Inxh. Niko NASKA/ Përmbytjet, gazsjellësi TAP dhe energjetika

622
  1. Përmbytjet
Sigal

 Ditët e para të muajit shkurt, zonat e Jugut të vendit tonë përjetuan situata shumë të vështira nga reshjet e dendura atmosferike dhe dalja e ujit nga shtretërit e lumenjve të cilët i përmbytën këto zona. Analizat e shkaqeve të përmbytjeve janë bërë nga shumë analistë e specialistë të fushës, por për efekt të këtij shkrimi do të përmend disa prej tyre si:

  • Intensiteti i lartë i rënies së reshjeve të shiut në një periudhë shumë të shkurtës kohe;
  • Prishjet e argjinaturave, pendave, pritave, veprat drenazhuese etj.;
  • Prerjen e drurëve dhe shpyllëzimin masiv të pyjeve brenda pellgut ujëmbledhës të lumenjve;
  • Ndërtimet e shumta pa kriter nen kuotën kritike te nivelit te ujërave;
  • Shfrytëzimi pa kriter i shtretërve të lumenjve, duke i marrë materialet inerte për ndërtim të objekteve e veprave të ndryshme ndërtimore etj.

Këto përmbytje treguan se gjatë këtyre 20-25 vjetëve të fundit, nuk është treguar kujdesi i duhur i këtyre veprave si dhe trajtimi, mirëmbajtja e monitorimi i tyre lënë shumë për të dëshiruar.

  B. Gazsjellësi TAP

 Gazsjellësi TAP, me gjatësi 209 km, (në territorin e vendit tonë) kalon nga lindja në perëndim, duke përshkruar zona me bimësi të përhershme, zona të pyllëzuara, kullota, plantacione ullinjsh, vreshta, pemë frutore, pyje bregore të pasura, lagunat bregdetare, përshkon lumin Devoll, lumin Osum, grykëderdhjen e lumit Seman dhe rrjedhje të tjera të vogla që kanë habitat ujor të rëndësishëm nga pikëpamja ekologjike etj. Në fazën e ndërtimit të këtij gazsjellësi ai do të kryqëzohet me rreth 372 rrjedha ujorë me përmasa të ndryshme ku më të mëdha këto çarje do të jenë me lumenjtë Osum dhe Seman, do të kryqëzojë kanalet vaditës kryesisht në zonën e Devollit, Korçës, Beratit e Fierit, si dhe do të kryqëzohet me veprat drenazhuese për kontrollin e përmbytjeve në fushën bregdetare të Fierit, do të prekë argjinaturat, pritat e pendat mbrojtëse të lumenjve e përrenjve që kryqëzohet (ndërpritet në to). Në të gjithë gjatësinë e tij do të hapet një “trase pune” me gjerësi që varion  (18-28-35 ml), sipas zonave ku ai kalon, duke zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 795 ha tokë, brenda kësaj sipërfaqeje do të shpyllëzohen 244 ha pyje. Gjithashtu në fazën e ndërtimit do të shpronësohen 69 ha tokë për ndërtimin e dy stacioneve të kompresorëve, 06 ha tokë për ndërtimin e 10 stacioneve të valvulave të bllokimit, 140 ha tokë për ndërtimin e 69 km rrugëve të reja dhe të 89 km rrugëve ekzistuese që përmirësohen. Këto të dhëna janë vetëm për projektin TAP të linjës kryesore, i cili kalon tranzit në vendin tonë, por për projekte të tjera si linja e gazsjellësit për tu lidhur me vendet fqinjë si dhe projektet për gazifikimin e vendit tonë me gaz nga ky projekt, treguesit dhe të dhënat sigurisht janë edhe shumë herë më të mëdha. Në fazën e ndërtimit të gazsjellësit TAP e në vijueshmëri, rreziku i përmbytjeve të këtyre zonave ka tendencë vazhdimisht në rritje.

C. Energjetika

Pa energji, asgjë nuk do të ekzistonte. Fizikanët kanë formuluar dy ligje themelore të energjisë, të cilët duken që të jenë të vërteta për të gjitha kohërat dhe vendet. Këto njihen si ligje të termodinamikës, ligji i pare ai i konservimit, “energjia nuk mund të krijohet apo të shkatërrohet vetëm sa shndërrohet duke e shfaqur veten në forma të ndryshme-mekanike, kimike, nukleare, termike, termo-mekanike, gravitacionale, të cilat mund të konvertohen nga njëra formë tek tjetra” dhe ligji i dytë konsiston në atë që energjia gjatë konvertimit nga një formë në tjetrën një pjesë e saj zhduket, prandaj burimet e energjisë janë gjithmonë të limituara dhe ekzistenca nuk është asnjëherë “udhëtim i qetë”.

Vendi ynë është një vend me pasuri  dhe rezerva energjetike kështu energjia ujore është një ndër burimet energjetike të pa shfrytëzuara plotësisht, aktualisht shfrytëzohet 35-38%, energjia termike e lëndëve djegëse (qymyr, linjit, naftë, gaz natyror, gaz furrnalte etj.), energjia erës, diellore, gjithashtu janë rezerva energjie pothuajse të pa shfrytëzuara etj. Por nëpërmjet gazsjellësit TAP (Trans Adriatik Pipeline) vendi ynë lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit dhe në perspektivë gazsjellësi “Jonian-Adriatik” si një projekt që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë.

Si linja tranzit, këto gazsjellës janë me leverdi ekonomike për vendin tonë, por që të bëhet gazifikimi i vendit me gazin e këtyre gazsjellësve kërkohet një studim i mirëfilltë dhe i krahasueshëm me burimet e erës, diellit, hidrike, gazit natyror të vendit etj., pasi saraçineskën e furnizimit me gaz nga këto linja gazsjellësi e kanë shtetet fqinjë. Po të kihet parasysh, për shembull, kushtet e favorshme të vendit tonë për shfrytëzimin e erës për qëllime energjetike parametrat e të cilëve si: shpejtësia mesatare, sasia e orëve me erë në vit, zonat atraktive etj., studimet të çojnë se kjo energji duhet zhvilluar në vendin tonë. Po kështu edhe energjitë e tjera të rinovueshme. Për sa më sipër, përmbytjet–gazsjellësi TAP-energjetika, janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën në këtë fazë studimi, riparimi i veprave hidrike të dëmtuara nga ujërat e lumenjve e përrenjve, ndërtimit të gazsjellësit TAP dhe perspektivës se “energjifikimit” të vendit tonë. Kështu, riparimi i argjinaturave, pendave, pritave, veprave drenazhuese etj., në vendet ku kryqëzohen me linjën e tubacionit të gazsjellësit, duhet të rakordohen me njëra-tjetrën në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi përsëritje (prishje-ndreqje) të punimeve ndërtimore. Aktualisht kërkohet përcaktimi i kuotave kritike të niveleve të ujërave të lumenjve në mënyrë që të mos lejohen të ndërtohen objekte nën këtë kuotë, në këto kushte kërkohet të rishikohen kuota e ndërtimit të stacioneve të kompresorëve të gazit për linjën e gazsjellësit TAP. Përmbytjet-gazsjellësi TAP dhe energjetika janë në vëmendjen e institucioneve dhe organeve përkatëse që merren çdo ditë me to, por koordinimi i punëve ndërmjet tyre kërkon një vëmendje të veçantë nga shteti ynë.