Ing. Fadil Kërtusha – Njeriu i kontributeve të mëdha

181

Shpendi Topollaj

E kam ndjekur nga larg interesimin e shokut tim Qazim Kërtusha për të shkruar, mbledhur e botuar kujtimet për babanë e tij të dashur. Ndaj dhe tani që e lexova këtë libër, më erdhi ndërmend, se kur vite më parë i kushtova tim ati një roman, peshën e drojës së natyrshme, kur si personazh ke njeriun tënd më të shtrenjtë, sikur ma lehtësoi ajo shprehja e mjeshtrit grek të dialogëve Lukianit te “Lavdërimi i Atdheut” se “…Në qoftë se një djalë ka nderimin e duhur për babanë (kështu urdhëron ligji dhe natyra), do të nderojë siç duhet edhe atdheun. Sepse edhe babai është një copë e atdheut, po kështu edhe babai i babait, gjyshërit dhe stërgjyshërit…” Dhe në rastin tonë, ky mendim i vyer do shpënë më tej, pasi duke trajtuar jetën shembullore të një njeriu, intelektuali, shkencëtari, drejtuesi, familjari, shoku e miku si Fadil Kërtusha, ke respektuar veprën dhe vlerat e të gjithë atyre inxhinierëve, teknikëve dhe punëtorëve që vunë gjithçka kishin në shërbim të vendit të tyre, me besimin se ajo që dilte nga mendja dhe duart e tyre, në kushtet ekonomike dhe politike që kalonim, ishte e domosdoshme për kapërcimin e pengesave dhe vështirësive dhe se do ta shpejtonte përmirësimin e jetës së popullit.

Dhe në tërë këtë varg profesionistësh, të ndershëm dhe të përkushtuar, Fadili, ashtu sikurse e thotë dhe emri i tij, ishte i zgjedhuri dhe në fund të librit kupton se qe dhe i përkryeri. libri, “Ing. Fadil Kërtusha – Kujtime”, është i shkruar me aq ngrohtësi, ndjenjë dhe sinqeritet për një njeri dhe kuadër të paharruar, nga ata që punuan dhe e njohën nga afër, dhe i kompozuar bukur nga Enton Bido, sikur na përmend në çoroditjen e përgjithshme, se pavarësisht nga gjithçka e gabuar që ngjau te ne, si rezultat i diktaturës së pashoqe, përsëri kishte shumë e shumë burra e gra që ditën të ruajnë njerzillëkun, vlerat morale, thjeshtësinë dhe humanizmin në marrëdhëniet me të tjerët dhe bënë përpjekje të pareshtura për rezultate sa më të larta në detyrat e ngarkuara. Pa shkuar larg, plot të tillë kemi njohur në qytetin e rrethin tonë që për të mos marrë kohë dhe për të mos iu shmangur ndonjërit, lejomëni të sjell në vëmendje Iljaz Rekën. Vështirë të gjesh ndonjë që të hedhë sado pak hije dyshimi për taktin dhe korrektesën e tij. I tillë ishte gjatë gjithë jetës edhe Fadili, i cili veç atyre cilësive dhe kontributeve që aq qartë e saktë janë përshkruar në libër, nuk tregonte asnjë rezervë ndaj të gjithë atyre që “vigjilenca” e kohës mundohej t`i përlyente dhe t`i detyronte të ulnin kokat. Sjell sa për ilustrim pohimet e Bashkim Koplikut, Arqile Goresë, Genc Durrësit, Tasim Beshos, atij bashkëfshatarit që luftohej sapo kishte dalë nga burgu, etj., të cilët e ndien nga afër respektin, përkrahjen dhe nxitjen dashamirëse të Fadil Kërtushës. Ka dhe një moment tjetër që nuk mund ta lë pa përmendur: në libër do të gjeni një fotografi mjaft domethënëse; atë të tre Fadilëve, ku të çudit ruajtja e portretit të të pushkatuarit si “armik”, të disidentit Fadil Kokomani dhe një tjetër, ku ai pozon krahas inxhinierit të shkëlqyer, djalit të “poliagjentit” Mehmet Shehu. Sot, duket si një gjë pa shumë rëndësi, por të të gjendeshin foto të tilla aso kohe, do ndiqje fatin e tyre dhe do përfundoje të paktën internimeve.

Këtë mund ta bënte vetëm një njeri si F. Kërtusha, që edhe pse ishte me detyra të rëndësishme, deri deputet në dy legjislatura, nuk e ndryshoi karakterin e fortë dhe që i kuptonte fare mirë budallallëqet e atij sistemi. Në gjithë detyrat që kreu, duket se Fadili udhëhiqej nga parimi i Arthur Clarke se “Në qoftë se një shkencëtar i madh dhe i shquar deklaron se diçka është e mundur, ka mundësi të ketë absolutisht të drejtë. Kur thotë se diçka është e pamundur, ka mundësi të jetë gabim.” Dhe ai asnjëherë nuk tha se kjo është e pamundur. Ku nuk u vërtetua mençuria dhe aftësia e këtij njeriu që shkëlqeu jo vetëm si inxhinier vizionar, si udhëheqës i mendimit shkencor në rreth e më gjerë, por edhe si pedagog mbresëlënës. Duke lexuar gjithçka është thënë për familjen ku Fadili u rrit, për gruan besnike që mori, vajzën e emërmadhit Cen Bulku, shkollimin e tij, kompletimin me kulturë përmes leximeve të shumta, specializimeve dhe marrjes së përvojës në disa vende të huaja, eksperimentimeve plot guxim, kurajën e tij civile për të mbrojtur të dobtin, modestinë në ato shënimet e veta ku gjithmonë sukseset ua atribuon shokëve dhe kolegëve, rritjen dhe edukimin e katër fëmijëve të mrekullueshëm etj. etj. do thosha se ky libër të lë shijen e një romani artistik. Personalisht nuk hyj tek ata njerëz që e patën njohur Fadilin. Por, kur e mbylla këtë libër, i cili rezultoi ashtu sikurse ma ka përshkruar në vazhdimësi Fadilin, miku im Lutfi Shehu dhe kur mësova se ai, laureati i çmimit të Republikës, në kohën e shndërrimit të madh, me të njëjtin dinjitet, si njeri i punës, i shpërfillur nga pushtetarët, doli dhe shiste artikuj shkollorë te dera e shtëpisë, m`u shtua konsiderata dhe kuptova se kisha humbur ndër vite rastin për të pasur një mik aq të vyer. Në shkrimin e tij, Ali Gjyli thotë se i ka mbetur një merak; që Fadilit nuk ju dha titulli “Qyetar Nderi” i Ishmit të tij. Unë do propozoja që Këshilli Bashkiak i Durrësit, për të ndrequr një gabim në vlerësimin e një njeriu të tillë, pa humbur kohë, duhet t`ja akordojë njëzëri këtë titull ing. Fadil Kërtushës, se ai nuk i përket vetëm Ishmit dhe i cili, edhe kur u aksidentua për vdekje, shpërndau në asfaltin e bulevardit tonë, lapsa dhe fletore për fëmijët. Vetëm kështu do të gjejë zbatim ajo thënia e dramaturgut nobelist Harold Pinter më 2005 – ën se “E vërteta është e kapshme, kërkimi i së vërtetës është detyrim.