Ing. Jani Capo: Ju tregoj disa nga “marifetet”, që përdor CEZ Shpërndarje për të grabitur qytetarët shqiptarë

2804
Sigal

Energjia elektrike, mall që shitet pa kandar

 Qysh në kohërat e lashta, kur njerëzit filluan të tregtojnë mallra, krijuan edhe mjetet për matjen e tyre. Kështu, për shembull, për shitjen e mallrave me peshë krijuan kandarin (peshoren); ndërsa për mallrat që shiten me gjatësi krijuan metrin.

Qëllimi i këtyre mjeteve ishte që, midis blerësit dhe shitësit, të ishte një ndërmjetës i paanshëm në mënyrë që, në prani të të dyve, të bëhej matja e mallit që do të blihej.

Edhe energjia elektrike është një mall që shitet dhe blihet. Prandaj, me shpikjen e saj, u shpik edhe mjeti për ta matur, siç është kontatori ose matësi i energjisë elektrike ose, siç thirret në gjuhën e përditshme, sahati elektrik. Nëpërmjet tij matet sasia e energjisë elektrike që konsumohet nga blerësi (konsumatori).

Kështu bëhej dikur edhe në vendin tonë, ku sahati elektrik ishte montuar brenda në banesën e qytetarit dhe leximi i konsumit bëhej në prani të qytetarit dhe faturistes, e si rrjedhojë nuk kishte asnjëherë ankesa nga qytetarët. Askush nuk guxonte ta prekte sahatin dhe aq më tepër të bënte ndonjë lidhje të parregullt për të vjedhur energjinë elektrike. Shqiptarët e mbajnë mend mirë, se si njëherë pati një vjedhje nga një qytetar dhe se si u dënua ai për t’u bërë shembull për të gjithë.

Por, erdhi një kohë që qytetarët, duke përfituar nga dobësia e shtetit, u bën “trima” dhe i dëmtuan matësit; filluan ta vjedhin energjinë elektrike duke bërë lidhje të paligjshme; të mos e paguajnë atë e lloj-lloj marifetesh të tjera.

Në këto kushte, shteti, duke qenë i pafuqishëm, mori disa masa si: pagesa fikse afrofe, shkallëzimi i konsumit dhe pagesa me dy çmime, instalimi i matësve hermetik, që lexohen pa praninë e qytetarit, etj.. Koha tregoi se këto masa, të cilat vazhdojnë edhe sot, jo vetëm që nuk e përmirësuan gjendjen, por dhanë shkas për abuzime nga të dy palët (shteti dhe konsumatori) dhe në raste të tilla fiton ai që është më i “zoti” apo “më i forti”. Dhe ja pasojat e këtyre masave:

Pagesa fikse aforfe

Në pamundësi për t’i zëvendësuar sahatët e dëmtuar, Elektriku (ku me “Elektriku” do të kuptojmë në vazhdim Shtetin të përfaqësuar nga KESH-i, OSSH-ja apo CEZ-i) në atë kohë caktoi një shumë aforfe që do ta paguante çdo muaj qytetari, pavarësisht nga konsumi. Pra filloi shitja “pa kandar”. Kjo u trajtua fillimisht si një zgjidhje provizore, por kanë kaluar mbi 20 vjet dhe vazhdon edhe sot. (Jo më kot thuhet se “s’ka më definitive se provizorja”).

Kjo shitje “pa kandar” pati për pasojë atë që konsumatorët me pagesa fikse aforfe filluan të konsumojnë energji “pa karar”. Një ditë më thoshte një miku im se në një fshat kishte arritur të shihte se si ngrohej me radiatorë elektrikë stalla e lopëve!

 Matës hermetikë

Për të evituar prekjen e matësve elektrikë nga konsumatori, Elektriku, instaloi matës të rinj, të mbyllur në bokse hermetike, pra shitësi e “fshehu kandarin”. Kjo u dha mundësi faturistëve të Elektrikut që të shënojnë konsum sa të donin në faturat e qytetarit. Një ditë – më thoshte një i njohuri im – e kapa faturisten në flagrancë, duke më shënuar një konsum të paqenë. Kur i thashë se do të akuzoj për vjedhje, ajo, me sa duket u tremb, dhe më tha: “Unë për zonën që mbuloj kam një plan konsumi dhe në qoftë se nuk e realizoj atë plan, nuk më japin rrogën”. Mirë – i thashë – po sikur të ankohem unë për këtë që bën? “S’ka asnjë problem – tha ajo. – Mua më transferojnë në një zonë tjetër dhe ty të thonë se morëm masa dhe e pushuam nga puna!”.

