rregulla të paqarta dhe larje duarsh nga të gjithë institucionet, pak besojnë se këta të fundit do t’i japin zgjidhje ndotjes së trashëguar në tokat bujqësore. Megjithatë, mosveprimi i institucioneve nuk i ka lënë fermerët dhe sipërmarrësit si Bardha Begaj duarkryq.

“Kur zbuluan që produktet kishin prani lindani, ekspertët danezë na sugjeruan që për ta pastruar duhet të mbillnim për tre vite me radhë spinaq dhe karota, dhe prodhimin ta hidhnim, pasi ata e thithnin dhe e pastronin strukturën e tokës nga lindani,” shpjegoi ajo.

“Dhe kështu bëmë e tani punojmë të qetë sepse e dimë se çfarë kemi, ashtu siç dimë edhe se çfarë përdorim vetë,” përfundoi Begaj.
Sigal