Interesat që burojnë nga dogana e Qafë -Thanës, u mohojnë banorëve të Rrajcës pronat e ligjshme

93

LIBRAZHD/ Kryevendori Haxhi Çollaku: “Neglizhenca 20- vjeçare e strukturave përkatëse ka rënduar situatën”

Ka më shumë se 20 vjet, që ndonëse me premtime të herë pas hershme të qeveritarëve, rreth 31.7 hektar  toke në territorin e doganës e më gjerë, vazhdojnë të jenë ‘mollë sherri’ e premise për konflikte e ngjarje të rënda. Në dy dekada janë hartuar qindra shkresa nga banorët e vendorët në qeveri e anasjelltas, por çuditërisht, banorëve, ndonëse kanë tapitë e vjetra, nuk u jepet prona e ligjshme. Banorët shtojnë se prapa këtij fakti, neglizhencës 20- vjeçare, “fshihen grupe apo persona me pushtet nga të dy krahët e politikës shqiptare, të cilët kanë përfituar dhe përfitojnë direkt apo indirekt nga toka, ku funksionon pika doganore e Qafë- Thanës”.

PROBLEMI

Toka, ku aktualisht ndodhet dogana e Qafë-Thanës, me tapi të hershme, ka qenë pronë e banorëve të fshatit Rrajcë të Librazhdit. Por për shkak të ngritjes së doganës e administrimit nga rrethi i Pogradecit, praktikisht, një pjesë e mirë e kësaj toke, administrohet nga institucionet e Pogradecit. “Këto toka, historikisht, kanë tonat. Këtë nuk na e mohon askush, pasi ne kemi e ruajmë tapitë e pronësisë. Por në fakt, nuk jemi pronarë të saj, pasi kjo tokë administrohet e shfrytëzohet nga të tjerë. Ne hallexhinjve, na përcjellin sa në qarkun e Korçës (brenda kufijve të të cilit është Pogradeci), në Qarkun e Elbasanit, ku përfshihet administrativisht dhe komuna e Rrajcës. Na premtojnë të gjithë, veçanërisht në kohë fushatash, por kanë kaluar më shumë se 20 vjet, e situate është e njëjtë”- pohon 75-vjeçari Ali Dashi. Zvarritjen e zgjidhjes së pronësisë për këtë territor, e konfirmon për ‘Telegraf’ dhe Haxhi Çollaku, kryetar i komunës së Rrajcës. “Historikisht Rrajca, duke pasur probleme me trojet ka kërkuar që në kohën e Perandorisë Turke verifikimin dhe saktësimin e kufijve të saj. Sot ekziston një dokument në arkivin e shtetit me emërtimin ‘Letër Kufini’ i viti 1525, i cili saktëson vijë administrative të Rrajcës. Dokumenti në fjalë është kategorikisht ligjor, i përkthyer nga Abdyl Qatipi e noter Fetah Ekmeçiu në tetor të 1938-s në Elbasan. Historikisht, këto toka janë punuar nga banorët e Rrajcës. Deri në kolektivizim, krijimin e  kooperativave bujqësore”,- pohon kryetari i komunës.

PARADOKSI

Pas vitit 1991 me ardhjen e demokracisë banorët shpresuan se do të vendosej drejtësi para ligjit, pra e drejta ekskluzive-kategorike për pronën e aq më tepër për pronësinë e patundshme. Në fakt, tokat e tyre me tapi, rrinë pothuaj djerrë,pasi edhe fshatarët e Pogradecit, nuk pranojnë të punojnë në ‘to, pasi e dinë se ato janë të fshatarëve të Rrajcës. Numri i familjeve që kanë marrë tokë në pronësi në bazë të ligjit nr.7501 datë 17.07.1991 “Për tokën”, në territorin e Qafë-Thanës nga trari i doganës deri në kufirin shtetëror është jo pak por 12.6 ha tokë veç pjesës që ka zënë vetë trualli i doganës bashkë me anekset rreth e qark. Lista e familjeve që kanë marrë tokë në bazë të ligjit 7501 është jo pak por 136 familje, ku është shënuar numri i aktit dhe sipërfaqja. Që nga vitet 1991-1992 ka një ‘mal’ me shkresa për pronësinë e tokave bujqësore në Qafë -Thanë. Edhe proceset gjyqësore që kanë nisur për këtë shqetësim, kanë ‘mbetur në rrugë’….