Investimet publike dhe (dis) favoret e korrupsionit

174

Përgatiti: Jonild HOXHAJ

Kryeauditues, KLSH

Në thelb të çdo njësie publike qëndron një rol, një mision, një objektiv, një detyrim apo një angazhim i cili nëse shkon paralel me përgjegjshmërinë e funksionarëve publike, kjo njësi i ka përmbushur më së miri ato. Referuar një publikimi të Transparency International për vitin 2017 për Shqipërinë, vendi ynë renditet në vend të 91 nga 180 në total duke qenë pas Kosovës dhe para Bosnje Hercegovinës. Në një situatë si kjo e sotmja ku, pothuajse në të gjitha mjediset e administratës publike, niveli në të cilin perceptohet korrupsioni është i lartë, tregon as më pak e as më shumë por se ky fenomen është pjesë integrale e një rrethi vicioz brenda të cilit gjenden të gjithë aktorët dhe faktorët që shoqërojnë një aktivitet publik, që nga faza e planifikimit e deri në përfundim të tij e madje deri në gjykimin e tij kur vjen puna tek sistemi gjyqësor. Kostoja e dukshme e këtij fenomeni është vetëm maja e ajsbergut pasi pasojat reale të korrupsionit në administratë janë ato të cilat ndodhin në një shtrirje më të gjerë, në hapësirë dhe në kohë dhe që kërkojnë një analizë të studiuar mirë. Nëse gjyqësori dhe ekzekutivi do të funksiononin në përputhje të plotë me parimet e mirëqenies dhe mirëqeverisjes së shëndoshë, pavarësisht mangësive për shkak të gabimeve njerëzore, ndoshta dhe fokusi kryesor i KLSH nuk do të ishte auditimi i përputhshmërisë, por ai financiar dhe i performancës. Në drejtimin social disa fenomene si emigrimi jashtë vendit, cenimi i meritokracisë akademike si dhe promovimi i aftësive të tjera korruptive kanë deformuar ndjeshëm boshtin që duhet të ndjekin brezat e rinj duke nxjerrë “talente” të reja në fushën abuzivizmit duke demotivuar kështu masën, duke ulur pritshmëritë e të rinjve për të ardhmen e duke kaluar fokusin në rrugëzgjidhje alternative në rrugë informale, jo ligjore e deri në krime. Korrupsioni në administratë është një fenomen i cili bie ndesh me parimet mbi të cilat punonjësit janë zgjedhur apo emëruar duke bërë që këta funksionarë të përvetësojnë të drejta jo legjitime për përfitime personale në kurriz të taksapaguesve, biznesit dhe mirëqenies së përgjithshme. Duke qenë gjithëpërfshirës, ky fenomen prek aspekte politike, sociale dhe ekonomike.

 

Cilat janë ndikimet dhe pasojat e korrupsionit në drejtim të investimeve publike dhe pse KLSH i konsideron me risk?

