Intervista/ Marko Bello: Ligji i plehrave, prova e kapjes së shtetit nga mafia ndërkombëtare

76

Marko Bello, ish
deputet

Rikthimi në
parlament dhe votimi me forcën e kartonit të ligjit për mbetjet apo thënë në
gjuhën popullore, të ligjit të plehrave, është një provë e fortë e kapjes së
shtetit nga mafia ndërkombëtare

Kryeministri i
mbron të inkriminuarit në Parti, për të fituar me ndihmën e tyre zgjedhjet

Jakup B. GJOÇA

Marko Bello, ish-deputeti,
në intervistën për gazetën “Telegraf”, denoncon se rikthiimi në parlament me
forcën e kartonit të ligjit të importimit të Plehrave, është prova që shteti
është i kapur nga mafia ndërkombëtare. Zoti Bello, pohon se Vettingu, në
vetvete nuk mund të jetë garancia e drejtësisë, por shpeshherë qeveritarët
ndërmarrin reforma në drejtësi, për ta vënë drejtësinë në shërbim të interesave
të tyre. Ndërsa për katharsin e politikës, zoti Bello pohon se atë nuk mund ta
bëjnë po ata politikanë që janë  po të njëjtët në 25 vjetët e
tranziocionit. Zoti Bello, akuzon drejtpërdrejt kryeministrin, që i mbron të
inkriminuarit të PS, pasi fiolozofia e tij politike është, se me ata mund të
fitojë zgjedhjet. Ish-deputeti Bello thotë, se pa bërë Vettingun edhe të
politikanëve, edhe të qeveritarëve, nuk mund të pretendohet për drejtësi dhe katharsis
në politikë.

-Zoti Bello,
projektligji “Për importimin e Plehrave”, po shtyhet nga seanca ne seancë, për
shkak se kryeministri nuk po mbledh DOT 71 vota për ta miratuar, pasojë kjo
edhe e reagimit të fuqishëm të qytetarëve. Përse, atëhere, kryeministri nuk e
tërheq përfundimisht projektligjin? Problemi për Ramën është te kostoja politike,
 (nëse e tërheq këtë projektligj dhe mund të quhet si dështim politik) apo
te interesat ekonomike?

-Rikthimi në
parlament dhe votimi me forcën e kartonit të ligjit për mbetjet. apo thënë në
gjuhën popullore të ligjit të plehrave, është një provë e fortë e kapjes së
shtetit nga mafia ndërkombëtare. Të paktën kështu u shpreh dikur vetë
kryeministri, kur vendosi anullimin e ligjit, si një nga aktet e para të
qeverisë së tij në shtator 2013. Dhe kishte të drejtë, pasi tashmë është e
qartë se prapa kësaj iniciative qëndrojnë grupe mafioze ndërkombëtare, të cilat
sikurse nënvizonte rrjeti televiziv France 24. kërkojnë ta kthejnë Shqipërinë
në një depozitë gjigande të mbetjeve nga mbarë Europa dhe më pas, në një
incenerator për djegjen e tyre, me pasoja të mëdha për shendetin e qytetarëve.
Arroganca e Qeverisë, injorimi qe ajo i bëri zërit të shoqërisë civile, mungesa
e thellë e transparencës si një nga detyrimet që cdo qeveri ka kundrejt
opinionit publik dhe nxitimi për ta votuar këtë ligj famëkeq dëshmojnë qartë se
çfarë maxhorancë kanë sjellë në pushtet 1 milion shqiptarë në zgjedhjet e viti
2013.

– Ju vetë,
besoni se Vettingu është kyçi i Artë i reformimit të Gjyqësorit?

