Inxh. Qerim Ismeni/ Kërcënimet e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

1683
Sigal

-Forma dhe përmbajtja, ose silikoza nga minierat, deri në vitin 1976 – sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

-Ky bulevard u projektua nga inxhinier italian që në vitin 1923, përfundoi së ndërtuari në vitet 1930-1931

– I shtruar me pllaka bituminoze, u dëmtua nga tanket T-72 në paradat e ushtrisë, me rastin e ditës së Çlirimit të Atdheut

– Në këtë rikonstruksion në vitin 2005, bazamenti i bulevardit u betonua në një gjatësi afër 1700 metro dhe gjerësi 31.5 m

– Afër 10 vjet që ka mbaruar ky rikonstruksion, ndotja që helmon njerëzit dhe shpenzimet për mirëmbajtje nuk kanë të ndalur

– Si u ideua, projektua, kush e bëri reçencën teknike, se si u miratua dhe së fundi si u tenderua e realizua dhe se kush e supervizoi bulevardin?

– Në gjithë gjatësinë e bulevardit nuk ka asnjë pikë matje të ndotjes nga pluhuri

-Me këtë instruksion, në bulevardin tonë ndotja nga pluhurat vazhdimisht është mbi normat e lejuara, me përjashtim të ditëve me shi

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë –ndotja urbane nga pluhuri në Shqipëri ju merr jetën mesatarisht afër 500 vetave në vit, ose kemi humbje jetëgjatësie mesatarisht 1.5-2 vjet

Që të analizosh raportin midis të bukurës dhe funksionales apo formës dhe përmbajtjes, duhet t’i referohesh filozofisë –nga ku rezulton se forma konsiderohet si një enë ku derdhet përmbajtja dhe se raporti formë-përmbajtje sipas Jakobson është raporti midis enës dhe përmbajtjes. Sipas vlerësimeve të autorëve të ndryshëm, rezulton se këto dy terma të shprehjes së materies janë në raport rigorozisht të përcaktuara, ku forma pa përmbajtje s’ka asnjë shumë vlere, ose është afër zeros, ndërsa e kundërta – përmbajtja pa formë është si një mall pa reklamë, megjithëse mund të jetë “bio”!  Hyra në këtë analizë si nevojë e korrigjimit të një gabimi (mbase po të ishim 27 vjet përpara, të një sabotimi) lidhur me rikonstruksionin e bulevardit të Tiranës nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek stacioni i trenit, që ndan Tiranën në dy pjesë, në aksin jug- veri. Ky bulevard dikur ishte një shëtitore e mrekullueshme, krenaria e kryeqytetasve, sot fatkeqësia e tyre nga mendja dhe dora e paditur, për të mos thënë e babëzitur për para, që ideuan dhe realizuan rekonstruksionin e tij duke e kthyer në fatkeqësi për përdoruesit e tij. Lind pyetja: Pse?! Ky bulevard u projektua nga inxhinier italian që në vitin 1923, përfundoi së ndërtuari në vitet 1930-1931, i shtruar me pllaka bituminoze, u dëmtua nga tanket T-72 në paradat e ushtrisë me rastin e ditës së Çlirimit të Atdheut, me një periodicitet pothuajse një herë në pesë vjet në periudhën e komunizmit. Me ardhjen e demokracisë, me shtimin e automjeteve në përdorim vetjak, lindi nevoja për rikonstruksion. Duke u nisur nga fakti se si u realizua ky rikonstruksion, mund të them se projektuesit janë udhëhequr më tepër në trajtim të formës, dukjes, aparencës, të bukurës, duke harruar përmbajtjen apo funksionalen. Në këtë rikonstruksion në vitin 2005, bazamenti i bulevardit u betonua në një gjatësi afër 1700 metro dhe gjerësi 31.5 m dhe mbi beton u vendos shtrat i butë me rërë shtufi (rërë kuarcore), bile edhe rërë lumi vende-vende dhe të pa larë – nënkupto rërë, bashkë me oluvione argjilore në të. Praktika – pllaka mbi shtrat të butë, zakonisht prej rëre, aplikohet në trotuare për të mundësuar infiltrimin e ujit të reshjeve për nevojat e gjelbërimit (pemëve anës rrugëve) e jo për rrugë ku kalojnë makinat. Mbi shtratin e butë u vendosën pllaka dhe mbi pllaka do të lëvizin makinat. Kjo ka bërë që sot, afër 10 vjet që ka mbaruar ky rikonstruksion, ndotja që helmon njerëzit dhe shpenzimet për mirëmbajtje nuk kanë të ndalur. Se si u ideua, projektua, se kush  e bëri reçencën teknike, se si  u miratua dhe së fundi si u tenderua e realizua dhe se kush e supervizoi-të paktën qytetarët sot duhet ta dinë. Kjo kërkesë për vetë faktin se ky rikonstruksion tashmë është i dështuar dhe se ky bulevard është kthyer në një rrugë me burime rreziku të shtuar ose mund të krahasohet me mollën e bukur me helm, që shtriga i jep Borbardhës tek filmi për fëmijë “Borbardha dhe 7 Xhuxhët”. Të ecësh në bulevard rreziku është i lartë:-PSE?! Po filloj nga më e thjeshta: 1. Pllakat kanë filluar të dalin dhe në se një pllakë pickohet nga gomat e makinave në lëvizje – rreziku për aksident për këmbësorët në trotuar, pasagjerin në mjetin në krah apo mbrapa është i lartë. 2-Në ditët me shi, automjetet që lëvizin përveçse lajnë njëra tjetrën me baltë të holluar që del nga shtrati i butë, rrezikojnë të lajnë edhe këmbësorët në trotuar. 3- Si rezultat i prishjes së gjeometrisë (trasesë) që tashmë ngjan me një rrugë miniere, përshpejtohet amortizimi i automjeteve që kalojnë mbi të. 4- Sapo pushon shiu dhe fillon të thahet, balta kthehet në pluhur qe fluturon në ajër nga lëvizja e makinave dhe depoziton mbi këmbësorët që e marrin për në shtëpi. Sasia e pluhurave në veshje e trup, që është e keqja më e vogël, hiqet në dush e lavatriçe, por pjesën që hyn në mushkëri si ta heqim?! Sipas ligjit të Lomonosovit, asgjë nuk lindi, asgjë nuk humbi, çdo gjë u transformua. Rëra, argjila, pjesë e shtatit të butë, hiqet nga nën pllakat, fluturon në ajër, prandaj traseja e gjithë bulevardit është e dëmtuar, por në mënyrë të veçantë pjesë të bulevardit “ Zogu i Parë”. Niveli i ndotjes nga pluhurat është i dallueshëm me sy të lirë vetëm atëherë kur kalon shumëfish normat e lejuara. Pra, në bulevardin tonë ndotja nga pluhurat vazhdimisht është mbi normat e lejuara, me përjashtim të ditëve me shi. Në gjithë gjatësinë e bulevardit nuk ka asnjë pikë matje të ndotjes nga pluhuri. Për të përafruar gjykimin, po japim përmbajtjen mesatare të pluhurit,  në 5 pikat e matura , në 5 vitet e fundit në Tiranë:

