INUK verifikon ligjshmërinë e pallateve në plazhin e Durrësit

571
Sigal

DURRËS- INUK ka vendosur të ndalet në Durrës dhe të verifikojë ligjshmërinë e pallateve në gjithë vijën bregdetare e cila prej 23 vitesh është kthyer në qendër banimi me të gjitha parametrat e saj, për plazhe ditore, javore dhe mujore. Tashmë plazhi i ngjet një lagje të qytetit, dhe shumë pak një pjese elitare, ku turistët vendas dhe të huaj vijnë dhe bëjnë banja dielli dhe rëre. Por ndoshta ajo që është bërë, duhej bërë me plan të detajuar urbanistik, dhe të përcaktoheshin qartë parametrat për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, kanalizimeve, ujit të pijshëm, gjelbërimit dhe higjienizimit të zonës, duke eliminuar ndotjen organike, e cila është bërë problem i çdo sezoni veror. Një grup specialistësh nga INUK ka kërkuar nga Urbanistika e bashkisë dhe disa komunave që përfshijnë në gjeografinë e tyre zonat bregdetare, dosjet e 4 viteve të fundit, për të parë ligjshmërinë dhe zbatimin e saj në miratimin e lejeve dhe procedurat e ndjekura. Për çdo mangësi INUK, do të nxjerrë para ligjit personat përgjegjës, ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të bashkive dhe komunave, në qoftë se konstaton se, lejet e ndërtimit janë dhënë në kundërshtim me ligjet dhe kondicionet urbane. Kontroll të rreptë INUK do të kryejë edhe në lejet e ndërtimit të dhëna tek zonat arkeologjike, mbi të cilat është shkelur ligji, duke mos respektuar kondicionet si ruajtja e largësive, e paprekshmërisë së objektit të zbuluar, dhe konservimi i tyre. Alarmin e kanë dhënë prej disa muajsh edhe arkeologët e Durrësit, duke problemizuar faktin e ndotjes së Amfiteatrit dhe ndërtimeve me dhe pa leje që ndërtohen dhe nuk merret parasysh këshilla e tyre dhe zbatimi i ligjit. Qytetet dhe komunat bregdetare, (ku natyrisht futet edhe Durrësi), me thesaret e veta arkeologjike, kanë vite që janë kthyer në zona ku kryetarët e bashkive dhe komunave dhe KRRT e tyre, shpesh neglizhojnë zbatimin e ligjit dhe kondicioneve teknike dhe urbanistike për ndërtimet. INUK ndoshta do të qëndrojë gjatë me kontrollet e arkivave në KRRT në bashkive e komunave të qarkut të Durrësit, ku padyshim do të ndalet veçanërisht në problematikat që kërkojnë zgjidhje. Kjo pasi shumë shpejt do të duhet të miratohet dhe zbatohet  masterplani zonave bregdetare dhe projektet konkrete investimesh. Mendohet se shtrirja e plazheve do të jetë drejt perlave që ka qarku i Durrësit si Shën-Pjetri, Gjiri i Lalëzit, Kallmi, Rrushkulli, dhe zona të tjera, të cilat kanë hyrë në axhendën e investimeve dhe projekteve për të cilat do të konkurrojnë edhe studio të huaja. Duke synuar dhënien fund të katrahurës në zonat bregdetare, qeveria dhe INUK, do të stabilizojnë defektet e para duke u dhënë shansin zonave urbane në bregdet të kenë brenda vitit rrugë e kanalizime. Kurse KRRT janë ndaluar kategorikisht të pranojnë dosje dhe japin leje ndërtimi qoftë edhe për një ballkon shtesë në zonat bregdetare, në të kundërt do të përballen me ligjin. Në Prokurorinë e Durrësit, 4 ish-kryetarë komunash po përballen me akuzën e “shpërdorimit të detyrës , për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe abuzime financiare”. Në muajin nëntor 2013, Prefektura e Durrësit, pas denoncimit nga banorët e zonave dhe palët në konflikt prej vitesh, ka zbuluar shkeljet e bëra dhe ka kërkuar ndjekje penale për ish- zyrtarët vendorë.