Irena Beqiraj: Akademia e shkencave dhe bijtë e Shekullit të Ri

937
Sigal

Bijtë e shekullit të ri që kërkojnë të ardhmen në gërmadhat e të kaluarës!

 

Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave

Në shekullin e 16-të, Akademia Francese u krijua si një bashkim i 40 mendjeve më të bukura të Francës! Numri simbolik 40 i anëtarësisë, u respektua edhe në Shqipëri, kur më 1972, u caktua që 40 mendje të bukura e të mençura duhet të kishte edhe Shqipëria në Akademinë e Shkencave. Ndërkohë që satiriku, Piron, për cilësinë e 40 mendjeve franceze thoshte “40 vetë me mendje sa për katër”. Luigji XIV i vuri Akademisë Franceze detyrë kryesore t’i thurte lavde atij vetë. “Ju zotërinj, – mund ta kuptoni se sa nderim kam për ju, përderisa ju kam besuar gjënë më të shtrenjtë në botë, lavdinë time!” Objektivat që i vendoseshin Akademisë përcaktonin edhe kriteret e përzgjedhjes. Ky është parim universal. Problemi qëndron tek objektivat. Në shekullin e 21-të në Shqipëri gërmohet, qëmtohen, në gërmadhat e të kaluarës, për të çuar përpara shkencën që i takon, më së shumti, së tashmes edhe të ardhmes. Dëgjoja një ditë një nga përfaqësuesit e opozitës, i cili kërkonte qeveri teknike me personalitete të shquara të 30 viteve të tranzicionit, të cilët nuk e nxorën dot vendin nga tranzicioni. Kërkonte qeveri me njerëz, të cilët me veprimet, mosveprimet, heshtjen e tyre kanë kontribuar në tranzicionin e gjatë, edhe shpejtësinë e ulët të zhvillimit. Sikur të kishim mundësi të ngrinim të ndjerin Adil nga varri, nuk do të kurseheshim ta vinim në krye të Qeverive të Shpëtimit. Thërrasim ish-liderët e së kaluarës të shpëtojnë të tashmen e të na tregojnë rrugën drejt të ardhmes.

Ku janë bijtë e shekullit të ri?

Intelektualët e të sotmes duhet të marrin një minutë e të reflektojnë! Mbi interesat personale e supës së ngrohtë të darkës duhet të mendojnë çfarë ndodh edhe pas derës së shtëpisë së tyre. “Ne jemi të bijtë e shekullit të ri, që nuk mundem ta linim kurrë plakun në shenjtërinë e tij”, duke e lënë një popull të tërë të kërkojë të ardhmen në mbetjet e gërmadhave të se kaluarës.