Inspektorët e KLD-së zbarkojnë në Gjykatën e Durrësit

583
Sigal

 “Dosja Xhakja”, mbulon me skandal drejtësinë shqiptare

Inspektorët e KLD kanë zbarkuar këtë fillim jave në Durrës, duke sekuestruar dosjet e të “fortit të Shijakut”, Ilir Xhakës, i cili vrau pak ditë më parë Komisarin e Shijakut, Adem Tahirajn. Nga kjo gjykatë, Ilir Xhakja mori pafajësinë pikërisht një vit më parë, i akuzuar për së paku dy vrasje e pjesëmarrës në disa të tjera. Inspektorët e KLD për më shumë se tre orë, kanë qenë në arshivën e gjykatës, duke parë një për një të gjitha dosjet e pazbardhura të vrasjeve, por duke sekuestruar edhe dosjen e vrasjes së Qerim Malokut, vrasje për të cilën Xhakja u dënua me 21 vjet burg dhe pas kthesës që çështja mori në Gjykatën e Krimeve të Rënda Xhakja, u la i lirë si i pafajshëm nga gjykatësi, Neritan Tabaku. Kjo çështje e rëndë ka mbuluar me skandal drejtësinë shqiptare dhe veçanërisht Gjykatën e Durrësit dhe atë të Lartë, ku u lirua i akuzuari për vrasje, 39-vjeçari Ilir Xhakja.

Inspektimi  

Inspektimi do të përfshijë të gjitha çështjet gjyqësore të gjykuara nga kjo gjykatë me të pandehur, Ilir Xhakjen dhe veçanërisht procesin e fundit, ku ai fitoi pafajësi nga një trupë gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Neritan Tabaku. Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e KLD-së është mungesa e vendimit të arsyetuar për lirimin e të akuzuarit për vrasje. Edhe pse ky vendim është marrë në datën 9 shkurt të vitit të shkuar, ende gjyqtari nuk e ka arsyetuar atë, duke vënë në pikëpyetje arsyet e lirimit të Xhakjes, i cili më parë ishte dënuar me 21 vjet burg për të njëjtën akuzë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Verifikimi

Sipas burimeve bëhet me dije se inspektorët do të kalojnë në verifikim gjithçka lidhet me këtë proces, duke filluar nga procesverbalet e seancave gjyqësore, datat e zhvillimit të tyre, përmbajtjen e dosjes dhe gjithçka është shqyrtuar në gjykatë. “Procesi i verifikimit tashmë ka nisur me urdhër të zv/kryetarit të KLD-së. Inspektorët do të verifikojnë gjithë praktikën gjyqësore të ndjekur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe brenda pak kohësh do të ketë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Gjyqtarët

Pas mbledhjes së materialeve dhe informacioneve të nevojshme nga të gjitha gjykatat, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të mbajë një qëndrim zyrtar lidhur me gjyqtarët e çështjes “Xhakja”. Skandali u zbulua pas vrasjes së Kryekomisarit Adem Tahiraj dhe arrestimit të të dyshuarit për krimin, i cili kishte fituar lirinë 4 vjet pas arrestimit të tij nën akuzën e vrasjes.

Pafajësia

Skandali nuk qëndron në faktin se ndaj tij është firmosur një vendim pafajësie, pasi dosja do të shqyrtohej sërish nga Gjykata e Apelit dhe mund të kishte sërish një vendim fajësie ndaj Xhakjas, por më shumë në faktin se gjykatësi që firmosi vendimin nuk e ka zbardhur ende atë, edhe pse kanë kaluar 18 muaj. Ligjërisht çdo vendim duhet zbardhur brenda 15 ditësh.