Investimet publike në bashkitë e vendit, peng i të fortëve

584
Mjaft firma dhe kompani private që nuk bien në “ujdi” me ustallarët e tenderave në shumicën e bashkive, automatikisht janë të skualifikuar dhe të detyruar të mos bëjnë madje as ankimime. Gjithçka ndodh në pothuajse të gjitha bashkitë e vendit, ku fati i fondeve dhe investimeve publike (para të taksapaguesve shqiptarë) varet nga sekserët, që kualifikojnë klientët e tyre. Sipas një administratori të një firme private ndërtuese, që prej 22 vitesh ushtron aktivitetin në ndërtim rrugësh, “pazaret bëhen para zhvillimit të tenderit dhe nuk ke shans të futesh në institucionin e bashkisë në rast se nuk ke rënë në ujdi dhe nuk ke pranuar “ofertën” e “trimit”, në rast të kundërt e pëson, ky ka qenë dhe mbetet fati i miliona dhe miliarda lekëve që jepen për investime dhe që përfundojnë në xhepat e sekserëve”. Sipas disa prej përfaqësuesve të këtyre firmave, “asnjëherë nuk favorizohet buxheti shtetit, nuk favorizohet oferta më e ulët sipas ligjit, ajo që ulet e shumta është 2 për qind ose asnjë qindarkë, një skandal i paparë, brenda muajit janar 2016, janë zhvilluar 4 tendera në 4 bashkitë kryesore të vendit dhe fitues kanë qenë firmat klienteliste, që nuk kanë ulur as 2 për qind të vlerës totale të investimit, duke na skualifikuar dhe denigruar”. Persona të prezantuar si “punonjës bashkie”, u bëjnë presion firmave, duke u kërkuar llogari dhe duke u deklaruar, se “po nuk jeni dakord me ofertën tonë, mos e futni këmbën në bashki, se kemi muhabete të tjera bashkë”. Një realitet kaubojsish, një skandal që nuk ka bërë vaki asnjëherë në këto 24 vitet e fundit, të thirresh me telefon apo gojarisht, sikur të ishe leckë dhe të bëhet presion nga njerëz që kurrë nuk mund të jenë punonjës bashkie, dhe të detyrohesh të mos punosh fare, dhe të falimentosh, sepse duhet të fitojnë tenderin 1.2 miliardë lekësh klientët e pushtetarëve apo ministrit, – deklaroi një administrator firme. Duke mos dashur të bëjnë prezent emrat e tyre dhe firmave, për arsye frike për jetën e tyre, familjet dhe biznesin, ata deklaruan, se “brenda muajit janar 2016 janë zhvilluar tenderat për rrugë dhe unaza qytetesh kryesore, me vlera respektive 1.2 miliardë lekë, fituesi me 2 për qind ulje, fiton oferta më e madhe, 1.5 miliardë lekë, fituesi me 3 për qind ulje, 1 miliardë lekë fituesi 2 për qind ulje dhe 1.3 miliardë lekë fituesi me 1 për qind ulje”. Pra në të gjitha rastet e tenderave për muajin janar 2016, fituesi është përcaktuar jo ai me ofertën më të ulët (me vlerën 20 deri 30 për qind), por ka fituar klienti me vetëm 1 deri 3 për qind ulje, oferta më e vogël. Por sikur të mos mjaftonte kjo, firmave u kërkohet së fundi një shpikje e re, një vërtetim me formulimin se “Nuk keni detyrime ndaj bashkisë ……..”, pra bashkisë ku zhvillohet tenderi, me qëllimin e vetëm skualifikimin e tyre disa orë ose disa ditë para tenderit. Shumica e firmave pjesëmarrëse në tenderat, nuk kanë punuar kurrë me bashkitë që kanë “shpikur” vërtetimin magjik. Edhe kërkesat e ankimuara ndaj komisionit të tenderimit, u kthehen firmave të “skualifikuara” me 35 ditë me vonesë, duke mos u lënë kohën e duhur atyre të ndjekin sipas ligjit, shkallët e tjera të ankimimeve. Një tjetër skandal më vete mbetet edhe deklarata e ndonjë kryetari bashkie të vogël, i cili edhe kur njofton për tenderat dhe vlerën e tyre, thërret firmat veç e veç dhe u deklaron, se “kam ardhur këtu të nxjerr parat e mia, i dua lekët në dorë, nuk dua llafe”. Askush nuk do ta kishte menduar, se në 2016 do të kishte akoma në bashkitë e vendit bashibozukë të tillë, që zyrtarisht njihen si “kryetarë” dhe që ditë – natë mendja e tyre punon dhe lufton për të rifituar paratë e votave, apo milionat e marra borxh nga miqtë e tyre për fushatën elektorale. Duke mos përjashtuar askënd nga konkurrimi dhe tenderimi i ndershëm, skualifikimi i firmave (jo klienteliste), me presione të fortësh, mbetet një shkelje e hapur e ligjeve, etikës, normave dhe dinjitetit të kujtdo subjekti, që kërkon të fitojë ndershmërisht. Paratë e taksapaguesve shqiptarë, milionat dhe miliardat e fondeve të investimeve publike, duhet të kenë për destinacion rrugët, urat, kanalizimet, rrjetet e ujit të pijshëm për qytetarët e këtij vendi, shkollat, ambulancat dhe qendrat shëndetësore, dhe jo të ndahen dhe të përfundojnë në xhepat e klientëve të pushtetit. Pasojë e pazareve të tilla, janë rrugët e shkatërruara pa mbushur vitin, urat e shembura, ujësjellësit e papërfunduar, qendrat shëndetësore të kthyera në WC publike në qindra fshatra, apo unazat e qyteteve tona të sakatuara dhe të kthyera në rrugë fshati. Së fundi firmat e denigruara kanë deklaruar se “shpresa jonë e vetme mbetet denoncimi në organin e Prokurorisë, ndoshta sa për të thënë se trokitëm diku në derën e këtij shteti”. 
Nga ALMA JONUZI
Sigal