Institucionet financiare: Jo TVSH-së për biznesin e vogël

715
Pas FMN-së, edhe Banka Botërore e BERZH shprehin shqetësim për masën e qeverisë. Rreziku nga kosto e lartë dhe pakësimi i të ardhurave. Kritika edhe për PPP-të
Institucionet financiare ndërkombëtare janë në një mendje lidhur me efektet negative që mund të sjellë vendosja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar te bizneset e vogla, me një xhiro vjetore 2 milionë lekë. Ashtu si FMN, edhe Banka Botërore e Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim vlerësojnë se administrata tatimore nuk do ta përballojë dot këtë ngarkesë, kur shtohen edhe 10 mijë subjekte në TVSH, ndërsa rrezikohet edhe produktiviteti.

BB: Të ardhura të pakta dhe barrë për tatimet
Ekspertët e Bankës Botërore janë shprehur skeptikë dje lidhur me uljen e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) te biznesi i vogël nga 5 në 2 milionë lekë. Gjatë prezantimit të Raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Hilda Shijaku, eksperte e Bankës, tha se barra administrative për ta mbledhur TVSH-në te biznesi i vogël është e lartë, ndërsa përfitimi që mund të vijë nga kjo nismë është i ulët. Ekspertët e Bankës theksuan se ata nuk kanë informacion për rritje të kostove te biznesi. “Rritja ekonomike është forcuar, papunësia ka rënë dhe pjesëmarrja në tregun e punës është rritur. Pra, ka pasur disa lajme pozitive, por Qeveria duhet të vazhdojë thellimin e reformave që ka në proces”, deklaroi Maryam Salim, drejtore e BB për Shqipërinë. Për shkak të rritjes së punësimit vitin e kaluar popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë u ul me 1.1 për qind, duke nxjerrë 30 mijë vetë nga varfëria. Por Banka parlajmëroi se rritja ekonomike do të ngadalësohet këtë vit. “Kjo si rezultat i maturimit të investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë, konkretisht TAP-i dhe Hidrocentrali i Devollit”, u shpreh Hilda Shijaku, krye/ekonomiste e BB për Shqipërinë. Ndaj Banka i kërkoi Qeverisë të përmirësojë klimën e biznesit dhe të ulë borxhin e lartë publik, i cili kërcënohet edhe nga koncesionet. “Në Shqipëri duhet të forcohet transparenca e koncesioneve. Të bëhet e qartë cila është strategjia e Qeverisë për investimet dhe cilat janë prioritetet. Gjithashtu duhet të forcohet mënyra se si përzgjidhen projektet që jepen me PPP dhe mënyra se si menaxhohen këto kontrata”, këshillon Banka Botërore. Veç rezervave për koncesionet, Banka Botërore u shpreh skeptike edhe për shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël, ndërkohë që mbështeti pagesën në rrugën Durrës-Kukës. “Ne mendojmë që efekti në buxhet i kësaj të ardhure do të jetë i vogël, ndërkohë që barra administrative për organet e taksave do të jetë e lartë”, deklaroi krye/ekonomistja e BB për Shqipërinë.
Sigal