INTERVISTA/ Flet kryetari i bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu: Ja si e shndërruam Kamzën në 10 vjet të drejtimit nga PD

701
Xhelal Mziu: “Si është shndërruar Kamza nga 2007, qeveria po na diskriminon politikisht” 
kryetari i Bashkisë Kamëz: Buxhetit 2018 më i madhi ndër vite, 65% do të shkojë për investime
Prej vitit 2007, janë shtruar me qindra e qindra kilometra rrugë dhe KUN (veçojmë rrugën e Babrrusë 7 km si dhe rivitalizimin e Qendrës së saj), miratuam planin urbanistik, emërtuam mbi 505 rrugë dhe ka nisur puna për sheshin e ri të qytetit dhe pedonalen e Kamzës. Mbi 70% e popullsisë kanë rrjet të ri ujësjellësi dhe furnizim me ujë. U ndërtua Pallati i Kulturës, palestra e Bathores, stadiumi i qytetit si dhe 18 objekte shkollore, u 4-fishua numri i bizneseve dhe ardhurat e Bashkisë janë mbi 10-fishuar krahasuar me vite më parë. Prej vitit 2013 jemi diskriminuar nga qeveria. Mbi 137 projekte që flenë në sirtarët e ministrive dhe asnjë përgjigje nuk kemi marrë. Nuk na kalojnë kompetencat, kanë hequr padrejtësisht politikisht mijëra familjeve nga skema e ndihmës ekonomike, nuk na akordojnë numrin e duhur bursave… etj. 
Zoti Mziu, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar keni kaluar buxhetin për vitin 2018 të Bashkisë Kamëz. Veç faktit që pati votë unanime si rrallë ndonjëherë, jo vetëm në bashkinë tuaj, por dhe të tjerat, cilat janë risitë e këtij buxheti?
Është e vërtetë që më 11 dhjetor, bashkia Kamëz kaloi në Këshillin Bashkiak, buxhetin për vitin 2018. Para këshilltarëve si çdo vit unë personalisht kam mbrojtur dhe prezantuar me detaje buxhetin, duke bërë transparencën maksimale, se për çfarë do të përdoren të ardhurat e bashkisë, grantet e pakushtëzuara si dhe çdo e ardhur tjetër vendore, grant apo gjithfarë. Pas prezantimit, këshilltarët e të gjitha forcave politike përfaqësuese në Këshillin Bashkiak, të bindur në transparencën e bashkisë, por tashmë dhe për punën e saj në terren ku Kamza dhe Paskuqani janë kthyer në kantierë ndërtimi, votuan unanimisht. Ky është një prej buxheteve më të mëdha ndër vite, edhe pse bashkia Kamëz nga vitit në vit buxhetin e ka pas më të madh në vlerë, ku pjesa e luanit ka shkuar për investime të cilat kthehen në të mirë të komunitetit. 

Bashkia Kamëz, si një zonë informale ka pasur imediate thuajse çdo vit përmirësimin e infrastrukturës. Ne kemi bërë maksimumin që fondet t’i përdorim për këtë qëllim dhe deri më tani kemi bërë një punë të madhe. Të paktën prej vitit 2007, kur unë jam zgjedhur kryetar i bashkisë Kamëz, janë më qindra e qindra kilometra rrugë të asfaltuara (shtruara edhe KUZ). Buxheti i vitit 2018 është diskutuar me grupet e interesit, por dhe me qytetarët ku kemi mundur të evidentojmë nevojat që ata kanë, e më pas është përgatitur dhe erdhëm deri tek dita e votimit, gjë që çoi dhe në bindjen absolute të këshilltarëve për ta votuar të gjithë.

Dua të theksoj se 65% e buxhetit të bashkisë Kamëz për vitin 2018 do të shkojë për investime. Ne si bashki, ndryshe nga homologet, punojmë me një staf të vogël por efiçent dhe fondet nuk i çojmë për paga dhe sigurime shoqërore, por investime!. 

Një pjesë e konsiderueshme të buxhetit e zënë të ardhurat vendore dhe kjo ka ardhur falë një pune të mirë të bërë në terren, luftës ndaj informalitetit si dhe shtim të numrit të bizneseve. 

