Intelektuali dhe veprimtari, Xhevat Lluri merr titullin e lartë “Mirënjohja e Shoqatës Labëria, Nderi i Kombit”

507
Sigal

Albert Zholi

Dje, Shoqata Labëria, “Nderi i Kombit” zhvilloi një aktivitet të veçantë ku nderoi me titullin e lartë “Mirënjohja e Shoqatës Labëria, Nderi i Kombit” veprimtarin, intelektualin, publicistin nga Prongjia e Gjirokastrës, z. Xhevat Lluri. Në këtë event të mirëorganizuar, merrnin pjesë anëtarë të Shoqatës “Labëria”, anëtarë të Komitetit të Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, pjesëtarë të familjes, miq dhe të afërm të zotit Xhevat. Ishin të pranishëm zv. kryetari i Shoqatës “Labëria” z. Agim Çiraku, Sekretari Organizativ z. Bashkim Qeli, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, z. Odise Porodini, kryeredaktori i gazetës “Kushtrim Brezash” z. Gjikë Kurtiqi, Drejtori gazetës Telegraf z. Ëngjëll Musai dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së Xhevatit. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës “Labëria” dega Tiranë, z. Bernard Zotaj. Ai foli për veprimtarinë e z, Xhevat në shoqatën “Labëria” si publicist, fotograf dhe veprimtar i shquar. Ndërsa një rezyme të gjerë për jetën e Xhevatit e mbajti Prof. Zaho Golemi, i cili vuri në pah gjithë punën e tij në shoqatë, në zonën nga ka origjinën, por edhe në nxitjen që ai ka bërë në pushtetin lokal dhe atë qendror për lartësimin e figurave patriotike. Në fjalën e ti z. Golemi theksoi se: ” Fshati Prongji i krahinës së Kardhiqit të rrethit Gjirokastrës ka një pozicion të veçantë strategjik, rrethuar nga male të lartë me shkëmbinj e përrenj, kodra, brinja dhe bregore që i japin një pamje piktoreske.

Banorët e këtij fshati dallohen për burrëri e trimëri, urtësi, bujari dhe mençuri. Ka të kaluar patriotike e me tradita të hershme atdhetare. Nga gjiri vet ka nxjerrë figura të shquara patriotësh e atdhetarë që kanë nderuar mëmëdhenë duke kulmuar me pjesëmarrjen e gjerë të popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Janë një sërë figurash të shquara që janë fiksuar në memorien historike. Ndër të parët që na vjen në mendje është Barjam Ligu (Prongjia) që njihet si atentatori i vrasjes së bimbashit turk, në mars të vitit 1908 në Gjirokastër, ish-luftëtar i çetës patriotike të heroit Çerçiz Topulli. I njohur për guximin e trimëritë e tij edhe në vitet e mëvonshme 1913-1914 kur monarkofashistët grekë kërkonin të pushtonin Jugun e vendit për ta shkëputur nga qeveria e Vlorës së Ismail Qemalit, për të krijuar të ashtuquajturin Vorio-Epir. Kur andartët grekë zbarkuan në fshatrat e krahinës së Kurveleshit dhe të Kardhiqit erdhën edhe në Prongji dhe mblodhën të gjithë burrat e fshatit dhe u kërkuan të dorëzonin armët, por hasën në rezistencën e tyre. Ishte i pari Barjam Ligu që i kundërshtoi dhe u bëri thirrje fshatarëve që të mos i dorëzonin.

Ky qëndrim i vendosur e burrëror i tij i revoltoi shumë dhe filluan ta torturonin duke i thyer edhe brinjët, se e dinin që ishte luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit që u kishte kallur datën me aksionet e tij patriotike. Kështu e arrestuan dhe e izoluan në kalanë e Kardhiqit ku kishin komandën. Megjithëse e torturuan përsëri ay nuk u përkul dhe në shenjë hakmarrje i prenë njërin vesh për ta turpëruar para njerëzve por ai ishte ballëlart dhe nuk e mbuloi kurrë, përkundrazi ia rriste më shumë lavdinë para njerëzve. Për këtë figurë ishte Xhevat Lluri që nxiti gjithë krahinën për t’i bërë një bust në fshatin e tij”. Pas z. Golemi e morën fjalën shumë miq dhe të afërm të Xhevatit që nxorën në pah vlerat e tij si intelektual, publicist, familjar dhe njeri i dashur i artit. Në fund të takimit mes lotëve Xhevat Lluri falënderoi të pranishmit për këtë vlerësim dhe u shpreh, se do punojë gjithë jetën në dobi të patriotizmit, vlerave të LNC dhe të shoqatës “Labëria” që është simbol i patriotizmit në dallim nga të gjitha shoqatat e tjera.