Investimi në sektorin e peshkimit, mënyra e përkryer për të tërhequr turistët vendas dhe të huaj

1141
Peshkimi në lumenj është një veprimtari e njohur dhe e hershme, e cila filloi të organizohej në grupe e skuadra të veçanta që në vitet 1946-1950. Krijimi i kooperativave të para të peshkimit, të cilat më vonë u shndërruan në ndërmarrje, i dhanë një shtysë të re veprimtarisë së peshkimit, sidomos në lumenjtë kryesorë si Buna, Drini, Mati, Drini i Lezhës, Shkumbini, Erzeni, Semani, Vjosa, Drino, etj. Me forcimin e ndërmarrjeve të krijuara dhe shtimin e përhapjen e përvojës së fituar u bë e mundur të rritet sasia e peshkuar në lumenj dhe grykëderdhjet e tyre. Në zona të veçanta, larg ndërmarrjeve të fuqishme si ato të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Sarandës etj, peshkimi në lumenj iu besua kooperativave bujqësore si grupe peshkimi të cilat furnizoheshin me mjete dhe u jepej ndihmë teknike nga ndërmarrjet e përmendura me lart.
Llojet kryesore të peshqve
Llojet kryesore që peshkoheshin deri në vitet ‘90 ishin kryesisht skobuzi, mrena, mlyshi (kleni), trofta. Krahas këtyre llojeve peshkoheshin në sasira më pak të rëndësishme edhe cironka, skorti me vizë, mrena e egër, mustakori, skorti i zi e i bardhë, troftat e malit. Kjo e fundit në disa lumenj malorë zë peshën kryesore.
Lloje të tjera si kubla, qefulli i verës dhe qefulli i vjeshtës, të vegjlit e ngjalës që ziheshin jo vetëm në lumenj, por edhe në grykëderdhjet e tyre. Sasia prej rreth mijëra kv që peshkohej çdo vit kishte sigurisht rëndësi ekonomike për zona të veçanta, sidomos ato malore, si dhe luante rol të rëndësishëm edhe për punësimin e njerëzve në këto zona. Krahas kësaj, rëndësi më të madhe kishte ruajtja e rezervave të peshkut, zbatimi i ligjit të peshkimit, mbrojtja e vendeve të riprodhimit dhe strehimit të të vegjëlve të tyre.
Grupet e peshkatarëve, që në të shumtën e rasteve e kishin peshkimin veprimtarinë e tyre kryesore ekonomike, ishin shndërruar në mbrojtësit e parë të ligjshmërisë. Veprimtaria e tyre zhvillohej mbi baza e kritere të njohura teknike që garantonin një zhvillim deri diku të qëndrueshëm të rezervave peshkore e për rrjedhojë edhe të peshkimit në zonat që mbulonin. Ata kujdeseshin veçanërisht që gjuetia të zhvillohej pas riprodhimit të peshqve dhe ruanin me rigorozitet vende të caktuara që njiheshin, në të cilat grumbulloheshin për strehim të vegjlit e peshqve për një periudhë të caktuar kohore. 
Pak më lart evidentuam sasitë e peshkut që ziheshin në grykëderdhjet e lumenjve për të theksuar një fakt që është shumë më i rëndësishëm se prodhimi që peshkohej në to. Është fjala për të vënë në dukje rolin e pazëvendësueshëm që kanë ato si baza kryesore të ushqimit e strehimit të peshqve të rëndësishëm detarë si qefulli, levreku, kocat e ndryshme, ngjala (e cila lumenjtë i ka si rrugë kalimi për te liqenet) dhe disa lloje molusqesh. Për mbrojtjen e tyre përveç ligjit të peshkimit janë në fuqi edhe konventa ndërkombëtare. U ndalëm të grykëderdhjet sepse mbrojtja e tyre është e lidhur ngushtë me mënyrën se si i mbrojmë ne lumenjtë nga ndërhyrjet e papërgjegjshme që bëhen në to, si për inertet, devijimet për qëllime të ndryshme ekonomike si ndërtimi hidrocentraleve, kanaleve kullues e vaditës, ndërtimet në to ose në afërsi të shtratit të tyre etj.
Trajtimi serioz i lumenjve merr rëndësi të veçantë lidhur me faktin se disa prej tyre (Drini, Buna) shërbejnë për furnizimin e liqeneve kryesore të vendit tonë si liqeni Shkodrës dhe Ohrit me peshk (riprodhues ose të vegjël të peshkut -ngjala) dhe kuptohet edhe me ujë e lëndë ushqimore që ato sjellin. Shumë serioze është gjendja e furnizimit të liqenit të Ohrit me të vegjël të ngjalës. Para ndërtimit të digës (ura e Spatharit) kishte furnizim normal. Pas ndërtimit të saj të vegjlit zvarriteshin në skarpatet e kësaj prite dhe kuintalë të tërë bëheshin pre e fshatarëve që i peshkonin me qëllim përdorimin e tyre si ushqim për derrat e shpendët. Resurset e lumit të Bunës janë peshqit: krapi, qefujt, karasi, ngjala, kubla, blini, të cilët janë një pasuri e madhe e këtij lumi, i vetmi i lundrueshëm në vendin tonë. 
