INTERVISTA/ Prof. Asoc. Dr Selami Xhepa: Rritja e barrës fiskale pengon investimet e reja në ekonomi

778
Jakup B. GJOÇA
Kryeministri Rama, pranoi publikisht, se qeveria nuk e kishte mirëstudiuar tarifën për rrugën e Kombit. FMN-ja kritikon qeverinë për koncesionet, Banka Botërore kundërshton TVSH për bizneset e vogla. 350.000 shqiptarë kanë braktisur Shqipërinë në 2 vitet e fundit, për shkak të papunësisë dhe mjerimit. Ndërsa 5 % e shqiptarëve zotërojnë qindra miliarda euro pasuri. Këto dhe të tjera, dëshmojnë se ekonomia e Shqipërisë keqqeveriset dhe është në një recension ekonomik, pavarësisht propagandës së qeverisë, për të zbukuruar mjerimin dhe varfërinë e shqiptarëve. Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon shkaqet e recensionit ekonomik, kritikon PPP, futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, duke theksuar se rritja e barrës fiskale pengon investimet e reja në ekonomi. Prof. Xhepa pohon, se taksa progresive ka dështuar. 
-Zoti Xhepa, si i gjykoni politikat e qeverisë së Rilindjes në këto 5 vitet e fundit, në financimin e investimeve publike?
– Para se të ndalem specifikisht në investimet publike, do doja të bëj një konstatim më të përgjithshëm për ekonominë tonë. Zhvillimet e ekonomisë gjatë pesë viteve të fundit kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemit tonë ekonomik, nga njëra anë, dhe paaftësinë e politikës për të ndërmarrë politika që krijojnë dinamika pozitive dhe të qëndrueshme për ekonominë dhe progresin e shoqërisë në tërësi. Po ndalem që ta shpjegojë pak më hollësisht këtë tezë. Ekonomia e vendit ka përjetuar gjatë viteve të tranzicionit një ndryshim të thellë strukturor dhe rritje të mirëqenies. Por, menaxhimi i ekonomisë prej qeverive ka qenë dhe mbetet njësoj problematik. Nivelet e informalitetit vazhdojnë të jenë shumë serioze qoftë për konkurrencën e tregut, ashtu dhe për gjendjen e mjerueshme të të ardhurave buxhetore; shërbimet publike, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, arsimi dhe shëndetësia, mbeten sfiduese; menaxhimi pasurisë publike vazhdon të vuajë nga mungesa e theksuar e transparencës ndaj publikut; raporti politikës me qytetarin ruan akoma një sjellje që është shumë larg standardeve të një shoqërie me pretendime modeste demokratike; rregulli dhe ligji janë ende privilegj i disave, por jo një normë karakteristike për një shtet të të drejtës; korrupsioni bën hapa përpara, në vend që të reduktohet – shkurt, nuk mendoj se kursi i këtyre lëvizjeve tregon se jemi në drejtimin e duhur. Po e ilustroj konstatimin e mësipërm me investimet publike. Ne vazhdimisht kemi pasur probleme me eficiencën e tyre, mënyrën si hartohen projektet, si përzgjidhen ato, si financohen, si realizohen etj. Për një vend që ka një buxhet shumë modest për investime publike, çështja e eficiencës merr shumë prioritet, pasi me pak fonde mund të arrihen objektiva zhvillimi shumë më të mëdha. Por çfarë ka ndodhur në fakt në këto vite? Projekte të rëndësishme infrastrukturore, që ishin nga qeveria e mëparshme vazhdojnë akoma të mbeten të pambyllura. Në veçanti, rrugët e rëndësishme që ishin në një fazë përmbyllëse, akoma janë kantiere ndërtimi – rruga e Elbasanit, by-pass i Fierit dhe Vlorës, edhe vetë Rruga e Kombit. Mospërfundimi i tyre i plotë, sigurisht që redukton eficiencën e tyre, e për pasojë kostot e transaksionit vazhdojnë të mbeten të larta. Alokimi i fondeve publike në mënyrë dërmuese drejt projektit më të madh të qeverisë, siç është Rilindja Urbane, ndërsa është i lavdërueshëm në qëllimet e veta, sa i takon dhënies së shpresës së ndryshimit në çdo qendër urbane apo rurale, fakti është që kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik kombëtar, apo dhe lokal, është shumë modest. Mënyra e realizimit të projekteve është gjithashtu edhe më problematike se më parë. Ka një mungesë koordinimi mes operatorëve, enteve prokuruese dhe ofruesve të shërbimeve publike. Për shembull, sa mbyllet një rrugë, fillon të shqyhet asfalti, pasi nuk kanë kaluar rrjetet kabllore elektrike, të të dhënave etj. Projektet jepen në kushtet e mungesës së garës dhe në të gjithë kontratat e dhëna, ka rezultuar se fondet e kontraktuara kanë qenë pothuaj sa 100% e fondeve të planifikuara; mungon kontrolli dhe llogaridhënia për cilësinë e punëve publike të kryera dhe abuzimet që ndodhin në procesin e tenderimit etj. Për shembull, në disa raste të studiuara për gjykimet që ka dhënë Komisioni i Prokurimeve Publike, i presupozuar që duhet të shërbejë si watchdog për transparencën e prokurimeve dhe si mbrojtës i interesave publike, rezulton se për të njëjtin ngjarje janë dhënë dy interpretime krejt të kundërta, duke provuar, kapjen e plotë të procesit të prokurimeve publike nga interesa të grupeve të caktuara. Janë prokuruar vepra me rëndësi të madhe buxhetore jashtë procedurave më elementare të një shoqërie demokratike, siç janë inceneratorët. Të dhënat tregojnë se kapacitet djegëse të mbetjeve i tejkalojnë me disa herë mbetjet që prodhon ekonomia jonë. Së dyti, vendosja me prioritet e asgjësimit të mbetjeve, bie ndesh me prioritetet që ka ligji për menaxhimin e integruar të tyre, që janë fillimisht riciklime dhe asgjësimi është hapi i fundit. Së treti, dhënia e këtyre koncesioneve është bërë pa iu nënshtruar asnjë procesi konsultimi me publikun dhe aktorët e tjerë të shoqërisë, duke shkelur çdo standard të sjelljes së një qeverie në do vend demokratik. Qeveria ka shpikur një mënyrë të re të financimit të investimeve publike. Thënë me pak fjalë, mendoj se problemet me eficiencën e projekteve publike vazhdojnë të mbeten po aq serioze dhe në disa aspekte ajo është përkeqësuar. 