-Është fakt se
për vettingut është folur aq shumë, sa ai rrezikon të mos kënaqë tërësisht
pritshmëritë e shqiptarëve. Po ndodh njëlloj si me integrimin, i cili është
kthyer në një retorikë politike, duke krijuar iluzionin se pas integrimit të
vendit, hallet për shqiptarët do të marrin fund. Gjithsesi, ai është një proces
i domosdoshëm në stadin ku ndodhet sot sistemi gjyqësor shqiptar, i cili ka
nevojë uluritëse për t`u reformuar. Politikanët në pushtet, me shumë djallëzi e
kanë kaluar topin e dështimeve të mëdha në fushën e gjyqësorit, duke i rënë
fort këmbanave të alarmit, se pa reformuar këtë pushtet, Shqipëria nuk ka të
ardhme europiane. Ky konkluzion është në fakt pjesërisht i vërtetë. Për
korrupsionin dhe dështimet në sistemin e drejtësisë nuk është pa faj politika,
e cila është përgjegjëse për reformat gjysmake dhe rekrutimin  jo gjithmonë
cilësor të trupës së gjyqësorit në shkallët e larta të tij. Tashmë është e
qartë se, pas çdo përpjekje të politikës për të ndërmarrë reforma, fshihet
qëllimi për të kontrolluar drejtësinë, për ta vënë atë në shërbim të një pale
kundër palës tjetër. Kështu, simbioza politikë-gjyqësor ka krijuar një qark
vicioz në këto 25 vite tranzicioni, ku nuk merret vesh ku është bishti dhe ku
kreu i tij. Unë shpresoj se partnerët tanë ndërkombëtare që na asistojnë si
SHBA e BE të kuptojnë dhe evitojnë këtë qëllim të fshehtë të politikës, duke
mundësuar një drejtësi sa më të pavarur dhe duke detyruar të gjithë të jenë të
barabartë para ligjit. Vetëm një Byro e pavarur hetimi, prokurorë dhe gjyqtarë
që nuk marrin urdhëra nga politika mund t`ia kthejnë besimin qytetarëve dhe
krijojnë premisa pozitive për anëtarësimin e vendit në BE.

-Prokuroria i
kërkon KQZ që t’i heqë mandatin 2 deputetëve të Kuvendit dhe 1 kryebashkiaku
socialist, pasi kanë fshehur dënimet e tyre penale. Pyetja është: Përse
kryeministri Rama nuk distancohet politikisht nga këta të zgjedhur të tij, duke
e shkarkuar kryebashkiakin socialist dhe duke i përjashtuar nga PS deputetët me
rekorde kriminale?

– Nëse në krye
të partive politike do të kishim qytetarë të denjë të Republikës, me integritet
moral dhe aftësi të spikatura profesionale, të jeni të bindur se nuk do të
kishim një aradhë të inkriminuarish në politikë apo në adminstratën e lartë
shtetëore. Situta bëhet edhe më dëshpëruese, pasi në Shqipëri institucionet
janë të dobëta, nuk ka reagim të fortë nga opinion publik, ndërsa kultura e
pakët demokratike dhe mungesa e traditës në funksionimin e shtetit ligjor duket
sikur ua kanë bërë edhe më të lehtë karrierën pseudopolitikanëve dhe të
inkriminuarëve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kreun e ekzekutivit, i
cili përpiqet të justifikohet ose, më keq akoma t`i mbrojë të inkriminuarit
brenda forcës së tij politike, çka tregon se mbështetja tek këta individë nuk
është e rastësishme, por pjesë e filozofisë për të fituar zgjedhjet dhe
qeverisur vendin.

– Bëhet shumë
zhurmë nga politikanët tanë për Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përse
ambasadorët në Tiranë, Brukseli, SHBA heshtin për VETTINGUN e politikanëve?

– Sikurse e
theksova edhe në rastin e përgjigjes së një pyetjeje të mësipërme, zhurma e bërë
nga politikanët duke e vënë gishtin vetëm tek gjyqtarët dhe prokurorët synon të
zhvendosë vëmendjen dhe të bindë partnerët ndërkombëtare se e keqja e vendit
lidhet vetëm me drejtësinë. Deri diku ia kanë arritur, nëse shikojmë se
ambasadorët e huaj në Tiranë, por edhe raportet e ndërkombëtarëve janë fokusuar
kryesisht mbi reformën në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, unë nuk besoj se
ata nuk e dinë se drejtësia është vetëm një nga hallkat që çalojnë, por jo i
vetmi. Duket se Brukseli dhe Uashingtoni po kërkojnë të spatrojnë sistemin e
drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët, me qëllim për të goditur më pas
politikanët e korruptuar, të cilët për hir të së vërtetës, ia kanë arritur me
sukses t`i bishtënojnë ndjekjes penale dhe dënimeve për abuzimin me detyrën,
korrupsionin dhe pasurimin në kurriz të taksapaguesve dhe votuesve të tyre.

