Integrimi/ Zbardhen 13 rekomandimet e Komisionit të Stabilizim-Asociimit

517
Zbardhet drafti i rekomandimeve të përgatitura për mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, që pritet të mblidhet në Bruksel më 7 e 8 Nëntor.
Në pikën një të tij, ritheksohet mbështetja e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe i bëhet, thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të caktojë një datë për të hapur negociatat. Por kërkohet nga vendi ynë zbatimi me shpejtësi i reformës në drejtësi.
Nga ana tjetër, raporti i bën thirrje institucioneve përgjegjëse për të vazhduar zbatimin e ligjit për integritetin e personave të zgjedhur ose të emëruar në poste publike, pra dekriminalizimin, dhe për të forcuar procesin e shqyrtimit në dritën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në raport flitet për një trend pozitiv në operacionet në lidhje me shkatërrimin e fushave të kanabisit dhe rënie të përgjithshme të fushave të mbjella, si dhe bashkëpunimit të suksesshëm ndërkufitar, sidomos me autoritetet italiane, në parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të kultivimit të kanabisit.
Në rekomandimin 12 të këtij dokumenti u bëhet thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, për të krijuar një mjedis që nxit lirinë e vërtetë të medias dhe lirinë e shprehjes, duke shmangur çdo formë të censurës në media”.
Në dokument thuhet se Komiteti për Stabilizim Asociim Shqipëri-BE, do të bëhet nën drejtimin e Znj.Monika Macovei për delegacionin e Parlamentit Europian dhe Taulant Ballës për delegacionin e parlamentit shqiptar, ndërsa këto rekomandime për Shqipërinë, janë dakordësuar mes ministres sonë të Integrimit, Klajda Gjosha dhe drejtores së Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të BE-së, Genovefa Ruiz Cavalera, në prag të daljes së opinionit të përvitshëm mbi përparimin e vendit tonë, në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit.
13 REKOMANDIMET E PLOTA TË KOMISIONIT TË STABILIZIM ASOCIIMIT PËR SHQIPËRINË
Anëtarët e Komitetit Parlamentar i Stabilizim-Asociimit (BE-Shqipëri) të shqyrtoi çështjet e mëposhtme:
Mënyra e zhvillimit të marrëdhënieve Bashkimi Evropian-Shqipëri
Zbatimi i reformës në drejtësi
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Reforma zgjedhore dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit, në përputhje me Rregullin 3 të Rregullave të Procedurës dhe Nenit 122 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, u drejtohet me Rekomandimet e mëposhtme Këshillit të Sabilizim-Asociimit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian:
1. Rithekson mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur reformat në pika kyç të jenë zbatuar dhe të pakthyeshme; mbështet hapjen e negociatave duke marrë parasysh progresin domethënës dhe fazën bindëse e zbatimit të këtyre reformave; beson shumë se hapja e negociatave do të ofrojë një nxitje të fuqishme për të miratuar dhe zbatuar bashkësinë e plotë të reformave që kanë lidhje me BE-në;
2. I bën, kështu, thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të caktojë një datë për të hapur negociatat dhe që Shqipëria të zbatojë me shpejtësi reformën në drejtësi në tërësinë e saj dhe të sigurojnë një progres të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës të mëtejshëm për sa u përket zbatimit të pesë prioritet kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave;
3. Vlerëson miratimin unanim të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi në 22 korrik 2016 dhe për qëndrimin mbështetës të treguar nga të gjithë deputetët në këtë rast;
4. Nxit Shqipërinë të mbajë këtë ritëm pozitiv të reformave dhe të miratojë me shpejtësi të gjitha ligjet e nevojshme për zbatimin e plotë dhe në kohë të reformës në drejtësi; vë në dukje se miratimi i këtyre ligjeve, ngritja e institucioneve përkatëse, dhe nisja e zbatimit do të vlerësohet nga Komisioni Evropian duke marrë në konsideratë hapjen e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe Kapitullit 24 – Drejtësia, liria dhe siguruar të negocimit, të cilët në përputhje me praktikën e vendosur pritet të hapen të hapen të parët dhe të mbyllen të fundit në procesin e negocimit; ritheksonte një reformë tërësorë dhe gjithëpërfshirëse është jetike për të siguruar efikasitet, profesionalizëm, pavarësi dhe llogaridhënie në të gjithë këtë sektor – nëse zbatohet e plotë, do t’i sjellë përfitime të mëdha për qytetarët shqiptarë dhe do të rrisë besimin në sistemin gjyqësor dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, si edhe do t’i japë kuptim drejtësisë;