Nëpërmjet korrupsionit në drejtim të investimeve, funksionarët publikë të përfshirë në këtë fenomen i sigurojnë subjekteve shërbime nëpërmjet shmangies së pagesave të detyrueshme, certifikimit të akteve të manipuluara e jo në përputhje me realitetin apo shmangien e kërkesave për kualifikime me qëllim lehtësimin e procedurave të palëve të përfshira në aferë. Pasojat kryesore të korrupsionit në këtë fushë janë ato që lidhen me rritjen e kostos së shërbimeve projektuese, mbikëqyrëse dhe kolauduese si dhe të ndërtimeve për subjektet e kontraktuara si dhe deformimi i tregjeve për të gjitha këto. Duke synuar një marzh fitimi të paktën për ti mbijetuar një tregu ku korrupsioni kthehet në një kosto të pashmangshme për disa dhe një e keqe e domosdoshme për disa të tjerë, operatorët e tregut të projektimit, mbikëqyrjes e kolaudimit si dhe ndërtimit, kalojnë në uljen e cilësisë së shërbimit apo të punës. Në një situatë akoma më ekstreme, ulja e cilësisë së shërbimeve dhe punimeve shkon në mos kryerjen e tyre duke kaluar kështu në një fiktivitet të plotë, dhe e gjithë kjo sepse kostoja reale tejkalon vlerën e likuiduar të shërbimit apo të punimeve. Në këto kushte, projektet hartohen me mangësi, mbikëqyrja nuk kryhet gjatë gjithë intervalit të punimeve, investimet amortizohen, degradohen, realizohen me mangësi, kthehen në objekt abuzimi dhe bëjnë që në një të ardhme shumë të hershme të rikryhen duke përdorur të njëjtën skemë abuzimi. KLSH e ka përsëritur këtë fakt, e shumë probleme të tjera që lidhen me investimet dhe vazhdon ti përsërisë çdo ditë, nëpërmjet raporteve të publikuara në faqen zyrtare, nëpërmjet kallëzimeve penale si dhe nëpërmjet botimeve të herë pas hershme të vet stafit të saj. Në bazë të eksperiencës së auditimit, KLSH, si një Institucion i pavarur në një mjedis të shumëllojshëm, arrin të gjenerojë konstatime, konkluzione rezultate dhe rekomandime në drejtim të përmirësimit të punës që duhet të kryeje administrata publike. Duke qenë një organ suprem auditimi, për peshën që mbart si nga emërtimi i tij ashtu edhe për detyrat e tij funksionale, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka synuar këto 6 vitet e fundit vënien përpara përgjegjësisë të nismëtarëve realë të fenomeneve korruptive dhe jo vetëm të personave të përfshirë sipas gjurmët dokumentare të auditimit duke hedhur dritë, denoncuar dhe synuar ndëshkimin e paligjshmërisë. Ajo që ngelet problem edhe sot e kësaj dite dhe që KLSH i ka mëshuar në raste specifike kur ka qenë e nevojshme, është cedimi i sistemit të drejtësisë për problematikat e ngritura nga Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në mungesë të kompetencave ligjore për ta realizuar vetë këtë drejtësi, institucioni ka paraqitur rastet konkrete për të cilat janë konstatuar shkelje në organin e akuzës dhe fakt është që shumë prej këtyre çështjeve ngelen nëpër dosje ose orvaten nëpër seanca gjyqësore e duke mos penalizuar askënd. Ndërkohë që vijohet me këto procedura gjyqësore të tejzgjatura (apo të mbyllura), funksionarë publikë, sipërmarrës apo çdo lloj tjetër operatori ekonomik në tregun e investimeve publike nuk pengohet apo nuk penalizohet për sa ka kryer shkelje dhe kjo bëhet shkak për dhënien e shembullit se “po nuk dhe nuk merr gjë” duke blerë kështu një tender, funksionarët dhe në fund duke blerë edhe vetë drejtësinë. Lufta kundër korrupsionit, para së gjithash, është një luftë e brendshme e individit, e shtypjes së tundimeve personale dhe e shmangies se përfitimeve nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. Për audituesit e KLSH është jo vetëm kaq, por është edhe qëllim në vetvete i krijimit të bindjes te funksionari publik në fillim dhe më pas të subjekti i audituar se përfitimet nëpërmjet korrupsionit janë një kosto për të ardhmen e cila nuk është e largët. Auditimi dhe eksperienca e jetës ka treguar se korrupsioni veç varfëron pasi është një shpërndarje parash në duar të caktuara dhe në këtë mënyrë të pasurit pasurohen e të varfrit varfërohen. Prishja e ekuilibrave në të gjitha fushat e përmendura më sipër çon në deformimin e shtetit ligjor dhe në probleme në rritje. Nëse bëhet një bilanc, konstatohet se nga një auditim në tjetrin, investimet përsëriten për të njëjtat rrugë, kantieret e sapo mbyllura për rrugët rihapen për punime të kanalizimeve, brenda garancisë së një investimi kryhet një tjetër i mbivendosur etj. Shpesh, garancitë e punimeve (vlera 5 % e mbajtur për garanci) lëshohen duke u mjaftuar me kalimin e afatit 1 apo 2 vjeçar të parashikuar në kontratë dhe pa verifikuar nëse investimi ruan apo jo të njëjtën trajtë si në momentin e përfundimit të tij, duke i humbur kështu edhe kuptimin këtij dokumenti e duke mbajtur peng një vlerë prej 5 % vetëm për efekt formal për zbatimin e kontratës dhe jo për sigurimin e cilësisë së punimeve të kryera. Përsëritja e investimeve lidhet ngushtë me mungesën e një garancie më të gjatë në afat për punimet e ndërtimit. Nëse do të kishim një periudhë garancie të gjatë, detyrimisht, sipërmarrësit do të rrisnin cilësinë e punës për të përmbushur afatin e kërkuar. Nisur nga eksperienca audituese, garancia e punimeve të ndërtimit është një ndër elementët kyç që duhet të marrë trajtimin e duhur nga ligjvënësit duke e rritur atë përtej afateve aktuale te cilat parashikojnë një afat prej 2 vjetësh për investimet publike. Një afat i tillë është jashtëzakonisht pak duke marrë në konsideratë vlerat që parashikohen nga institucionet shtetërore për investimet. Mangësitë në drejtim të cilësisë së punimeve jo domosdoshmërish mund të shfaqen që në vitin e parë apo të dytë të përdorimit të tij. Kjo, kuptohet varet edhe nga lloji i investimit, por nëse marrim rastin e rrugëve për të cilat investohet jo pak, problematikat e tyre shfaqen mesatarisht një periudhe 5 vjeçare ku si pasojë e cilësisë së dobët shkrifërohen, cedojnë apo kërkojnë riveshje. Sa më sipër janë një përmbledhje e shumë prej problemeve që audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatojnë dita ditës gjatë auditimeve të investimeve publike. Ajo që duhet theksuar dhe që ka vlerë të ndryshojë në vazhdimësi është fakti se lufta kundër korrupsionit është një detyrë e përbashkët. Kjo është një herë detyrë morale dhe personale për publikun, biznesin dhe operatorët ekonomike pjesëmarrës në tregun e investimeve publike dhe shumë herë më shumë detyrë për funksionarët publikë. Për këta të fundit, KLSH në vazhdimësi do të hedh dritë për ti vënë ata përpara përgjegjësisë duke synuar rritjen e llogaridhënies së ekzekutivit ndaj publikut që e ka zgjedhur, rritjen e eficiencës së investimeve, shmangien e keqpërdorimit të parasë publike si dhe identifikimin e aktorëve të mundshëm të përfshirë në afera korruptive, shkaktarët e vërtetë të disfavoreve për brezat që vijnë pas.