IQT kontroll mbi cilësinë e naftës “Në 2014-n, 281 subjekte u gjobitën”

479
Sigal

TIRANË – Një dëm të konsiderueshëm në ajrin që thithim çdo ditë e shkakton cilësia e karburanteve që përdorin automjetet në vendin tonë. Nga ana tjetër një karburant pa cilësi sjell edhe amortizimin më të shpejt të automjeteve.
 
Ndërkohë që opozita gjatë kësaj të hënë protestoi për çmimin e karburanteve, Inspektorati Qendror Teknik nisi kontrollin rutinë në kryeqytet për cilësinë e karburanteve që përdor konsumatori shqiptar.
 
Sipas drejtoreshës së IQT Ejana Xhixha vetëm në vitin 2014 janë gjobitur 281 subjekte karburantesh, nga të cilat 220 prej tyre kanë pasur probleme me cilësinë dhe 61 pika karburantesh nuk kanë pasur dokumentacionin e duhur.
 
“Gjatë vitit 2014 janë penalizuar 281 subjekte, gjithashtu janë propozuar 39 raste për pezullim liçense, 4 prej të cilave janë revokuar përfundimisht ndërsa 35 prej tyre në momentin e përmbushjes të kërkesave të lëna gjatë akteve të inspektimit dhe pezullimit 90 ditor që ligji parashikon, janë rikthyer në funksionin e tyre tregtar”, u shpreh drejtoresha Xhixha.
 
Xhixha i bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të bashkëpunojnë me IQT, për të denoncuar çdo rast abuziv me cilësinë e karburanteve , duke treguar emrin e kompanisë përkatëse dhe vendndodhjen e pikës së karburantit.