Llojet e peshqve:
Krapi 
Krapi është peshk i ujërave të ëmbla. Bën pjesë në familjen Cyprinidae, një familje ku bëjnë pjesë shumë lloje të tjera peshqish të tillë. Është peshk gjithçkangrënës, dhe ushqehet kryesisht me alga, bimë ujore, krimba, kërmij dhe gjallesa të tjera ujore. Krapi jeton në mjedis ujore të ndryshme, nga liqenet e thella, në pellgje moçalorë e këneta. Mund të arrijë përmasa prej 100-110 cm dhe peshë prej 15-20 kg.
Trofta
Trofta është peshk i ujërave të ëmbla që jeton në shumicën e lumenjve të Shqipërisë.
Është peshk mishngrënës, jeton dhe në liqen, sicc është ai i Ohrit.
Mlyshi (Kleni)
Peshk i ujërave të kalueshme, preferon ujin e freskët dhe të pastër, si ngrënës i madh , nuk zgjedh ushqim. Arrin deri në 5 Kg . Peshkohet me peshq të vegjël të gjallë, skraja , krimba, kumbulla, qershi, mana, insekte. Mund të jetoj deri në 12 vjet. 
Mrena 
Është më e preferuara nga peshqit e lumenjve. Është peshku më luftarak i lumenjve. Është shumë e ndjeshme ndaj temperaturave të ftohta, si fillon të ftohet uji menjëherë futet në baltë apo qoshe të nxehta dhe nuk del derisa të nxehet uji. Ky lloj peshku është në të gjithë lumenjtë e vendit tonë.
Gjendja e lumenjve kryesorë të vendit
Po të bëjmë një krahasim të thjeshtë, por sado pak profesional të gjendjes së sotme të lumenjve, me një të kaluar jo shumë të largët (para tranzicionit) rezulton se në disa prej tyre gjendja është katastrofike.
Së pari. Duhet theksuar se një pjesë e lumenjve janë po thuajse të pa vlefshëm për veprimtarinë e peshkimit. Në krye të listës përmendim lumin Drin. Të gjithë jemi të bindur për forcën madhore që kanë sjellë ndryshimet në shtratin e tij pas ndërtimit të tre hidrocentraleve të mëdhenj e tepër të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Edhe i katërti që është në ndërtim, megjithëse më i vogël përsëri është i rëndësishmi. E pafalshme është ndërhyrja e papërgjegjshme që vazhdon të bëhet në shtratin e tij në atë pak lumë prej disa kilometra që ka mbetur. Kjo ka bërë që të ketë fare pak prezencë peshku, të mos shërbejë më si vend strehimi e riprodhimi për disa lloje peshqish.
Një dëm i madh duhet konsideruar edhe parregullsia në prurje që ka shkaktuar e shkakton ndryshime shumë të shpejta në shtratin e lumit të Bunës duke dëmtuar jo vetëm peshkimin por edhe peizazhin e të vetmit lumë të lundrueshëm në vendin tonë. E njëjta situatë është edhe në lumenjtë e tjerë të vendit, ndërhyrjet në shtratin e tyre për inertet, ndërtimin e veprave ujitëse e posaçërisht dhënia pa kriter e licencave e ndërtimit të hidrocentraleve të tjerë që do të shkatërrojë edhe ato pak lumenj të vegjël qe deri tani kanë qenë pothuaj se të paprekur.
Pamja në lumenj si Drini, Kiri, Mati, Shkumbini, Semani, Erzeni, Vjosa etj është dëshmi e papërgjegjshmërisë, jo vetëm të njerëzve që kanë lidhur jetën e tyre me këtë veprimtari, por në mënyrë të veçante qeveritarëve e politikanëve të cilët bëjnë njërin sy qorr e veshin të shurdhër para kësaj katastrofe me pasoja të pariparueshme për ekonominë, mjedisin, zhvillimin e turizmit malor etj. Vëmendje më të madhe ka aktualisht nga qeverisja e re.