 Dy shkallë konsumi, dy tarifa të ndryshme

Për ata që kishin matës, Elektriku caktoi, po aforfe, dy shkallë konsumi: për 300 kilovatorët e parë me një çmim 7.7 lekë për 1 kilovat/orë dhe mbi 300 kilovat/orë me një çmim prej 13.5 lekë për 1 kilovat/orë. Edhe kjo ishte një zgjidhje “alla shqiptarçe”.

Një miku im pensionist më tregonte një ditë, se për muajin Janar 2014 i kishte ardhur fatura me konsum 0 (zero) kilovat/orë, ndërkohë që ai ishte pensionist i vetëm në shtëpi dhe konsumonte rregullisht, maksimumi në dimër, deri në 200 kilovat/orë në muaj. Kështu ai për muajin Janar 2014 pagoi vetëm 340 lekë (200 lekë tarifa fikse për mirëmbajte të rrjetit elektrik, 40 lekë TVSH-ja dhe 100 lekë taksa për televizorin).

I nderuari lexues, mos u mërzit, se do të bëjmë disa llogaritje për të kuptuar më mirë abuzimin që bën Elektriku në këtë rast.

Për muajin Shkurt 2014, qytetarit që u përmend më sipër, i kishte ardhur fatura me një konsum prej 484 kilovat/orë dhe pagoi: 6140,8 lekë.

Llogaritja:

300 kilovat/orë x 7.7 = 2310 lekë për konsum deri 300 kilovat/orë;

184 kilovat/orë x 13.5 = 2484 leke për konsumin mbi 300 kilovatorë;

30 kilovatorë x 8 lekë = 240 lekë për ambientet e përbashkëta;

Që të gjitha këto bëjnë 5034 lekë + 20% TVSH-ja = 6040.8 lekë + 100 lekë taksa për Televizorin = 6140,8 lekë, pra gjithsej ai kishte paguar 6140.8 lekë.

Në fakt, konsumi prej 484 kilovat/orë i përkiste dy muajve dhe po të ndahej për dy muaj (siç edhe duhej bërë), do të kishte një konsum për Janarin 242 kilovat/orë dhe për Shkurtin 242 kilovat/orë (për thjeshtësi i morëm të barabartë).

Siç shihet, si në Janar ashtu dhe Shkurt, konsumi nuk i kalonte 300 kilovat/orë.

Atëherë qytetari do të paguante për 242 kilovatorët e muajit Janar 2480,08 lekë Llogaritja:

242 x 7.7 = 1863.4 lekë + 15 kilovatorë x 8 lekë = 120 lekë për ambiente e përbashkëtë = 1983.4 lekë + 20 % TVSH-ja = 2380,08 lekë + 100 leke taksa e televizorit = 2480.08 lekë.

E njëjta shumë do të ishte edhe për muajin Shkurt. Pra, për të dy muajt ai do të paguante 2480,08 + 2480,8 = 4960.16 lekë.

Siç e pamë më lartë, ai pagoi në fakt 6140.8 lekë. Atëherë abuzimi (e thënë troç vjedhja) e bërë nga Elektriku është: 6140,8 – 4960.16 = 1180,64. lekë.

Pra, Elektriku i vodhi qytetarit 1180.54 lekë dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë.

I thashë mikut tim, pse nuk u ankove? U ankova – tha, – por askush nuk më dëgjoi. Vetvetiu lind pyetja: Kur vjedh Elektriku (Shteti), çfarë duhet të bëjë qytetari!?

Këtu po shtojmë edhe një marifet tjetër që bën Elektriku:

Në fakt, dy shkallëzimet e konsumit janë rigorozisht brenda një muaji. Mirëpo, ka raste kur leximet nuk bëhen ekzaktësisht që të përfshijë një muaj, por e tejkalon muajin dhe kjo bie në kurriz të qytetarit.

 Po si e ka zgjidhur bota këtë problem?

Shumë thjesht: Me një matës që brenda ka dy matësa që regjistrojnë konsumin e energjisë elektrike në orare të ndryshme. Në sistemin e energjisë njihet e ashtuquajtura “periudha e pikut të ngarkesës”, gjatë së cilës rrjeti energjetik ngarkohet në maksimum, duke shkaktuar mbingarkesë. Gjatë kësaj periudhe çmimi i energjisë elektrike caktohet më i lartë. Pikërisht, në këtë periudhë kohe vihet në punë matësi i parë dhe në këtë rast ndizet edhe një dritë e kuqe që do t’i kujtojë qytetarit se po regjistrohet energjia me çmim të lartë dhe ai nuk është budalla që në këtë kohë të vejë në punë për shembull lavatriçen. Kjo bën që rrjeti të mos mbingarkohet. Jashtë periudhës së pikut të ngarkesës, çmimi është më i ulët dhe konsumi regjistrohet nga matësi tjetër. Pra, bota e ka zgjidhur me kohë drejt këtë problem dhe jo me shkallëzime aforfe si tek ne. Nuk po shkojmë më larg, shkoni në Kosovë dhe do të shikoni se e gjithë popullata është e pajisur me matës të tillë.

