Internet falas te Parku i Liqenit, i sigurt dhe miqësor për fëmijët, Veliaj: “Nisma të tilla do t’i shpërndajmë në të gjithë qytetin; 5 Maji, Ditë pa Makina”

157

Internet falas te Parku i Liqenit, i sigurt dhe miqësor për fëmijët dhe familjet

Tirana do të jetë qyteti i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që do të ofrojë një mjedis online miqësor për fëmijët dhe familjet. Bashkia e Tiranës, UNICEF dhe Albtelecom prezantuan dje nismën “Friendly Wi-Fi”, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një shërbim i certifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se falë këtij projekti qytetarët, por sidomos fëmijët, mund të lundrojnë të sigurt në internet, duke qenë pranë natyrës. “Lajmi i mirë është se kushdo që ka një celular, në vend që të qëndrojë në shtëpi, i zhytur në kolltuk apo në divan, mund të vijë dhe të lundrojë falas në internet tek liqeni. Me Albtelecom-in ky është projekti ynë i 40-të, po është i dyti i këtij lloji, pas sheshit “Skënderbej”, ku kemi hapësira që ofrojmë internet falas në natyrë”, tha ai.

Duke vënë theksin tek nevoja për të ndalur gjuhën e urrejtjes dhe të bullizmit edhe në platformat online, kryebashkiaku theksoi domosdoshmërinë për të pasur internet të sigurt dhe miqësor. “I përdorur mirë mund të na sjellë dobi të jashtëzakonshme. Ajo që bëjmë ndryshe sot, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Albtelecom-in, është që këtë mjet ta përdorim vetëm për qëllime të mira. Interneti falas që do të përdoret në të gjithë këtë pedonale, buzë Liqenit, por edhe tek sheshi “Skënderbej”, është i filtruar me një soft “internet friendly”, i cili mund të përdoret vetëm për mirë dhe për mënyra të dobishme”, deklaroi ai.

Ky shërbim do të shtrihet edhe në hapësira të tjera të kryeqytetit ku çdo kush mund të lundrojë lirisht dhe në mënyrë të sigurt në internet. “Mezi pres që këtë nismë ta shpërndajmë edhe në hapësira të tjera, nëpër shkolla, konvikte, apo edhe në hapësira të tjera si Pazari i Ri. Edhe te Liqeni i Farkës duam të bëjmë të njëjtën gjë, ta konsiderojmë hapësirën e internetit me të njëjtat kritere e standarde, por edhe me të njëjtin kujdes e dashuri, siç kemi hapësirat familjare apo hapësirat tona shkollore”, nënvizoi Veliaj.

Nisur nga të dhënat që ofron aplikacioni “Tirana Ime”, kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës do të ndjekë ato politika mjedisore që nxisin sa më pak lëvizje me makina. Kjo është arsyeja pse në Tiranë do të shtohen edhe ditët pa makina, duke filluar nga 5 Maji. “Një ndër arsyet pse duam që t’i japim Tiranës më shumë ditë pa makina është se me aparaturat që kemi vendosur tek app-i “Tirana ime”, shohim se si ndonjëherë ajri ndotet më shumë në oraret kur përdoret më shumë makina, që është ora e mëngjesit, kur njerëzit shkojnë në punë dhe ora e pasdites kur kthehen nga puna. Prandaj, në datën 5 Maj do të kemi një ditë tjetër pa makina”, tha ai.

Kjo risi ka për qëllim t’u ofrojë familjeve dhe fëmijëve një alternativë më të sigurt dhe të përshtatshme gjatë lundrimit të tyre në internet. “Duke konsideruar se në nivel botëror 1 në 3 përdorues të internetit janë fëmijë dhe ky numër po rritet, mbrojtja e tyre nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi online do të bëhet gjithmonë e më shumë një çështje kritike që kërkon veprim të menjëhershëm nga ana jonë!Teknologjia vet mund të jetë një zgjidhje, dhe jo më kot nisma “Friendly Wi-Fi” është një hap i rëndësishëm në një përpjekje për të parandaluar këtë fenomen. Jam veçanërisht i lumtur me bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi zhvilluar me Bashkinë e Tiranës, e cila mobilizoi burimet e saj dhe angazhoi në mënyrë aktive sektorin privat në këtë përpjekje për t’i mbajtur fëmijët tanë të lumtur dhe të mbrojtur në internet”, u shpreh Dr. Roberto De Bernardi, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri.

Përfaqësuesi i Albtelecom-it, Tahsin Yılmaz, vlerësoi Bashkinë e Tiranës dhe UNICEF-in për këtë nismë dhe premtoi vijimin e mbështetjes për projekte të tilla. “Falenderoj kryetarin e Bashkisë, z. Veliaj dhe përfaqësuesin e UNICEF-it. Cilido qoftë roli ynë, qëllimi i përbashkët është të përmirësojmë stilin e jetës, të përmirësojmë jetën tonë”, tha ai.