Instituti mikrofinanciar Fondi Besa dhe BERZH zgjerojnë bashkëpunimin

664
Akordohet pjesa e dytë e huasë 5 milionë euro, me qëllim kredidhënien për fermerët vendas dhe agrobizneset
BERZH dhe institucioni më i madh mikrofinanciar në Shqipëri, Fondi Besa forcojnë bashkëpunimin me akordimin e pjesës së dytë të huasë 5 milionë euro nën Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri. Fondet do të përdoren për kredidhënie ndaj agrobizneseve dhe fermerëve sipas kushteve të programit në Shqipëri. Huaja do të plotësohet nga mbulimi i humbjeve të para mundësuar nga qeveria shqiptare dhe asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve. Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare që siguron punësim e më shumë se 50 për qind të popullsisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, ku kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 3 për qind të kreditimit total për ekonominë. Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri e adreson këtë sfidë duke përmirësuar aksesin në financime për agrobizneset vendase përmes linjave të dedikuara të kredisë ose nëpërmjet instrumenteve të ndarjes së riskut të huadhënies për sektorin e agrobiznesit. Në mbështetje të programit, qeveria shqiptare do të mundësojë mbulimin e humbjeve të para. Prezantuar në vitin 2016, kjo platformë tashmë numëron 5 institucione financiare partnere të saj. Fondi Besa është një institucion financiar i orientuar tek mikrokredia. Me një rrjet prej 78 degësh dhe zyrash, ai është institucioni më i madh i mikrokredisë në Shqipëri. Fondi Besa ofron mikro-kredi për individë dhe biznese të vogla në të gjithë vendin dhe është mbështetur nga BERZH që prej vitit 2010. Matteo Colangeli, Drejtor i BERZH për Shqipërinë deklaroi: “Ne jemi të kënaqur nga bashkëpunimi ynë me Fondin Besa, një institucion lider i mikrofinancimit me një rrjet të gjerë në të gjithë Shqipërinë. Kjo na ndihmon të rrisim ndjeshëm prezencën e Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri në zona ku mbështetja financiare është më e domosdoshme. Unë besoj se në 2018, do të shohim një rritje të përshpejtuar të implementimit të kësaj iniciative dhe një përmirësim të rëndësishëm në aksesin në financime për agrobizneset shqiptare. Bajram Muçaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Besa shtoi: “Ne vlerësojmë vërtetë faktin që BERZH ka përfshirë një element të ndarjes së riskut në këtë marrëveshje. Është një mjet shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për implementimin e suksesshëm të produktit në këtë sektor.” Përveç instrumenteve financuese, ky program përfshin edhe asistencë teknike për t’i mbështetur institucionet financiare në zgjerimin e huadhënies së tyre në këtë sektor. Programi përfshin gjithashtu shërbime këshillimore nëpërmjet programit të BERZH të Këshillimit për Bizneset e Vogla, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë sektor të rrisin performancën e tyre në një larmi fushash dhe të bëhen më të kreditueshme. Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 1 miliardë euro në rreth 80 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Banka është aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë me një fokus të veçantë në infrastrukturë dhe në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. 
Sigal