A parashikon ky buxhet mbështetje për kategoritë në nevojë, shtresat sociale apo familjeve, të cilat përballen me fatkeqësi natyrore?
Sigurisht që bashkia Kamëz parashikon buxhet për këto kategori shoqërore. Edhe për vitin 2018, do të vazhdojë mbështetje për shtresat e qytetarëve në nevojë, sikurse kemi bërë deri më tani. Mbështetje do të ketë edhe për nxënësit dhe studentët e mirë, të cilëve do të ju akordohet bursa sipas meritës. Bashkia Kamëz herë pas here ka akorduar ndihma për familjet me të ardhura të pakta, me ndihmë ekonomike, në kushte të vështira jetese, si dhe raste përmbytjesh. Ne brenda mundësive jemi munduar t’u gjendemi pranë qytetarëve.

Gjatë vitit 2017, ju kemi parë në terren në inspektim dhe inaugurim rrugësh thuajse çdo ditë, madje dhe në ditët e nxehta të verës, ku jo vetëm që nuk e keni ulur, por e keni ngritur tempin e punës. A realizoi investime bashkia Kamëz këtë vit dhe cilat mund të na përmendni si më kryesoret?
E theksova edhe më lart, prioritet imi si kryebashkiak dhe stafit tim ka qenë përmirësimi rrënjësor i infrastrukturës së bashkisë Kamëz (tashmë kemi edhe Paskuqanin) dhe besoj në këtë drejtim ia kemi dalë. Pa dashur të ndalem në investimet pa fund të bëra në Kamëz në dy mandatet e para 2007-2011 dhe 2011-2015, të cilat janë të shumta, gjatë këtij mandati projektet e realizuara të bashkisë vetëm janë shtuar. Këtë vit, pra në vitin 2017, bashkia Kamëz ka pasur në proces realizimi plot 60 projekte në infrastrukturë (rrugë+KUN), pjesa më e madhe e të cilave janë realizuar dhe një pjesë janë drejt përfundimit të tyre. Këto projekte kanë ndikuar dukshëm dhe kanë dhënë impakt social në komunitet, si dhe kanë ndihmuar në zhvillimin e biznesit në zonë. Investimet kanë qenë në rrugë dhe KUN. Dua të theksoj se prioritet ka qenë më shumë zona e Paskuqanit për faktin se nevojat kanë qenë më të mëdha atje. Përpos investimeve të tjera, në Paskuqan dua të përmend projektin e rrugës nga Ura e Universitetit Bujqësor në Babrru që ka përfunduar dhe do të shkojë deri tek kafja e Rremës një investim 100% me fondet e bashkisë prej 7 km, tashmë më e gjerë, me trotuare, gjelbërim dhe sinjalistikë, që i vjen në ndihmë, jo vetëm 50 mijë banorëve të Paskuqanit, por dhe qytetarëve të Tiranës dhe të tjerëve që zgjedhin të kalojnë në Tiranë përmes këtij aksi.
 
A ka projekte që janë në zbatim e që nuk kanë përfunduar në 2017. Po Qendra e re dhe Pedonalja e Kamzës kur pritet të bëhet realitet?
E theksova edhe më lart, janë pak projekte që nuk kanë përfunduar në 2017, po janë ende në realizim e sipër dhe shpejt do të jenë të prekshme për banorët. Po punohet më ritme të shpejta që rrugët dhe KUN në proces të përfundojnë sa më shpejt. 

Ndër investimet e rëndësishme të këtij viti dua të përmend; rivitalizimin e Qendrës së Babrrusë ku po shkojnë drejt mbarimit punimet, si dhe kanë nisur punimet për investimin madhor të Kamëz për ndërtimin e Qendrës së Re të qytetit si dhe Pedonales.

Zoti Mziu këtë vit Kamza pati përmbytje. Ju pamë që shoqëruat kryeministrin Rama. Çfarë i kërkuat dhe a mendoni se pas atij takimi të shkurtër do të shkrihen akujt me bashkisë Kamëz dhe qeverisë?
Së pari, dua të theksoj që Kamza sivjet ka pasur përmbytje më pak se herët e tjera, kjo falë punës së mirë të bërë nga bashkia në terren në pastrimin e kolektorëve. Sa i përket takimit më kryeministrin, bashkëpunimi im nuk ka munguar asnjëherë. Bashkëpunim nuk quhet vetëm takimi fizik e sidomos në atë rast emergjence, por dhe ai institucional. Unë si kryetar i bashkisë Kamëz i kam dërguar me dhjetëra e dhjetëra shkresa kryeministrit, qeverisë për bashkëpunim ku i kam kërkuar mbështetje financiare. Janë mbi 137 projekte që flenë në sirtarët e qeverisë dhe asnjë përgjigje nuk kemi marrë!. A nuk është ky një realitet absurd, ku bashkia e gjashtë më e madhe në vend nuk gjen mbështetjen e ekzekutivit!. Kalojnë kompetencat pa u shoqëruar me fondet përkatëse, por për çudi as dhe me asetet që drejtoritë që kanë pasur. Mund të marrim p.sh.: kalojnë zjarrfikëset, por jo stacioni i zjarrfikëseve në Kodër-Kamëz, një konvikt në territorin tonë pa asnjë shpjegim i kalon Bashkisë së Tiranës, ose rasti kur nuk kalon nga bordi i kullimit për ne i asnjë mjeti dhe akoma edhe më e rëndë kur qeveria bleu 61 ekskavatorë për bashkitë e republikës, e famshmja flotë, të gjithëve u dha nga 1, Bashkisë së Tiranës 2, kurse Kamzës zero. Këto dhe të tjera moskalime kompetencash dhe mungesë bashkëpunimi janë një problem jo i vogël. Qeveria e ka detyrim të mbështetë bashkitë dhe ato nuk duhen parë më syrin politik. Unë nuk kam ngrirë asnjëherë në marrëdhënie institucionale me qeverinë, por shpresoj të shkrijë qeveria.

