Intriga dhe prapaskena për karrigen e kreut të “Omonia”-s

744
Sigal

Dorëhiqet Bollano në hakmarrje të heshtur, apo shmanget nga Athina?

Konsulli grek humbet gjakftohtësinë,  e kritikon deputeti i ardhur nga Athina: “Shkele statusin e diplomatit!”

SARANDË: Mesdita, deri në orët e mesnatës së të shtunës, nuk i ka dhënë dot fund zgjidhjes së ngërçit disamujor dhe enigmës së drejtuesit të ri të organizatës më të madhe të grupimit të minoritetit etnik grek në Shqipëri, “OMONIA”. Pra, pas zgjedhjeve të degëve nëpër rrethe, është zhvilluar konferenca për zgjedhjen e 45 anëtarëve të kryesisë së përgjithshme dhe kryetarit të ri të kësaj organizate. Ajo çka ndodhi pritej, pasi inercia që ndoqi zgjedhjet e degëve, detyrimisht do të shtrihej edhe në zgjedhjet e strukturave drejtuese në qendër. Pjesëmarrja ka qenë brenda e pritshmërive, 450 anëtarë të zgjedhur nga rrethet, si dhe përfaqësues të diasporës. Para se të fillonte konferenca, ka pasur një seri takimesh, duke përplasur edhe interesat e drejtuesve kryesor të minoritetit. Vangjel Dule ka pasur takimet e tij brenda preferencave,  ashtu si dhe konsulli Kotrokoi, deputeti grek Gjuleka nuk ka ndenjur duarkryq, si dhe grupimi i larguar nga drejtimi i kësaj organizate. Shmangia e drejtimit të vjetër ka ardhur si pretendim i rifreskimit  dhe ndërtimit të një politike të re, por duket se i preferuari i konsullit Kotrokoi po rend drejt kapjes së karriges së kryetarit  në vend të Vasil Bollanos, z.Vasil Papa, por gjasat janë për një përmbysje të kësaj kandidature, pasi ai që vendos fatin e votimeve është kreu aktual i komunës së Livadhjasë dhe kryetar i shoqatës së kryekomunarve minoritar, Irodhi Dalani. Por le të kthehemi te zhvillimet e konferencës së të shtunës. Në pjesëmarrje ka qenë kryetari i PBDNJ-së dhe n/kryetar i parlamentit shqiptar  Vangjel Dule, zv/ministri i Bujqësisë Jani Babi, deputeti i parlamentit grek Kosta Gjuleka, konsulli i Gjirokastrës Nikos Kotrokoi etj. Pasi janë lexuar përshëndetjet e kryeministrit, presidentit, zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm grek, ku është nënvizuar mbështetja e krerëve dhe institucioneve më të larta greke për të drejtat minoritare në Shqipëri, ka ardhur raporti i kreut Bollano. Një raport me tone vajtuese, pasi ka qenë i përgatitur nga përjashtimi i drejtimit të kësaj organizate, por edhe se përgatitet për krijimin e një force të re politike, me përkatësi ortodoksizmi në grupimin e tij dhe kjo është vënë re në shmangien e kontakteve të tij ditën e shtunë. Por, megjithatë, Bollano ka theksuar se duhet një reformim dhe marrja e njohja e përgjegjësive për gjendjen aktuale dhe dështimet dhe, kjo nga të gjithë, duhet të jetë devizë e së ardhmes, ndaj jap dorëheqjen për t’i hapur rrugë ndryshimeve reformuese dhe krijimit të standardeve bashkëkohore, duke mos munguar asnjëherë mbështetja ime aktive në këtë organizatë. Por nuk është pritur mirë dorëheqja nga krahu konservator i “Omonia”-s. Kanë paraqitur programin e tyre pesë kandidatë për postin e kryetarit, por votimet sollën papritshmëri deri në çudira. Kandidatë kanë qenë Alqi Puli, ish zv/ ministër i jashtëm i Shqipërisë, i dorëhequr nga ky post para dy muajsh me premtimin se do të jetë kryetar i “OMONIA”-s, por votimet e kanë klasifikuar në vendin e tretë, duke e djegur si kandidat. Ka qenë kandidat tjetër inxhinier Vasil Kajo, aktualisht i sapozgjedhur si kreu i degës së Sarandës dhe Leonidha Papa, i preferuari i konsullit Kotrokoi. Por kanë qenë edhe dy krerë të komunave Livadhja dhe Aliko, Irodhi Dalani dhe Kristo Kaishi, të cilët janë përballur me presione dhe negociata nga drejtuesit e minoritetit. Irodhi Dalani do të jetë përcaktuesi i kryetarit të ri, pasi roli, që ka dhe që i përmendëm më lart, ja jep këtë akses, dhe jo vetëm kaq: sipas hartës së re territoriale, minoriteti është një bashki, Livadhja, dhe këtu pretendon kreu aktual i kësaj njësie vendore dhe i shoqatës së kryetarëve të minoritetit për pushtetin lokal, z.Dalani, por edhe zv/ministri i bujqësisë Jani Babi, i cilin ndodhet afër kupolës dhe mund të luaj në heshtje, mirëpo edhe kjo lojë është kapur dhe Vangjel Dule është në ankth, deri në 11 Janar, kur do të zhvillohen zgjedhjet e balotazhit për kryetarin e përgjithshëm të “OMONIAS”-s. Kjo situatë, nuk është pëlqyer aspak nga konsulli Kotrokoi, i cili nuk është përmbajtur nga nervozizmi  dhe brenda ngarkesës emocionale ka shpërthyer në ekstazë, duke dalë nga kornizat e një diplomati, duke deklaruar se duhen të bashkohen minoritarët dhe jo të jenë të përçarë, pasi Greqia njeh si grupim vetëm “OMONIA”-n. Kjo ka bërë që deputeti grek, Gjuleka t’i tërheqë vëmendjen për këto deklarata dhe të mos dalë nga misioni i tij diplomatik i ngarkuar nga shteti grek. Gjithashtu, deputeti Gjuleku ka nënvizuar se ka ardhur për të takuar vëllezërit e gjakut të tij dhe për të lexuar historinë që vetë e kanë shkruar minoritarët, pa ndihmën e shtetit grek, i cili duhet të bëjë akoma më shumë, por ajo që bën Greqia në drejtim të mbështetjes së integrimit të Shqipërisë në BE, duhet t’i bëjë ata krenarë. Pra, jemi në balotazh se duhet pritur fillimviti 2015 për kreun e ri të minoritetit grek në Shqipëri, që ka gjasa të jetë me zhvillime të reja, deri në krijimin e një force të re politike në Shqipëri.

Agron MEMA