Invalidët e Beratit: Turp, të tallesh me paaftësinë tonë!

617
Sigal

KËRKESAT/ Reagon pas deklaratës së ministrit Spiro Ksera, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve, Petrit Muçogllava

Plot 200 invalidët e Qarkut të Beratit kanë reaguar menjëherë pas deklaratës së ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera. Ministri në një dalje publike pohoi se invalidët i kanë marrë pensionet mujore. Kjo shprehje ka irrituar personat me aftësi të kufizuar që jetojnë në Berat. Ata janë shprehur për gazetën se deklarata e ministrit është e pavend. “Ai gënjeu. Ne kemi tre muaj pa marr lekët që na ka caktuar ligji. Kështu që ne jemi në pritje të marrjes së tyre, prandaj z. Ministër jepu fondet bashkive dhe komunave” thanë një grup invalidësh.

Situata

Kryetari i shoqatës së invalidëve në Qarkun e Beratit, Petrit Muçogllava u shpreh për “Telegraf” se, me përjashtim të 60 invalidëve të Bashkisë së Beratit (e cila me vështirësi ka paguar për muajin nëntor) asnjë tjetër nuk e ka marr pensionin e invaliditetit. “Deklarata që bëri ministri Ksera ishte e turpshme, kur tha se invalidët i kanë marrë pensionet. Ky është një mashtrim publik. Ne nuk e dimë se ku e gjen këtë kurajë dhe luan me paaftësinë tonë. Kategoria jonë të vetmet të ardhura ka pensionin, me të cilin ushqehet dhe blenë ilaçet e ndërsa një pjesë tjetër ato lek nuk i dalin as për të blerë panolino z. ministër”, tha Muçogllava. Invalidët kanë tre muaj pa marr pensionet. “Ky është një krim i vërtet që po i bëhet shtresës tonë, ku përveç fatkeqësisë që na dha jeta, jemi të detyruar të përballemi dhe me vështirësitë që po na i shton një ministër, i cili luan me ndjenjat tona duke na mashtruar në mes të ditës”, tha Muçogllava.

Invalidët

Disa invalidë u shprehën për gazetën se ata nuk kanë të ardhura me përjashtim të pensionit. “Po vdesim nga vuajtjet e mungesës financiare, pasi nuk kemi mundësi të ushqehemi dhe të blejmë ilaçet për t’u kuruar. Mirë shtesat e pensionit nuk po na i jep Qeveria që u futën në ligj në muajin shtator, por ta të paktën të na japin pensionin mujor. Ministri u shpreh se, në muajin janar të vitit 2013 do të marrim pensionet, por si do ta festojmë ne Vitin e Ri e di ministri, apo e rëndësishme për të është që ta festoj vetëm ai dhe ata që s’kanë mundësi të shikojnë vetëm televizor. Ne duam lekët para festave të dhjetorit. Mos na lëndoni më shumë sesa na ka lënduar natyra, por urgjentisht na jepni atë që na takon me ligj”, tha kryetari i shoqatës.

Udhëzimi që bllokon mos marrjen e pensionit

Sipas kryetari i shoqatës, Petrit Muçogllava bëhet e ditur se në muajin nëntor më datë 16 në Bashkinë e Beratit ka shkuar një udhëzim nga Kryeministri Sali Berisha, ku thuhej që të mos jepen pensionet e invalidëve se nuk ka lek. “Po pse me fondet tona i festoi festat e Nëntorit Berisha? Por si ka mundësi që s’paska lekë kur fondi ynë është përcaktuar që në fillim të vitit dhe atë fond nuk ka të drejt njeri ta përdori për interesa të tjera”, tha Muçogllava. Pesë Bashkitë e Qarkut të Beratit dhe 18 komunat nuk kanë dhënë asnjë qindarkë për invalidët.