Fakti që unë i kam kërkuar qeverisë financim të projekteve në rrugë zyrtare kam besuar se do gjeja mbështetje. Deri tani nuk ka ndodhur shpresoj që të reflektohet. Në atë takim të shkurtër veç dëmshpërblimit të familjeve të përmbytura, Ramës i parashtrova dhe kërkesat emergjente siç janë; financimi i kolektorëve; Valias i Ri, Valias i Vjetër, i kolektorit Zall-Herr-Bathore-Frutikulturë, pajisja me ekskavator, gjë që i ishte mohuar më parë nga ana e qeverisë si dhe pajisja e Kamzës me një stacion zjarrfikëseje duke qenë se nuk e kemi.

A mendoni se do keni mbështetjen e qeverisë për faktin se e keni nisur Vitin e Ri sërish me një ankesë ndaj Ministrisë së Arsimit sa i përket shpërndarjes së numrit të bursave apo ne janar Kamzës i janë hequr qindra familje nga skema e ndihmës ekonomike?
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në këtë fillim viti ka akorduar për studentët e Bashkisë Kamëz vetëm 15 (pesëmbëdhjetë) bursa të arsimit të lartë për vitin akademik 2017-2018. Referuar numrit real të popullsisë në Bashkinë Kamëz, regjistrohen 140.000 banorë, e thënë ndryshe, Kamza përfaqëson 5% të numrit të popullsisë në shkallë vendi. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka një numër total të bursave për arsimin e lartë në shkallë vendi 1800 (një mijë e tetëqind). Të ndodhur përpara këtyre fakteve në ndarje matematikore i përkon që Bashkisë Kamëz t’i jepen 90 (nëntëdhjetë) bursa studimore. Aktualisht ajo ka marrë 6 herë më pak sesa fakti real që Bashkia Kamëz duhej të ishte përfituese. Edhe në kushtet e dhënies së 90 bursave studimore, përsëri do të kishim një vështirësi në ndarjen e tyre, pasi kërkesa për to është shumë herë më e lartë dhe e vlerësuar sipas kritereve përfituese. Jo më tani që për studentët e Bashkisë Kamëz mbeten vetëm 15 bursa studimore dhe diskriminimi vjen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si një trajtim i vërtetë politik ku të dëmtuar nga ky vlerësim dalin studentët e qytetit të Kamzës. Ky diskriminim është vazhdë e trajtimit të qytetarëve të Kamzës si qytetarë të dorës së dytë. Për të gjithë këto i jemi drejtuar me shkresa zyrtare dikasterit përgjegjës të qeverisë shqiptare. Edhe sa i përket trajtimit të familjeve me ndihmë ekonomike sërish bashkia Kamëz me një popullsi me 150 mijë banorë diskriminohet. Vetëm këtë fillim viti bashkisë Kamëz i janë hequr 782 familje nga skema e ndihmës ekonomike, të hequra padrejtësisht (diskriminim politik). Nga 2013 deri sot janë hequr mbi 5 mijë familje nga skema e ndihmës ekonomike!

Si paraqitet gjendja e furnizimit më ujë në Kamëz?
Ka një përmirësim rrënjësor të furnizimit më ujë në Kamëz. Tashmë ka mbaruar faza e parë e projektit për ujësjellësin. Zbatimi i kësaj faze mundësoi furnizimin me ujë të pijshëm të gati 70 për qind të qytetarëve të Kamzës, një financim KfW. U mundësua mbyllja e fazës së parë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve nga banka gjermane KfW Entwicklungsbank, dhe së shpejti fillon implementimi i fazave te tjera. Aktualisht mbi 70% e popullsisë kanë rrjet të ri ujësjellësi dhe furnizim me ujë. 

