Institucionet shtetërore abuzime me 104 tendera qindra milionëshe

511
Sigal

 Prokuroria hetim investimeve publike të bëra nga komuna dhe bashki

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin e të gjitha tenderave, duke kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive nga abuzimi me qindra milion lekë. Organi akuzës ka marrë përsipër hartimin e dosjes penale bazuar mbi denoncimet dhe faktet e deklaruara nga firma dhe subjekte te tjera, të cilat po zbulojnë pazaret me supervizorët, si dhe komisionet e tenderimit. Bëhet fjalë për abuzime me kriteret e tenderimit dhe investimit në disa akse rrugore, pazaret me supervizorët e bashkive dhe komunave, për qindra miliona lekë apo euro, të cilat kanë përfunduar në llogaritë bankare të firmave dhe zyrtarëve të pushtetit vendor. Sipas një burimi nga Prokuroria mësohet se, “bëhet fjalë për një hetim të ngjashëm me skandalin e tokave, madje për abuzime, të cilat janë bërë me fondet e shtetit apo donatorëve si BB, BERZH, BEI, etj.”. Kështu, nën hetim do të jenë akse rrugore, investime në ujësjellës, trotuare, objekte të tilla si shkolla, çerdhe e kopshte, portin detar ku defektet e punimeve janë të dukshme. Kjo ka ardhur pas ankesave nga qytetarët, apo edhe zyrtarë bashkish dhe komunash, supervizorë dhe ekipet e kontrollit, duke përcjellë reagime edhe nga organi i akuzës. Janë gjithsej 104 tenderat e parë që po kalojnë nën sitën e hetuesve, duke nisur qysh nga viti 2012. Në listën e gjatë janë edhe emra drejtorësh, supervizorësh dhe zyrtarësh, të cilët kanë kryer detyra të ndryshme dhe kanë marrë pjesë në komisionet e tenderimit, duke ndarë 15 apo 20 përqindëshat me përfituesit e tyre. Kjo ka sjellë që investimet të jenë gjysmake, rrugëve t’u dalë tabani pa mbushur vitin, apo ujësjellësit të ri, t’u kalben tubacionet dhe t’u prishen kanalizimet pa kaluar uji brenda tyre, dhe terminali të rrjedhë ujë sa here bie shi. Kështu, mjaft serioze paraqitet situata në disa rrugë të shtruara para dhe gjatë fushatës së fundit elektorale, por edhe tek disa objekte të tjera ku janë investuar miliona lekë apo euro. Abuzimet me tenderat deri sot janë parë si diçka normale, dhe Prokuroria asnjëherë nuk ka qenë e interesuar pa patur në dosje provat reale me denoncime dhe akuza ndaj firmave dhe individëve, zyrtare dhe supervizorë. Skandaloze paraqitet situata me tenderat e akseve rrugore, shkollave dhe ujësjellësve, punimet e të cilave janë kryer nga firma fantazmë të ardhura me porosi ministrash dhe deputetësh, duke përlarë miliona lekë brenda 60 apo 90 ditësh, me punime të cilat nuk i kryen as një brigade fshati. Ndërkohë, për të mbuluar abuzimet dhe për ta patur më të lehtë marrjen e ryshfetit, ndërmarrjet, bashkitë dhe komunat kanë bashkëpunuar me firma nga qytete të vogla, të cilat në vendin e tyre nuk kanë ngulur një gozhdë, duke fituar tendera të majme. Prokuroria ka siguruar se, ‘”këto hetime shumë shpejt do të prangosin persona edhe me influence politike, të cilët do të përgjigjen për abuzimet me paratë e shtetit, faktet që disponojmë janë të  mjaftueshme falë bashkëpunimit edhe me drejtuesit aktualë të institucioneve të pushtetit vendor në Durrës dhe KLSH”.