Instituti i Mishit në Amerikë: Konsumimi i mishit dhe kancerit, nuk ka asnjë lidhje

541
Ekspertët e Institutit të Mishit në Amerikën e Veriut hedhin poshtë deklaratën e Agjencisë Ndërkombëtare të Hulumtimit mbi Kancerin (IARC), e cila lëshoi alarmin për rrezikun që shkakton mishi i kuq dhe i përpunuar. Sipas Institutit të Mishit në Amerikën e Veriut, IARC shpërfill studime të shumta që tregojnë se midis konsumit të mishit dhe kancerit nuk ka asnjë lidhje. Të dhënat shkencore tregojnë se kanceri është sëmundje tepër komplekse, që nuk shkarkohet kurrsesi nga ushqime të caktuara dhe se një dietë e balancuar dhe mënyrë jetese e shëndetshme, janë thelbësore për të patur shëndet të mirë.

“Ishte e qartë ndërsa shihje mbledhjen e IARC që shumë prej pjesëmarrësve po synonin një përfundim të caktuar, pavarësisht të dhënave të vjetra, të dobëta dhe joserioze. Ata kanë torturuar të dhënat për të siguruar një përfundim tendencioz.”- deklaroi Dr.Betsy Booren, zv/drejtoreshë për çështjet shkencore në Institutin e Mishit të Amerikës së Veriut. Sipas Dr.Booren, “panelit të IARC iu kërkua detyra e thjeshtë për të zbuluar rreziqe të mundshme që mishi mund të shkaktojë në sasi dhe në rrethana të caktuara, por nuk ju kërkua që të konsiderojë edhe përfitimet nga mishi që janë më të mëdha se rreziqet e përmendura, si për shembull vlerat ushqyese të mishit, apo komplikimet që organizmi ka nëse redukton më shumë se sa duhet apo e shmang mishin nga dieta e përhershme.”

“Ata që ushqehen sipas një diete mesdhetare hanë dyfishin e sasisë së rekomanduar të mishit të përpunuar. Por vende të tilla me dietë mesdhetare si Italia, Franca dhe Spanja kanë gjithashtu edhe ndër popullsitë më jetëgjatë në botë dhe me shëndet të shkëlqyer. Vendimi i IARC thjesht nuk mund të aplikohet tek shëndeti i njerëzve, sepse merr në konsideratë vetëm një pjesëz të së tërës, riskun teorik. Por risqet dhe përfitimet duhet analizuar së bashku përpara se t’u thuhet njerëzve çfarë të hanë, pinë, marrin frymë, apo ku të punojnë.”- tha Dr. Betsy Booren. Ka dhjetëra studime që tregojnë mungesë lidhjeje midis konsumit të mishit dhe kancerit dhe studime të tjera që tregojnë përfitimet shëndetësore të dietave që përfshijnë mishin.

Mishi është i mbushur me vlera ushqyese dhe jetësor për njerëzit, sidomos për fëmijët. Përmban vitaminë B12, B6 dhe D3, proteina, hekur dhe zink. Mishi përmban proteina të plota, që do të thotë se ka të gjithë aminoacidet që trupi ynë ka nevojë. Proteinat jo të mishit nuk janë të plota dhe duhet të hahen kombinuar me ushqime të tjera për të marrë të gjitha aminoacidet. Mishi përmban hekur “Heme”, i cili absorbohet nga trupi më mirë sesa hekuri “Jo-heme”, që ndodhet tek bimët. Kur mishi hahet me zarzavate ndihmon trupin të absorbojë më mirë edhe vlerat nga këto të fundit. Produktet e kafshëve, si mishi, janë të vetmet burime natyrore të vitaminës B12, e cila është thelbësore për zhvillimin e trurit tek fëmijët dhe funksionimin e tij gjatë gjithë jetës. Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandojnë konsumin e mishit për të luftuar sëmundje që lidhen me kequshqyerjen, sidomos në vendet në zhvillim.
Sigal