Interesat e klinikave private, mbajnë peng pajisjet 4 miliardë lekëshe të spitaleve

721
Sigal

Q.S.U.T nuk bën zëvendësimin e Rezonancës Magnetike

Pas kalvarit të Rezonancës Magnetike të Elbasanit ku kompanisë fituese prej 5 muajsh nuk i hapet Letër Kredia, një tjetër histori po ndodh në këtë fushë, por këtë radhë në Q.S.U. “Nënë Tereza” Tiranë. Pasi dokumentacioni për firmën fitues u mbajt mbi 2 muaj në Komisionin e Prokurimit Publik për t’u riparë, më në fund u vendos kontrata, por ç’ndodhi?

Prej më se një jave Q.S.U. “Nënë Tereza” megjithëse e ka për detyrim nuk heq rezonancën e vjetër dhe të fillojë të përgatitë ambientin për vendosjen e rezonancës së re. Kjo situatë përkeqësohet akoma më tepër, kur dihet që në mes të muajit Nëntor duhet të vijë rezonanca e re dhe gjithë përgatitjet e ambientit ku kjo aparaturë do të instalohet, duhet të jenë bërë gati. Deri tani duket si një histori normale, por kur dimë që Rezonanca Magnetike nuk mund të rrijë dot më tepër se 3 ditë pa u lidhur me rrjetin elektrik dhe jo vetëm, atëherë çështja është e një serioziteti të veçantë, pasi në fjalë të tjera, nëse dhoma nuk është përgatitur si duhet në këtë periudhë shumë të shkurtër kohe, atëherë, investimi prej 1.5 milionë Euro me paratë e taksapaguesve shqiptar shkon dëm. E bukura është që megjithëse janë me vonesë të madhe, Autoriteti Kontraktor, pra QSUT nuk pranon të hapë Letër Kredi, duke e çuar këtë problem në një rebus të pazgjidhshëm pasi siç e dimë, në fund të vitit, fondet digjen. Lind pyetja: Kujt i shërben kjo vonesë? Kaq të vështirë e ka Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të heqë një Rezonancë Magnetike? Kaq e vështirë është që të hapet një Letër Kredi që të sigurojë vonesën e palëve? Kush është dora e padukshme që e manipulon vendosjen e rezonancës që është më modernia në Ballkan? Mos vallë kjo i intereson privatëve shqiptarë, të cilëve i prishet biznesi? Po Rezonanca Magnetike e Elbasanit që nuk vjen prej 5 muajsh me sebepin që nuk hapet dot Letër Kredia, megjithëse të gjitha punimet civile që kërkohen në këtë rast janë bërë me lekët e taksapaguesve shqiptarë? Mos kemi të bëjmë me një paaftësi apo një dorë e zezë e padukshme lëviz gjithçka dhe Ministria bën sikur është e paaftë të marrë masa, të cilat janë elementare për një Qendër Shëndetësore të një fshati të humbur, e jo më për një Ministri? Zotërinj të nderuar! Nëse jeni të paaftë të bëni veprime të një shefi sektori të një ndërmarrje, është mirë ta lëshoni atë vend të cilin e keni marrë pa meritokraci, pasi ky popull i varfër sa më s’ka, është lodhur të paguajë për ekzaminime që gjithë bota i bën falas ose nëpërmjet sigurimeve. Koha për të dhënë llogari për paaftësinë Tuaj ka ardhur.

Rezonanca Magnetike nuk mund të rrijë dot më tepër se 3 ditë pa u lidhur me rrjetin elektrik dhe jo vetëm, atëherë çështja është e një serioziteti të veçantë, pasi me fjalë të tjera, nëse dhoma nuk është përgatitur si duhet në këtë periudhë shumë të shkurtër kohe, atëherë, investimi prej 1.5 milionë Euro me paratë e taksapaguesve shqiptarë shkon dëm

Ja shkrimi i publikuar në gazetën “Telegraf”, më 24 gusht 2018

SKANDAL NË TENDERIN E REZONANCËS MAGNETIKE TË Q.S.U.T

Nuk kanë të sosur skandalet në fushën e shëndetësisë. Rasti i fundit është ai i tenderit të blerjes së aparatit të Rezonancës Magnetike në Shërbimin e Neurologji-Neurokirurgji të Q.S.U.T. Pasi tenderi u zhvillua dhe e para doli kompania “Philips” me çmimin më të ulët dhe konfigurimin më të mirë, shoqëria humbëse filloi që të protestojë. Deri këtu gjithçka është normale Në fillim protesta shkoi në QSUT dhe u organizua një komision tjetër i cili përsëri shpalli fituese kompaninë “Philips”. Mirëpo nuk mbaroi këtu. Duke ditur që me këtë qeveri është vështirë që të fitojë çmimi më i ulët, firma kavajase “MEDFAU” vazhdoi protestat në Komisionin e Prokurimit Publik (K.P.P). Mirëpo ç’po ndodh? Pasi mori edhe një herë arsyetimin nga profesorët e Q.S.U.T që fituese është firma “Philips”, K.P.P duke mos pasur kurajën që të ndryshojë fituesin, ka zgjedhur një rrugë tjetër: Të mos japë përgjigje! Megjithëse ka kaluar mbi një muaj nga dita kur është paraqitur ankesa dhe në bazë të Ligjit procesi duhej të kishte mbaruar, megjithëse kanë kaluar 2 javë nga përgjigja e QSUT, K.P.P nuk kthen përgjigje! Kjo ndodh për arsye që ata duan që të kalojë koha duke ditur që në dhomën ku duhet të instalohet pajisja e re Rezonancë Magnetike duhen kryer punime përshtatëse të cilat bëhen me tender rikonstruksioni. Kjo kohë që po kalon është e artë për firmat humbëse sepse nuk ka kohë as të përshtatet dhoma dhe jo më tej të instalohet rezonanca e re e cila kërkon minimumi 50 ditë. Drejtori i K.P.P, Zonja Evis Shurdha, e përzgjedhura e zotit Rama po tregohet shumë e aftë teknikisht në bërjen e këtij tenderi të pavlefshëm. Duke mos pasur kurajën të bëjë të bardhën të zezë, tenton ta bëjë të gjithë tenderin të parealizueshëm, duke mos dhënë asnjë përgjigje. Në këtë mënyrë, përveç të tjerave, pacientët shqiptarë në Q.S.U.T do t’i drejtohen klinikave private për të bërë rezonancën magnetike, pasi rezonanca ekzistuese është pa kontratë mirëmbajtjeje dhe defekti më i vogël bën që puna të ndërpritet. Kjo është mjekësia moderne që proklamojnë Rilindësit. Ja pse zoti Rama e donte zonjën Shurdha me çdo kusht në atë post. Kështu pra, edhe kur janë paratë e taksapaguesve shqiptarë që duhet të shkojnë në drejtimin e duhur, qeveria aktuale nuk i shfrytëzon ato në mënyrë që të kthehen në para për P.P.P dhe jo për zhvillimin e një mjekësie normale. Në anën tjetër vërtetohet katërçipërisht që lotët e krokodilit që kjo qeveri po lufton korrupsionin, mbeten vetëm të tilla. Ky është një shembull real që korrupsioni në Shqipëri nuk është zhdukur por është bërë më i sofistikuar. Shumë i thjeshtë për t’u lexuar nga ndërkombëtarët, paçka kamuflimeve që mundohen të bëjnë qeveritarët tanë.