Dy herë janë ndërruar matësat e qytetarëve gjatë këtyre 20 vjetëve dhe nuk janë porositur matës të tillë dhe kjo, jo ngaqë Elektriku nuk e di këtë, por nuk i ka leverdisë, se nuk mund të abuzojë dot, si në rastin që folëm më sipër.

 Ambientet e përbashkëta

Elektriku abuzon edhe në konsumin e energjisë elektrike për ambientet e përbashkëta, ku në shumicën e rasteve, për çdo familjar, caktohet një konsum aforfe (konsum “pa kandar”); po ashtu, edhe atje, ku ka matës për këto ambiente, nuk shënohet në faturë konsumi real i tyre (nuk shënohen në faturën e qytetarit leximet e matësit) dhe për pasojë, nuk mund të verifikohet kurrë konsumi që shënohet në faturën e qytetarit. Edhe kjo është një zgjidhje për t’u pasur zili.

Përveç kësaj, në fatura nuk shënohet as emri i faturistit apo faturistes, gjë që është e domosdoshme të bëhet, në mënyrë që të ndihet përgjegjësia personale dhe mos t’u thuhet qytetarëve që ankohen se “kështu e ka shënuar kompjuteri” ose “kjo tashmë është futur në kompjuter” dhe nuk mund të korrigjohet.

 Administrimi i energjisë elektrike me tri ndërmarrje

Sot sistemi i furnizimit me energji elektrike në vendin tonë është ndarë në tri hallka (ndërmarrje, njësi): Hallka e parë është KESH-i që administron burimet e energjisë (hidrocentralet, TEC-et, etj), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) që administron linjat e transmetimit të tensionit të lartë dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH=CEZ) që administron shpërndarjen e energjisë tek konsumatori (kjo e fundit dikur u privatizua, por pa sukses dhe nuk solli ndonjë gjë të re në administrim).

Kjo mënyrë organizmi rrit koston e energjisë elektrike, sepse, siç dihet, një mall, në sa më shumë duar që kalon aq më shumë rritet çmimi i tij. Në rastin konkret KESH-i duke ia shitur energjinë OST-së nxjerr fitimin e vet; OST-ja duke ia shitur energjinë OSSH-së nxjerr fitimin e vet dhe OSSH duke ia shitur energjinë qytetarit nxjerr fitimin e vet. Pra, i njëjti mall kalon nëpër tri duar, ku secili kërkon fitimin e vet, kështu që çmimi rritet 3 herë, në krahasim me rastin sikur i gjithë sistemi të ishte në një dorë të vetme. Dhe të gjitha këto i paguan konsumatori popull.

Nuk mendoj se ne kemi një sistem energjetik aq gjigand, të shpërndarë në një territor gjigand sa të imponojë administrimin me tri ndërmarrje! Në të kaluarën administrohej nga një ndërmarrje e vetme dhe nuk ka pasur ndonjë problem.

Rritja e çmimit të energjisë

Duhet thënë se çmimi i energjisë elektrike është rritur disa herë gjatë këtyre viteve dhe kjo është justifikuar edhe me humbjet në rrjet në masën deri 37%, të quajtura padrejtësisht humbje “teknike”. Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse në këto humbje përfshihen edhe vjedhjet e energjisë si dhe mospagesat nga ana e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, në të cilat, pothuajse, çdo zyrë ka nga një kondicioner.

Kuptohet se rritja e çmimit të energjisë do të shtojë numrin e atyre që nuk do të paguajnë, e kjo do të bjerë në kurriz të konsumatorit të ndershëm. Dënim me burg i vjedhësve të energjisë elektrike do të jetë një masë e mirë, se do të kufizojë vjedhjet, por nuk do të zbatohet, edhe për faktin se nuk do të ketë vend në burgje.

Tani lind pyetja: Po abuzimet (vjedhjet) e Elektrikut kush do t’i kufizojë? Mirë se qytetarët do t’i bëjmë ZAP, po Elektrikun kush do ta bëj ZAP?!

Kontratat që nënshkruhen midis Elektrikut dhe qytetarit janë qesharake, sepse aty përcaktohen vetëm detyrimet e qytetarit dhe Elektriku nuk mban përgjegjësi, as kur ta ndërpret energjinë elektrike, as kur, si pasojë e luhatjeve të tensionit, t’i dëmton pajiset elektro-shtëpiake, as kur tensioni i rrjetit është më i ulët se 220 V, etj..

Si përfundim – Administrimi i energjisë elektrike kërkon seriozitet dhe profesionalizëm për një zgjidhje që t’i shërbejë perspektivës dhe jo të arnohet administrimi i sotëm, siç dhe pritet.

