Irena Islami/ Bashkëpunimi i suksesshëm i KLSH-së me institucionet simotra europiane

722
Në bazë të Nenit 15 të Deklaratës së Limës, të parimeve të përbashkëta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) si edhe të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), KLSH ka nënshkruar në katër vitet e fundit, marrëveshje bashkëpunimi me shumë Institucione Evropiane Supreme Auditimi. Marrëveshjet e nënshkruara me NIK-un Polak, Gjykatën Austriake të Auditimit, Gjykatën Turke të Llogarive, SAI-et e Kroacisë dhe Sllovenisë dhe në nivel rajonal, me SAI-et e Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës e Maqedonisë dhe së fundmi me Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës Çeke kanë kontribuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së.
Si rezultat i këtyre bashkëpunimeve vetëm gjatë vitit 2015 janë trajnuar pranë Gjykatës Turke të Llogarive 36 auditues të KLSH-së dhe pothuajse të gjithë audituesit e KLSH-së kanë marrë pjesë në një trajnim pranë kësaj Gjykate në periudhën 2012-2016. Gjithashtu, referuar Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar me NIK-un Polak, 24 auditues u trajnuan pranë këtij institucioni në vitin 2015, lidhur me tema që lidhen me llojet e ndryshme të auditimit që realizohen nga ky institucion. Gjithashtu vizita pune me grupe audituesish janë realizuar në SAI-t e Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
KLSH nuk është kufizuar vetën në marrëdhëniet dypalëshe, por ka qenë shumë e hapur dhe ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin multilateral, duke marrë pjesë dhe duke qenë institucion aktiv në shumë grupe pune dhe aktivitete të organizuara nga INTOSAI dhe EUROSAI dhe konkretisht: 
– Në grupin e punës për rishikimin e ISSAI 30, Kodit të Etikës së INTOSAI-t, në të cilin KLSH ka paraqitur propozimet e tij në takimet e zhvilluara gjatë viteve 2013-2015; 
– Në takimet e grupit Task Force të EUROSAI-t për “Auditimin dhe Etikën” (TFA&E). Në cilësinë e anëtarit të këtij grupi dhe të interesit në rritje të institucionit për këtë çështje, KLSH ka ndjekur gjithnjë me interes aktivitetet e këtij grupi pune të rëndësishëm të EUROSAI-t, i cili trajton një prej çështjeve më aktuale për administratën publike, etikën, e cila është e lidhur direkt me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Trajtimi i kësaj teme është me rëndësi prioritare për Institucionet Supreme të Auditimit, të cilat janë të ngarkuara me mbikëqyrjen e menaxhimit të shëndoshë të financave publike; 
– Në takimet e Grupit të punës për Auditimin e fondeve të alokuara për fatkeqësitë dhe katastrofat;
– Në takimet e grupit të punës për auditimin e Mjedisit dhe në Grupin e Punës për auditimet IT, etj;
– Në auditimet paralele, veçanërisht në fushën e auditimit të performancës dhe ruajtjes së mjedisit, të cilat janë drejtuar nga SAI suedez në bashkëpunim me Gjykatën Evropiane të Audituesve (ECA).
– 
Përgjatë vitit 2015, KLSH ka marrë pjesë në 59 aktivitete të rëndësishme, si kongrese, konferenca, takime, seminare, trajnime
Përgjatë vitit 2015, KLSH ka marrë pjesë në 59 aktivitete të rëndësishme si Kongrese, Konferenca, takime, seminare, trajnime, (këto të fundit edhe në kuadrin e zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me SAI-et homologe), në të cilat është përfaqësuar nga 136 auditues, shifër kjo e paperceptueshme katër vite më parë. Përfitimi i statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE, solli për KLSH-në edhe intensifikimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit konkret me ECA-n, Gjykatën Europiane të Audituesve. Një tjetër vlerë e shtuar kjo për institucionin, ku KLSH përfiton nga përvoja më e mirë e një prej institucioneve më prestigjioze evropiane. Për herë të parë, gjatë vitit 2015, 4 auditues të KLSH-së kanë qenë pjesë e strukturave të ECA-s për një periudhë 5 mujore, duke përfituar nga programet e internshipit të këtij institucioni, të drejtën për të kontribuar pranë departamenteve dhe drejtorive të ndryshme të ECA’s. Ky bashkëpunim po vijon dhe aktualisht tre auditues të tjerë të KLSH-së po kryejnë internshipin pranë ECA’s. Vlen për t’u theksuar fakti që KLSH ka rivendosur vitin e fundit bashkëpunimin me Zyrën e Auditimit te Qeverisë së Shteteve të Bashkuara(GAO) dhe aktualisht një audituese e KLSH-së po ndjek një fellowship 4 mujor pranë kësaj zyre, që do të jetë pa dyshim një eksperiencë pozitive dhe shume dobiprurëse për ne. KLSH, në kuadër të asistencës për Shqipërinë dhe të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit, IPA 2013, komponenti i I-rë, ka fituar një financim nga Bashkimi Evropian për “Forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm” me vlerë 2.11 milionë euro. Ky projekt i financuar nga BE, me kohëzgjatje 2 vjeçare ka filluar në mars të këtij viti dhe do të implementohet nga dy SAI të Bashkimit Evropian, NIK-u Polak dhe SAI Kroat. Bashkëpunimi me NIK-un Polak, edhe për shkak të Projektit IPA vijon me intensitet dhe përveç marrëveshjes së vitit 2012, e cila ka pasur rezultate konkrete shumë pozitive, në mars të këtij viti Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Leskaj dhe Presidenti i Zyrës Supreme të auditimit të Polonisë z. Kwiatowski nënshkruan në Poloni një Deklaratë të Përbashkët, nëpërmjet së cilës të dy institucionet angazhohen për implementimin dhe arritjen e objektivave të projektit të binjakëzimit sipas kontratës Twinning, duke vlerësuar maksimalisht këtë projekt dhe duke angazhuar stafin më të kualifikuar të të dy institucioneve.
Të gjitha këto aktivitete kanë ndikuar në rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH dhe gjithashtu kanë motivuar punonjësit në punën e tyre të përditshme sepse ndihen të vlerësuar për kontributin që japin në zbatimin e objektivave të institucionit. Nga ana tjetër, KLSH është kthyer në një institucion që thotë fjalën e tij zëshëm në të gjitha strukturat evropiane dhe ndërkombëtare të auditimit, duke kontribuar modestisht në zhvillimet dhe sfidat e Institucioneve Supreme të Auditimit, pasi audituesit e KLSH-së janë rritur profesionalisht dhe janë pjesëtarë aktivë dhe me kontribute konkrete në shumë grupe pune. Këto rezultate janë arritur falë filozofisë së re të drejtimit dhe modernizimit të institucionit, duke pasur si qëllim që veprimtaria audituese të jetë në përputhje të plotë më standardet e INTOSAI-t. Vetëm auditues profesionistë, të përgjegjshëm, të paanshëm dhe sigurisht të vlerësuar për punën që kryejnë, mund të realizojnë këtë qasje moderne të institucionit.
Sigal