A mund të na bëni një bilanc të punës suaj gjatë 3 mandateve në krye të bashkisë?
Kamza ka pësuar ndryshime rrënjësore e ndoshta do duhen faqe të tëra gazete për të numëruar arritjet, ose projektet e realizuara. Krahasuar me vitin 2007 kur u ula në karrigen e kryebashkiakut, realiteti është krejt ndryshe. Jemi ndër qytetet e para që miratuam planit urbanistik, qyteti i vetëm me sistem të plotë adresash dhe kemi emërtuar mbi 505 rrugë. Tashmë Kamza është gati për implementimin e ZIP-KOD-it. Janë asfaltuar me qindra e qindra km rrugë, janë shtrirë me qindra rrjete të ujësjellës-kanalizimeve duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm. U mundësua mbyllja e fazës së parë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve nga banka gjermane KfW, dhe së shpejti fillon implementimi i fazave te tjera. Sot mbi 70% e popullsisë kanë rrjet të ri ujësjellësi dhe furnizim me ujë. Kemi mundësuar dhe shtrirjen e rrjetit të furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike 20 kv mbi 70% të popullsisë. 

Janë ndërtuar 18 objekte shkollore (shkolla dhe kopshte) me standarde evropiane. Bashkia ka ndërtuar Pallatin modern të Kulturës për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët një nga më të mirët në vend. U ndërtua stadiumi i qytetit si dhe palestra moderne e basketbollit në Bathore. Kemi ngritur qendrën e shërbimeve ndaj qytetarëve, One Stop Shop, më e mira në Shqipëri, e vlerësuar nga ndërkombëtarët si praktika më e mirë e qeverisjes vendore. Është 4-fishuar numri i bizneseve falë taksave të ulëta dhe klimës së mirë që kemi krijuar, gjë që na ka mundësuar dhe punësimin e mijëra qytetarëve. Bashkia Kamëz ka pasur një paketë fiskale konkurruese dhe stimuluese për zhvillimin e biznesit gjë që ka çuar në rritjen e numrit të të punësuarve me mbi 10 mijë veta, ku një ndihmë të madhe ka dhënë sektori fason. Të ardhurat e Bashkisë janë mbi 10-fishuar krahasuar me vite më parë. Kamza sot është një qytet i pastër me makineri pastrimi bashkëkohore dhe kontejnerë të standardeve evropiane. Mundësuam shtrirjen e linjës së telefonisë fikse dhe internetit në gjithë territorin e Kamzës, ndërtuam rrugën Demokracia 7 km të gjatë nga Ura e Institutit në Babrru deri tek kafja e Rremës etj. Të tjera projekte janë në zbatim, jo vetëm ndërtimin e qindra km rrugë dhe KUZ, por dhe Qendra e qytetit të Kamzës bashkë me Pedonalen, rehabilitimi i Qendrës së Babrrusë etj. Kamza ka spikatur dhe në sport. Ekipi i futbollit nga debutues është kthyer në pretendent në superligë. A e ka mbështetur bashkia sportin dhe kulturën?

Sporti dhe kultura kanë pasur gjithnjë mbështetjen e Bashkisë. Këtë vit jemi mirë në futboll, por Kamza ka qenë dhe më parë në Superligë. Veç futbollit kemi qenë dhe jemi mirë dhe në Basketboll si dhe sporte të tjera si Karate etj. Bashkia veç mbështetjes së ekipit ka punuar dhe po punon në përmirësimin dhe shtimin e infrastrukturës sportive ku mund të përmendim stadiumin, apo ndërtimin e terreneve të tjera sportive si dhe palestrës së Bathores për ekipin e Basketbollit.

Një pyetje të fundit z.Mziu të cilën nuk mund të mos e bënim. Bashkia Kamëz u rendit nga Ministria e Financave si bashkia me performancën më të mirë financiare. Si u ndjetë pas këtij vlerësimi?
Sigurisht që një vlerësim i tillë për ne është inkurajues në fushën e financave për të vazhduar dhe bërë më të mirën. Është një lajm i mirë për ne, aq më tepër kur vjen nga Ministria e Financave, pjesë e kësaj qeverie, e cila vetëm baltë ka hedhur herë pas here mbi punën tonë. Ky është rasti për të treguar që shifrat nuk të lënë të gabosh dhe shpifësh. 
Intervistoi: Esmeralda PIRRA
Sigal