 

Info nga energjia

 Turqit kërkojnë të “rrëmbejnë” edhe HEC-in e Skavicës

 Turqit, pas privatizimit të shumë hidrocentraleve për dy para, kërkojnë të marrin në zotërim dhe HEC-in e Skavicës. KESH njofton se administratori i tij, z. Agron Hetoja zhvilloi një takim në ambientet e KESH sha, me përfaqësues të kompanive turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”’, z. Nuretin Osmen dhe z. Serhat Taskinsu. Përfaqësuesit e dy kompanive turke kanë shprehur interesimin e tyre, lidhur me ndërtimin e HEC Skavica, dhe për të shprehur dhe gadishmërinë e tyre për këtë investim, kanë kërkuar të njihen me elementët teknikë, ligjorë dhe financiarë për realizimin e saj. I gatshëm është treguar gjithashtu edhe administratori i KESH sha, z. Agron Hetoja, i cili do e pasojë këtë takim edhe me vizita në HEC-et e kaskadës së lumit Drin.

Edhe pse opozita e djeshme, sot në qeveri, premtoi se me ardhjen në pushtet do të anulojë të gjitha koncesionet, asnjë veprim nuk është bërë në përmbushje të premtimit, përkundrazi, duket se është “ëmbëlsuar” aq shumë nga koncensionarët, sa po vijon në të njëtën linjë me qeverinë e mëparshme. Hidrocentrali i Skavicës do të jetë strategjik, për shkak të pozicionimit si në krye të të gjithë kaskadës së Drinit dhe rregullatori për regjimin e ujërave në të gjithë kaskadën, gjëra që duhen patur mirë parasysh nga pala shqiptare. Para se të fillojnë pazaret me turqit, duhet menduar edhe për vijimësinë e punës së hidrocentraleve të tjera në kaskadën e Drinit, e cila prodhon pjesën më të madhe të energjisë në vend.

Në dhjetor rritet çmimi i energjisë elektrike

Operatorët e mëdhenj energjetikë kanë dorëzuar kërkesat e tyre së bashku me analizën vjetore të punës për rishikimin e çmimit të energjisë elektrike. Vendimi që do të merret në muajin Dhjetor, nga bordi i Komisionerëve të ERE-s pritet të ndryshojë, edhe tarifat e çmimit të cilat kanë qenë të palëvizshme që prej 4 vitesh. Ndërsa sqarohet se, nga analiza e deritanishme e kërkesave të paraqitura dhe sidomos nevojat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për rishikim të çmimeve, tarifat për konsumatorët familjarë do të ndryshojnë në një vlerë fare të vogël, thuajse të papërfillshme. Aktualisht, konsumatorët familjarë paguajnë një çmim energjie prej 7.7 lekë për çdo kilovator që konsumojnë deri në 300 të tillë në muaj. Kalimi i kësaj kuote mujore nënkupton se, për çdo kilovator shtesë konsumatori paguan 13.5 lekë.

  Gjobitet Bankers, abuzoi me tokat

Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qarkun e Fierit ndëshkon me gjobën 3.2 mln lekë të reja, kompaninë e hidrokarbureve Bankers Petroleum për shitjen dhe dhënien me qira të tokës me disa fermerë të komunave Zharrëz dhe Kuman. Nga ana e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokave ky veprim është konsideruar i jashtëligjshëm, pasi fermerët nuk kanë vënë në dijeni institucionet vendore për lidhjen e këtyre marrëveshjeve. Për këto shkelje ligjore drejtoresha Valentina Duka thotë se janë marrë masa nga INUK Fier për fermerët që kanë ndërtuar pa leje në këto sipërfaqe bujqësore. Drejtoria e Mbrojtjes së Tokave ka konstatuar 16 raste, ku për 14 prej tyre janë vendosur gjoba.

  ARMO drejt falimentimit

Teza “privati e menaxhon pronën më mirë se shteti” duket se nuk ka lidhje me realitetin shqiptar. Pasi dështoi privatizimi i shpërndarjes së energjisë elektrike, që është një ndër ndërmarrjet më të mëdha në Shqipëri sa i përket xhiros së deklaruar në Tatimet, ku privatët çekë u akuzuan – me apo pa të drejtë – se e shkatërruan, tashmë edhe një ndër ndërmarrjet unike të përpunimit të naftës po shkon drejt falimentit. Kompania AMRA, e njohur nën emrin tregtar ARMO, me dy rafineritë e përpunimit të thellë të “arit të zi” në Shqipëri, atë të Ballshit dhe atë të Fierit, tashmë lëngon nën peshën e masave të ekzekutimit të kredive të prapambetura, e goditur njëherësh nga disa shoqëri përmbarimore private.