– A mendoni se ka ndihmuar ekonominë tonë Taksa progresive dhe, a është zbatuar parimi: Paguan taksë më shumë, ai që fiton më shumë?
– Parimi që ai që fiton më shumë paguan më shumë është një parim i taksave proporcionale, siç është taksa e sheshtë. Ndërsa taksa progresive e thellon shkallën e progresivitetit, duke vendosur një çmim, apo penalitet më të lartë për suksesin, mundin dhe ata që punojnë më fort dhe rrezikojë më shumë se të tjerët. A ka pasur efekte pozitive kalimi nga taksa e sheshte tek ai progresiv? Rezultatet nuk janë dëshmi për të. Nëse të varfrit kanë paguar më pak, duhet të kishin pasur rritje të të ardhurave dhe të konsumit. Statistikat tregojnë se konsumi, jo vetëm nuk është rritur, përkundrazi është ulur. Nga ana tjetër, grupet sociale me të ardhura të mesme janë goditur mjaft në standardin e tyre të jetesës. Siç tregojnë statistikat e bankave, rritjet e kursimeve kanë rënë ndjeshëm në raport me vitet e mëparshme; paraja jashtë bankave është rritur; depozitat e sistemit bankar po përqendrohen në më pak duart individësh, duke dëshmuar që, jo vetëm nuk po bëhet një shoqërie me egalitare, siç synonte taksimi progresiv, por një shoqëri edhe më e polarizuar. Nga ana tjetër, investitorët vendas dhe të huaj kanë qenë vazhdimisht kritik, dhe e kanë konsideruar rritjen e barrës fiskale si një shkaqet më kryesore të mungesës së investimeve të reja në ekonomi. 