Së dyti. Vazhdon të mos zbatohen ligjet për hedhjen e mbeturinave, ndotjeve, mbetjeve urbane e ujërave të zeza, si në shtratin e lumenjve ashtu edhe gjatë rrjedhjes së tyre. Nuk përjashtohen nga ky barbarizëm kolektiv si lumenjtë e mëdhenj që kalojnë pranë qyteteve dhe zonave të banuara, ashtu edhe ato më të vegjël e larg qendrave urbane. Ka lumenj që janë të vdekur për sa i përket iktiofaunës, të cilët kanë shkaktuar në disa raste zhdukjen e specieve të veçanta si skobuzi (njila). Kjo ka ndodhur dhe janë kthyer në lumenj tërësisht pa jetë lumi Kir në Shkodër dhe disa përrenj të mëdhenj që derdheshin në liqenin e Ohrit duke shkaktuar prishjen e vendeve të riprodhimit për këtë specie. Prej vitesh, edhe në lumenj të tjerë kanë pushuar së ekzistuari vende natyrale të mbrojtura që shërbejnë si maternitet për këtë lloj (skobuzin) ashtu edhe për të tjerë. Rezultati është tronditës! Nuk zihet më asnjë kilogram skobuz!
Studimi i plotë për gjithë lumenjtë e vendit 
Gjëja e parë që duhet të ndërmerret është një studim i plotë i të gjithë lumenjve në të gjithë territorin e vendit. Kuptohet që një studim i tillë duhet të bëhet nga specialistë të peshkimit mbështetur edhe nga specialistë të fushave të tjera. Duhet synuar që të njihet mirë gjendja e iktiofaunës në lumenjtë kryesorë të vendit tonë, të cilët kanë qenë ose mund të bëhen objekt të veprimtarisë së peshkimit. Me këtë rast duhet të analizohen në mënyrë të thelluar dëmet që u janë bërë vendeve të riprodhimit dhe strehimit të peshkut në to. Nuk duhen lënë jashtë këtij studimi lumenjtë e vegjël, që gjenden në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht ato malorë. Disa lumenj fare të vegjël për nga dimensioni në zonat e Kolonjës-Gjirokastër, Skraparit, Pogradecit, Lumës e Kukësit si dhe Osumi, Valbona, Cemi, Lumi i Shalës dhe i Thethit duhet patjetër të merren nën kontroll.
Së dyti duhet të studiohen mirë nevojat që kanë këta lumenj për të rikthyer peshkimin e mirëfilltë në to me synim arritjen brenda një harku kohor sa më të shkurtër të nivelit të prodhimit të para viteve 90-të .Veçanërisht masa të rrepta duhet të merren kundër atyre që vazhdojnë të bëjnë shkelje të ligjeve në fuqi.
Ndër masat e tjera mendoj se duhet përmendur shfrytëzimi më i mirë i lumenjve të vegjël malorë. Potenciali i tyre na bën të mendojmë që ato, në një kohë relativisht të shkurtër, të kthehen në prodhues të sasive të konsiderueshme peshku të cilësive mesatare e të larte, si llojet e ndryshme të troftave malore etj. 
Lumenjtë malorë, pothuajse të virgjër deri para pak vitesh, në zbatim edhe të programeve ose strategjive për zhvillimin e turizmit malor, duhet të kthehen në vende tërheqëse për turistët vendas e të huaj. Që të realizohet kjo duhet të organizohet peshkimi sportiv si dhe gara të ndryshme ujore. Por që të zhvillohet peshkimi sportiv në lumenj duhet të ketë peshk. Që këtej lind nevoja e ripopullimit të tyre, veçanërisht me troftë. Për fat të mirë në vitet e fundit janë ndërtuar mbi 100 ekonomi të vogla të rritjes së troftës, pjesa më e madhe e të cilave është në zonat malore. Kështu që janë krijuar mundësi konkrete që disa prej tyre të prodhojnë rasat troftë për ripopullim të këtyre ujërave.
Vende me turizëm malor të zhvilluar si Italia, Zvicra, Austria e Franca nuk e ndajnë për asnjë çast shfrytëzimin racional mbi lumenjtë e zonave të tyre malore.
Për lumenj si Buna duhet bërë propozim për t’i dhënë status të veçante për arsye se është i vetmi lumë i lundrueshëm qe kemi dhe se aty futen ende specie në rrugën e zhdukjes siç është blini, si dhe për arsyen më të thjeshtë e praktike se është lumi që furnizon liqenin e Shkodrës me disa lloje peshqish. Gjithashtu nëpërmjet Bunës ngjiten lloje peshqish që bëjnë ose përgatiten për riprodhim në “maternitetin” më të madh në Ballkan. Sqarojmë me këtë rast se një specie e veçante si blini është e mbrojtur edhe nga konventat ndërkombëtare. Në fund, por jo e fundit për nga rëndësia mendojmë të theksojmë edhe një herë problemin e legjislacionit. Megjithë se edhe më lart u fol për këtë çështje disa gjëra duhet të ndryshojnë ose plotësohen.

Tom Miraku