Iris XHANAJ*: Të diplomuarit jashtë shtetit sjellin frymë të re në sistemin gjyqësor

676
Ditët e fundit, Ministri i Drejtësisë Z.Ylli Manjani ka iniciuar dhe ka paraqitur për miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë projekt-ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8136, datë 31.07.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës”. Shoqata “Intelektualët Shqiptarë të Diplomuar në Itali” e cila ishte e pranishme edhe në diskutimin e organizuar për këtë çështje nga Ministri, përshëndet nismën dhe vlerëson se ndryshimet ligjore të propozuara janë të domosdoshme për të freskuar dhe përmirësuar sistemin tonë të drejtësisë. Opinioni publik vendas, Bashkimi Europian dhe partnerët ndërkombëtarë kanë konkluduar se është nevojë emergjente reformimi i sistemit tonë të drejtësisë dhe kanë kushtëzuar domosdoshmërinë e kryerjes së ndryshimeve rrënjësore, veçanërisht në përzgjedhjen e elementeve që ligji u ka dhënë eskluzivitetin të japin vendime “Në emër të Republikës”. 

Ky përfundim është bazuar në gjendjen aktuale të trupës gjyqësore, ku kanë arritur të penetrojnë shumë elementë të korruptuar e të paaftë, që kanë kompromentuar rëndë imazhin e një shoqërie të lirë e demokratike, me shtetas të barabartë para ligjit dhe me gjyqtarë të aftë e të zotë profesionalisht. Sot në panoramën e trupës gjyqësore krahas gjyqtarëve të devotshëm e të aftë, kanë mundur të qëndrojnë, si dhe të ngjisin shkallët e karrierës edhe disa gjyqtarë të kohës së diktaturës, që nuk kanë qenë asnjëherë zbatues të ligjit. Kësaj kategorie ju shtuan disa gjyqtare që u rekrutuan për nevoja emergjente pas ndryshimeve demokratike të pas viteve 90, por që për shkak të paaftësisë profesionale të tyre, nuk e justifikojnë pozicionin. Por ata të cilët nuk kanë vend në sistemin e drejtësisë janë gjyqtarët e korruptuar, që e kanë kthyer dhënien e drejtësisë në një aferë komerciale, që kanë plaçkitur prona e privilegje, që nuk vlerësojnë rrezikshmërinë e veprave penale apo dëmet pasurore por madhësinë e zarfeve që u afrohen, që kanë tjetërsuar prona dhe përvetësuar ato. 

Amoraliteti i tyre ka krijuar një mungesë të theksuar besimi në drejtësinë e vendimeve që japin trupat gjyqësore dhe ka ndikuar në nxitjen e vetëgjyqësisë. Kjo klimë mbytëse është krijuar jo vetëm nga politizimi i vendimeve apo i gjyqtarëve dhe presioni i politikës ndaj tyre, por edhe nga shpërdorimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe në veçanti nga mungesa e kontrollit dhe pandëshkueshmëria e gabimeve të tyre. Fakti që në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, me të njëjtat fakte, argumente e prova, jepen vendime që rrezojnë njëra-tjetrën, tregon se gjyqtarët qe i kanë dhënë ato ose janë të paaftë dhe duhet të lëshojnë urgjentisht zyrat e tyre, ose janë të korruptuar dhe urgjentisht duhet të përgjigjen para drejtësisë. Koha kërkon që këta të evidentohen nëpërmjet analizës së hollësishme të çdo vendimi të marrë për të mos lejuar që dosjet të flenë nëpër sekretaritë gjyqësore dhe gjyqtarët të mos përgjigjen për veprimet e tyre. Ka vend që të shikohet edhe ngarkesa e gjyqtarëve por edhe të disiplinohet puna e tyre pasi ka procese të tejzgjatura, seanca disa minutëshe e zvarritje të pajustifikuara që shkaktojnë mbingarkesë të buxhetit gjyqësor. 

Pastrimi i Sistemit të Drejtësisë
Duke parë gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor, Ministri i Drejtësisë, me të drejtë ka kërkuar pastrimin e sistemit nga gjyqtarët, që nuk e justifikojnë pozicionin e tyre të nderuar dhe zëvendësimin me elementë të rinj, të përgatitur e me kulturë perëndimore e mbi të gjitha të pastër dhe me integritet të lartë moral. Sot ka qindra djem e vajza të diplomuar në universitete jashtë vendit, të cilët aspirojnë të jenë pjesë e trupës gjyqësore jo për përfitime, por për të vënë në jetë atë kulturë profesionale dhe morale për të cilën kanë investuar pjesën më të mirë të jetës së tyre. Ky grup intelektualësh është i gatshëm të kontribuojë në përmirësimin e sistemit gjyqësor. Ingranimi tyre kërkon sigurimin e vazhdimësisë së karrierës, mundësinë e kualifikimit sa më shpejt si magjistrat, duke dhënë më shumë rëndësi praktikës gjyqësore dhe përgatitjes së dokumentacionit duke përshpejtuar programet e shkollës së magjistraturës. Ka shumë prej tyre që punojnë si juristë në administratën publike apo në zyra avokatore, brenda apo jashtë vendit, të cilët kanë formuar profilin e tyre profesional dhe janë të gatshëm të përfshihen në trupën gjyqësore dhe të vazhdojnë Shkollën e Magjistraturës në mënyrë të përshpejtuar. Liberalizimi i pranimeve në Shkollën e Magjistraturës do krijojë konkurrencën profesionale dhe do detyrojë çdo gjyqtar të jetë përherë në studim dhe veprimtari krijuese. Dëshiroj së fundmi ta mbyll: Që të japësh drejtësi duhet të jesh vetë i drejtë dhe skllav i ligjit. Tingëllon aktuale thënia e Marthin Luter King, se “Padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë, kudo”. 
*(Presidente e Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë të Diplomuar në Itali)
Sigal