– Është liberalizuar ekonomia jonë, apo ka monopolizim? Cilat janë pasojat?
– Përgjigja ndaj kësaj pyetje kërkon studime të posaçme dhe unë nuk kam dijeni se një studim i tillë është kryer nga ndonjë studiues. Prandaj dhe hezitoj të jap një përgjigje të hollësishme të saj. Por, një konstatim i përgjithshëm, si prej vëzhguesi më bën të besoj se barrierat ndaj bizneseve të reja mbeten shumë të larta dhe se një klientelizëm dhe favorizim klientelist ndaj disa subjekteve të caktuara ekonomike vazhdon të ketë një prezencë të fortë. Tregjet e vendeve të vogla janë shumë të prirura që të kenë kosto më të larta transaksioni dhe konkurrenca e lirë është shumë e vështirë të arrihet. Por nëse këtij fakti teorik i shtojmë edhe mungesën e vigjilencë të fortë të autoriteteve publike, që duhet të sigurojnë konkurrencën e tregut, atëherë kapja e tregut nga disa operatorë të privilegjuar, do të çonte në kosto të larta për konsumatorët, shërbime jo cilësore dhe fitime të pamerituara dhe të tepërta për operatorët e privilegjuar. Sidoqoftë, konkurrenca e tregut është një nga fushat që mendoj se ka realisht nevojë për studime të hollësishme dhe të mirëfokusuara. 

– Ju si e vlerësoni faktin se është zgjeruar fenomeni i pranisë së kompanive të llojit “off-shore” në ekonominë tonë në asetet publike strategjike, si nafta, mineralet etj?
– Për moralin që predikon një forcë e majtë politike, rritja e rolit të kompanive off-shore dhe e aktiviteteve rentiere në përgjithësi, janë veçanërisht të pa suportueshme. E nënvizoj fjalën veçanërisht, pasi ato janë aktivitete të papajtueshme për çdo forcë politike dhe qeveri që bazohet në standardet demokratike. Ky anonimitet i kapitalit, së bashku me opacitetin që shoqëron veprimtarinë e firmave që shfrytëzojnë pasuritë tona, janë me pasoja shumë serioze për besimin dhe mbështetjen që duhet t’i japë publiku investimeve në ekonomi nga sektori privat, për cilësinë e qeverisjes dhe besimin tek demokracia. Skandalet e tipit të Panama Papers e kanë dëmtuar rëndë besimin tek klasa politike dhe kanë nxitur lëvizje të mëdha protestash ndaj establishmentit politik tradicional kudo në botë. Këto kapitale anonime pastaj shkojnë dhe investohen në shfrytëzim të pasurive natyrore, apo investime të tjera të mëdha në botën në zhvillim, siç është dhe rasti i Shqipërisë. Rezultati final do të jetë një skepticizëm në rritje ndaj forcave politike tradicionale dhe sistemit demokratik, dhe kërkimi i formave alternativave më të mira dhe më transparente të qeverisjes. 

– Përse ekonomia jonë nuk krijon vende të reja pune, edhe pse pretendohet për rritje të saj, sipas statistikave të INSTAT?
– Një studim i kryer nga një grup ekspertësh të Institutit të Vjenës për Ekonominë Ndërkombëtare dhe Bankës Botërore kanë gjetur se rritja ekonomike që krijon punësim duhet të jetë mbi 5% në vit. Në fakt, vendi ynë prej më shumë se 7 vitesh, ka një ritëm rritjeje nën 5% në vit dhe punësimi në këto rrethana mbetet shumë problematik. Po kështu, ekonomisë i kanë munguar investime serioze dhe në shkallë të gjerë, në fushën e manifakturës apo në industri të reja të tilla, që të krijojnë punësim cilësor, domethënë vende pune me paga të larta. Ky lloj punësimi është i nevojshëm në mënyrë që rritja ekonomike të ndikojë në mirëqenien individuale të familjeve shqiptare.

– Sipas jush, përse FMN-ja i kërkoi qeverisë të pezullojë Partneritetin Publik-Privat?
– Partneriteti Publik-Privat ka dy mangësi themelore: Së pari, rrit barrën e fshehtë të borxhit publik dhe, së dyti, i mungojnë standardet e transparencës që duhet të shoqërojnë prokurimin publik. Të dyja këto rreziqe ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së qeverisjes, nga njëra anë, dhe rritjen e rreziqeve me të cilat mund të përballen financat publike në të ardhmen, nga ana tjetër. 