5. Mirëpret zbatimin e vazhdueshëm të reformës së administratës publike dhe reformës së menaxhimit të financave publike duke marrë në konsideratë një administratë publike efikase dhe që funksionon mirë; bën thirrje për progres të mëtejshëm në zbatimin e ligjit për nëpunësit civil, duke përfshirë edhe zbatimin në nivel qeverie vendore, për të siguruar shërbime publike profesionale dhe të depolitizuara;
6. Nënvizon se anëtarësimi në BE duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës; thekson edhe një herë se dialogu politik dhe bashkëpunimi ndërmjet partive është e rëndësisë më të madhe për suksesin e këtij procesi reforme dhe për procesin e anëtarësimit të përgjithësi; nënvizon nevojën për të përfshirë shoqërinë civile në proceset e reformave dhe nevojën për më shumë transparencë dhe mbikëqyrje parlamentare;
7. Shprehet i kënaqur se Shqipëria mori hapa të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa ishte vënë në pah, ndër të tjera, në takimit e 8-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit; vlerëson miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (bilbilfryrësve); bën megjithatë thirrje për të rritur edhe më shumë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zbatojnë ligjet plotësisht; u bën thirrje institucioneve përkatëse të vazhdojnë zbatimin e ligjit për integritetin e personave që zgjidhen ose emërohen në funksione publike dhe të forcojnë procesin e shqyrtimit (vlerësimit) të individëve duke marrë në konsideratë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të finalizojnë në përputhje me ligjin hetimet e hapura;
8. Kujton se një reformë gjithëpërfshirëse e sistemit në drejtësi është një mjet i rëndësishëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin; vë në dukje se nivelet e perceptuara të korrupsionit në vend kanë mbetur të larta dhe se reformat e mara nuk kanë dhenë ende plotësisht rezultatet e dëshiruara; nënvizon, kështu, se mbetet akoma shumë për të bërë, në veçanti në mënyrë për të zhvilluar një regjistër efikas hetimesh, procedimesh dhe vendime dënimi të formës së prerë për korrupsion në nivele të larta drejtuesish dhe për krimin e organizuar;
9. Ka mbajtur shënim të trendit pozitiv të operacioneve që kanë të bëjnë me asgjësimin e fushave të kanabisit dhe pakësimin në përgjithësi të fushave të mbjella, si edhe të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkufitar, sidomos me autoritetet italiane, në parandalimin dhe shtypjen e veprimtarisë së kultivimit të kanabisit; nxit veprime të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe të guximshme me qëllim të zhdukë plotësisht krimin që ka të bëjë me drogën dhe çdo lloj krimi tjetër të organizuar;
10. Rithekson se sigurimi dhe zbatimi i plotë i kushteve për zgjedhje demokratike është shumë e rëndësishme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE; nxit komisionin e posaçëm për reformën elektorale dhe autoritetet shqiptare që të sigurojnë që reforma të zbatohet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke shqyrtuar çështjet më të rëndësishme në kohë përpara zgjedhje të ardhshme në 2017.
11. Nxit autoritet shqiptare që të kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm të standardeve që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore; nënvizon nevojën për të miratuar Ligjin për Minoritet duke garantuar mosdiskriminimin, të drejta të barabarta dhe mbrojte, integrim të plotë dhe pjesëmarrje të të gjitha minoriteteve në jetën publike të Shqipërisë;
12. Nxit të gjitha palët që të punojnë së bashku në mënyrë që të krijojnë një mjedis që promovon liri të mirëfilltë të medias dhe liri të të shprehurit, duke shmangur çdo lloj censure në media.Inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në rrugën e reformave të marra në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit, që ka kontribuuar gjithashtu në përmirësimin e renditjes së Shqipërisë në Treguesin “Doing Business 2016”.
13. Inkurajon Shqipërinë të vazhdojë rolin aktiv dhe konstruktiv në rajon; është i kënaqur me afrimin e mëtejshëm me Serbinë; kujton se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal janë elementë jetike të Stabilizim-Asociimit dhe procesit të zgjerimit. /BW/
 
Sigal