– A është i
mjaftueshëm ligji i Dekriminalizimit, pa kërkuar më parë Vetting edhe për
qeveritarët, deputetët, kryebashkiakët. Për Katharsin në politikë në Shqipëri?

– Sigurisht që
nuk duhet të presim që vettingu të sjellë mrekulli, por ai është një hap i
rëndësishëm në rrugën drejt përmirësimit dhe konsolidimit të sistemit të
drejtësisë. Me kusht që ndërhyrja e politikës të marrë fund, përndryshe, edhe
kjo ndërmarrje mund të pësojë fatin e dhjetra reformave që nuk kanë sjellë
rezultatin e pritshëm. Reformimi i partive politike, transparenca e fushatave
zgjedhore, filtrimi institucional i kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme
parlamentare dhe lokale, rritja e presionit të opinionit publik, roli i
pazëvendësueshëm i medias së lirë e të pavaur etj, janë disa prej instrumenteve
që mund të garantojnë spastrimin e politikës nga elementë me të kaluar
kriminale. Të mos harrojmë se në fund të fundit, janë qytetarët ata që i zgjedhin
politikanët dhe në demokraci çelësi i suksesit është vota e zgjedhësve. Nëse
qytetarët nuk do të shkojnë të votojnë, nëse një pjesë e tyre do ta shesin
votën për të zgjidhur një hall personal apo do të vijojnë të votojnë të keqen
më të vogël, nuk duhet të presin që jeta e tyre të përmirësohet. Nëse vota
shitet, politikani-blerës nuk ka për t`u merakosur më tej për të dhënë llogari
dhe askush nuk do të mund ta vendosë atë nën presion për të zgjidhur problemet
e mëdha të vendit e shoqërisë. Nëse mbjell erën, thotë një fjalë e urtë, më
siguri do të korrësh stuhinë.

— Kur flasim
për luftë kundër korrupsionit, kuptohet se fillimisht do të luftohet
korrupsioni i qeverisë aktuale. Atëhere, derisa kryeministri Rama mburret se do
të luftohet – më në fund – korrupsioni, pyetja është: Deri tani, kush e ka
penguar kryeministrin Rama të luftojë korrupsionin e qeverisë së tij? Mund të
ketë ndonjë shqiptar, qoftë ky kryeministri, qoftë ky ministri socialist, që
mund të pohojë se kjo qeveri e Majtë në 4 vjetët e saj, nuk ka …korrupsion?

– Korrupsioni
është tashmë një sëmundje e madhe që po e gërryen demokracinë dhe po krijon
bindjen tek shumica e shqiptarëve se të gjithë politikanët janë demagogë dhe të
korruptuar. Ndryshe flasin në opozitë dhe sa vijnë në pushtet, harrojnë
premtimet, u kthejnë kurrizin zgjedhësve të tyre dhe mendojnë vetëm se si të
pasurohen për vete dhe rrethin e tyre të ngushtë familjar dhe shoqëror. Për fat
të keq, me pak përjashtime, ky konkluzion është shumë pranë të vërtetës së
hidhur të realitetit ku jetojmë. Më keq akoma, shumë njerëz të zhgënjyer as nuk
besojnë më se situata mund të ndryshojë, ndaj gjejnë si zgjidhje braktisjen e
vendit drejt një jetë më të mirë në vendet perëndimore. Nga ana tjetër, të
zhgënjyer nga politika dhe drejtësia, të vënë përballë sfidave të jetës dhe në
pamundësi për t`i zgjidhur ato, shumë njerëz të dëshpëruar kryejnë veprime të
paligjshme ose bëjnë vetëgjyqësi, duke e rënduar edhe tej pozitën e tyre në një
shoqëri që sa vjen dhe bëhet më e huaj për ta. Nëse politika nuk do të arrijë
të adresojë problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët, nëse drejtësia nuk do
të funksionojë dhe nuk do të arrijë të ndëshkojë politikanët e korruptuar, nëse
shoqëria do të flejë dhe nuk do të reagojë sa nuk është vonë për t`i ndëshkuar
me votë abuzuesit, ditë të vështira na presin përpara. Askush të mos ketë
iluzionin se korrupsionin do ta luftojnë të korruptuarit dhe inkriminuarit.