Forma të tilla të bashkëpunimit të shtetit me sektorin privat nuk janë domosdoshmërisht të këqija apo të pafavorshme. Por, në mënyrë që ato të jenë të suksesshme, duhen krijuar kushte të përshtatshme ligjore, të instalimit të praktikave dhe procedurave që krijojnë transparencë dhe llogaridhënie nga autoritetet prokuruese. Për shembull, përzgjedhja e projekteve duhet të ketë disa kritere dhe jo të jenë një proces voluntarist – sot futet në listë një rrugë, nesër një aeroport etj. Po kështu, numri i projekteve duhet të jetë brenda limiteve buxhetore shumë të pranueshëm dhe jo rrezikues për buxhetin. Prokurimi projekteve duhet të jetë shumë i hapur dhe transparent në mënyrë që gara të jetë reale dhe jo fiktive. Hartimi dhe kostimi projekteve të kryhet në mënyrë realiste dhe jo në konflikt interesi- firma që harton projektin dhe bën kostimin e tij, ajo është dhe financuesja dhe realizuesja e projektit. Kjo është një situatë absurde dhe konflikt i hapur interesi. 

– Zoti Xhepa, sipas jush, si ekspert ekonomik, cili është qëllimi i qeverisë, që të futë edhe biznesin e vogël në skemën e TVSH?
– Përfshija në skemën e TVSH edhe të mikrobizneseve, bizneseve familjare, të cilët realizojnë një xhiro ekonomike mbi 2 milionë lekë, mendoj se është një masë ekonomike e nxituar dhe që do të shoqërohet me pasoja negative për një pjesë të konsiderueshme të tyre. Arsyeja është se përfshirja në skemën e TVSH-së paraqet kërkesa shtesë dhe njohuri për legjislacionin fiskal dhe procedurat fiskale, të cilat duke mos qenë në gjendje t’i përmbushin vetë, sipërmarrësit e vegjël do të jenë të detyruar të komisionojnë shërbimin tek studio profesionale, duke bërë që kostot e operimit të biznesit të rriten. Së dyti, përfshirja në skemë e një morie të madhe prej rreth 10 mijë subjektesh të reja, do të bëjë që administrimi i TVSH-së të ketë probleme serioze. Volumi i deklaratave tatimore për t’u përpunuar do të rritet në mënyrë eksponenciale, mundësitë e kontrollit do të jenë shumë të kufizuara, dhe kjo mund të bëjë që të rriten edhe mundësitë e abuzimit, e të rritet stoku i TVSH-së së parimbursueshme. Për pasoja, kostot do të bien si mbi bizneset e vogla, të cilat nuk mund të mbajnë në kurriz një TVSH të pa rimbursushme nga tatimet për një kohë të gjatë, por dhe mbi buxhetin nëse abuzimet do të rriten. Masat e politikave ekonomike me efekte të forta mbi grupe të mëdha sociale përgjithësisht kalojnë në një periudhe të gjatë konsultimi dhe studimi të pasojave dhe efekteve, por dhe të edukimit të popullatës që preket prej këtyre masave. Kjo mënyrë është kusht për një politikë të mirë. 

– Përse, cilët janë faktorët ekonomikë dhe politikë, që investimet e huaja nuk vijnë në Shqipëri, ndërkohë, që në vendet fqinjë të Ballkanit, ato janë më prezent?
– Mendoj se klima e biznesit gjithashtu është problematike dhe këtu besoj se faktorët që lidhen me shtetin ligjor, lirinë kontraktore dhe mbrojtjen e pronësisë, s bashku me korrupsionin janë përcaktues. Shumë raporte dhe analiza të kryer nga shoqata biznesi dhe studiues të ndryshëm dëshmojnë se vendi ynë në të gjitha këto dimensione gjendet më poshtë se vendet e rajonit, prandaj dhe kemi qenë më dobët në garën për tërheqjen e investimeve të huaja në rajon. Ndërkohë, që shpresa e vendit për më shumë mirëqenie dhe modernizimin ekonomik janë pikërisht investimet në industritë e vlerës së lartë të shtuar dhe që krijojnë punësim cilësor për të rinjtë dhe të rejat e vendit, duke kthyer shpresën për një të ardhme më të mirë. 
Sigal