Fraksioni i pluhurit                                                                       Fakt     Norma e lejuar

                                                                                                       Shqipëria          B.  Europian

LNP (Lëndë e Ngurtë Pezull, në mg/m³                                  172                         140                       –

PM10 (grimca me diametër <10 mk),në mg/m³                 163                          60                       50 PM2.5(grimca me diametër <2.5mk                                              -                             25                    15

Shtrohet pyetja: Po në bulevard që janë të pa matura, sa  është  niveli? –Me siguri shumëfish. Ndotjes nga rëra e shtufit të ndodhur nën pllaka i shtohet dhe ndotja nga rëra e shtufit, e freskët, që hidhet nga punonjës të Bashkisë, menjëherë pas shiut, kur pllakat kanë lëvizur për mbushjen e fugaturave (hapësirave midis pllakave që kanë lëvizur nga foleja) ku mund të përmend datën 08.12.2014, (Dita Botërore e të drejtave themelore të njeriut,) tamam për ironi sikur e drejta për mjedis të pastër të mos jetë një nga të drejtat themelore të njeriut, e përsëritur me dt. 10.02.2015, por me një ndryshim që në vend të rërës së shtufit u përdor rërë nga gëlqerorët. Siç u shpreha më lart –mirë kostoja – se kur s’kemi mënd,duhet të kemi këmbë– pra kosto të rritura për mirëmbajtjen e bulevardit, kosto të rritura për higjienën e trupit, makinave, larje vetëm larje, por kemi kosto jetësore: Çfarë shkaktojnë pluhurat? Sipas institutit të shëndetit Publik (prof. Agron Deliu) vendi ynë klasifikohet si më i ndoturi në Europë ose i krahasueshëm me Nju Delhin apo Pekinin. Këto ndotje kalojnë 4-5 herë  normën e lejuar, me pasojë kancer të mushkërive me 1400-1500 raste të reja/vit, nga të cilët afër 150 apo 10% vdekje. Këtu dua të shtoj se rasti i bulevardit, kur shtrati i butë – burimi i pluhurit- është rërë me përmbajtje afër 80%  SiO2 (dyoksid siliciumi) i favorizuar nga gazet e tymit të makinave, zhvillon një proces katalitik të përshpejtuar të silikozës në mushkëri (organet e frymëmarrjes)–sëmundje e pakurueshme.

Mundësitë për SILIKOZ në miniera u stopuan me vendosjen e shpimit, lagur në vitin 1976, por u favorizuan me rikonstruksionin e bulevardit të Tiranës që nga viti 2005 e në vazhdim, që tashmë mund të quhet rikonstruksion i dështuar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë –ndotja urbane nga pluhuri në Shqipëri ju merr jetën mesatarisht afër 500 vetave në  vit, ose kemi humbje jetëgjatësie mesatarisht 1.5-2 vjet. Sa më sipër, i bëj thirrje Bashkisë Tiranë si autoriteti përgjegjës që të ngrejë një grup pune për të analizuar me përgjegjësi problemin “Bulevardi” dhe për të propozuar zgjidhjen, ku natyrisht unë si autor i këtij shkrimi jam i gatshëm të jap kontributin tim.