– Zoti Bello, a
janë të rrezikuara votat në 18 qershor 2017 që të blihen nga partitë politike,
nga kandidatët për deputetë? Përse mazhoranca e Majtë, nuk pranoi që në
zgjedhjet parlamentare të 2017 të funksionojë numërimi dhe identifikimi
elektronik në votime, kur në 2013, PS në opozitë këmbënguli me forcë për ato
(pavarësisht se KQZ e atëhershme i sabotoi)? Për kë duhet të votojnë shqiptarët
në 2017?

– Është goxha
dekurajues fakti se edhe pas kaq vitesh ne nuk jemi në gjendje të realizojmë
zgjedhje të lira e të ndershme. Ka shumë arësye përse ndodh një gjë e tillë,
por padyshim konsiderimi i politikës si rrugë për t’u pasuruar mbetet shkaku
kryesor i luftës së egër midis forcave politike, të cilat hapur vënë interesat
e tyre të ngushta mbi interesat e vendit dhe qytetarëve. Politikanë që nuk
rreshtin së shprehuri arrogancën në çdo moment, që qeverisin vetëm nga televizori
dhe për të cilët qytetarët janë thjesht numra që votojnë, që ata të shijojnë
jetën dhe kënaqin pasionet e tyre. Nuk ka më turp tek sheh çdo ditë politikanë
që kacafyten si gjela, qeveritarë që majmen dhe fryhen nga pangopja me fondet
publike apo opozitarë anemikë dhe të kompromentuar që heshtin, duke pritur
derisa qytetarët të lodhen me ata që janë në pushtet dhe votojnë për t`i
risjellë ata në pushtet. Unë jam në favor të votimit elektronik, por nuk besoj
se e keqja vjen prej mungesës së këtij votimi. Rastet e fundit tregojnë se
zgjedhjet praktikisht mbyllen disa ditë përpara votimit, kur qytetarët
dorëzohen përpara presionit, arrogancës, varfërisë dhe mungesës së
perspektivës, duke mos shkuar fare të votojnë ose, më keq akoma, duke votuar
për ata që janë në pushtet, me shpresën e zbehtë se ndoshta kësaj herë ata do
jenë paksa më të mirë dhe do të mendojnë edhe për ta. Sigurisht që ky është
thjesht një iluzion. Unë do t`i ftoja zgjedhësit të dalin masivisht në votime
dhe të votojnë për ndryshim sa herë janë të pakënaqur dhe kërkojnë një jetë më
të mirë. Të zgjedhin ata që janë më të mirët, njerëz të thjeshtë dhe dinjitoz,
të etur për zhvillim e përparim, që duan një Shqipëri më të mirë dhe më të
drejtë për vete dhe fëmijët e tyre. Rrugë tjetër në demokraci nuk ka. Çdo
ndryshim duhet dhe mund të vijë vetëm përmes votës së lirë. 

-Ka shumë
shqiptarë, që gjykojnë, se kryeministrit Rama nuk i leverdis që Shqipëria të
hapë negociatat me BE për anëtarësim, pasi kështu qeverisja e tij do të ketë
një mbikqyrje më të rreptë demokratike nga BE, ndaj edhe qëllimisht Rama i
zvarrit reformat e integrimit, në mënyrë që të ketë duart e lira që të qeverisë
si të dojë ai. Cili është gjykimi juaj për këtë çështje?

-Unë nuk kam
shumë fakte që të jap një gjykim sa më të drejtë lidhur me këtë pyetje, por
nisur nga sa shikojmë mund të themi se politika ka përgjegjësi të madhe për
zvarritjen e reformave, grindjet meskine për interesa të ngushta, luftën e
pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit dhe paaftësinë për të gjetur zgjidhje
për problemet kryesore që shqetësojnë shqiptarët. Polarizimi i frikshëm,
pasurimi i një grushti klientësh pranë qeverisë, shkatërrimi i pronës publike
dhe braktisja e zonave rurale, lënia e fshatit në harresë dhe etja për fitim me
të gjitha mënyrat po na largojnë përditë e më tepër nga ëndrra evropiane, për
të cilën u cuan studentët dhe mbarë populli në vitet `90. Me dashje apo pa
dashje, ne vijojmë të humbasim trenat e integrimit, duke harruar se jo
gjithmonë ata do të ndalojnë në stacionin
tonë.

– Faleminderit!