Ing.Artur Sulçe :Mungesa e sigurisë rrugore shkaku kryesor i aksidenteve

633
Sigal

Intervistë/ Eksperti i sigurisë rrugore, ing.Artur  Sulçe, flet për aksidentet ku përfshihen këmbësorët

Aksidentet rrugore, të cilat shpesh mbarojnë me humbje jete janë kthyer në një traumë për shoqërinë shqiptare. Shpesh ndodh që këmbësorët të jenë pre e këtyre aksidenteve rrugore dhe për këtë shkaku kryesor është mungesa e studimeve të mjediseve ku dhe ndërtohen rrugët. Këtë e konfirmon për “Telegraf” eksperti i fushës së sigurisë rrugore, ing.Artur Sulçe. “Njerëzit duan të lëvizin çdo ditë, dhe një mjedis i sigurt, i rehatshëm e miqësor duhet të sigurohet për ta”, shprehet Sulçe.  Ndërsa përpos mungesës së sigurisë së rrugëve, eksperti Sulçe radhit shpejtësinë dhe alkoolin.

Z.Sulce, shpesh pjesë e aksidenteve rrugore bëhen dhe këmbësorët. Cilat janë arsyet ?

Krijimi i rrugëve për komunitetin fillon që me studimin e llojit të mjedisit që do të ndërtohet: të kesh destinacionet afër njëri-tjetrit, të kesh stola në shkolla, parqe, dhe vende publike më të përdorshme, te kesh densitetin e mjaftueshëm për të përballuar kalimin, të krijosh hapësirë komerciale në të cilën njerëzit mund të ecin me këmbë dhe për ata që përdorin karroce me rrota. Shumica e rrugëve për shëtitje janë më të vogla se 0.8 km. Kur njerëzit janë nëpër dyqane apo zyra,do të ketë më pak këmbësorë që ecin nëpër rrugë. Marrëdhënia ndërmjet planifikimit të përdorimit të rrugës dhe planifikimit te transportit është kritike, por shpesh kjo gjë injorohet. Komunitetet të cilët mbështesin transportin e balancuar e bëjnë ecjen dhe tranzitin publik më tërheqës. Në vendin tonë janë bërë përafrimet e legjislacionit me ato të BE-së  dhe si shtet  kemi firmosur dhe ratifikuar të gjitha konventat në lidhje me sigurinë rrugore, por ato nuk zbatohen aspak në vendin tonë. Në vendin tonë pjesa më e madhe e rrugëve janë të pambaruara, çfarë do të thotë se potenciali i rrezikut është maksimal.

Pse kaq e pasigurt ecja në vendin tonë?

Njerëzit duan të lëvizin çdo ditë, dhe një mjedis i sigurt, i rehatshëm e miqësor duhet të sigurohet për ta. Ekzistojnë shume arsye pse njerëzit duhet të lëvizin, për te dërguar porosi, për të shëtitur fëmijët e tyre në park, për të vizituar komshinjtë e tyre, ose thjesht arsyeja për të qenë këmbësor. Fëmijët duhet të jenë në gjendje që të shkojnë në shkollë apo të takojnë shokët e tyre të klasës. Të gjitha këto aktivitete përbëjnë një numër të konsiderueshëm të ecjes. Rreth 4/5 e ecjes nuk janë për arsye pune. Në qoftë se njerëzit nuk janë duke ecur, kjo do të thotë se diçka i pengon ata për ta realizuar këtë gjë. Për më tepër infrastruktura është e pamjaftueshme ose ka boshllëqe të mëdha. A kemi ne mjaftueshëm rrugë për të ecur? Apo ekziston ndonjë barrierë, lum apo mur të cilët mund të pengojnë ecjen e nevojshme të komunitetit. A janë të sigurta urat për t’u përdorur si rrugë ku mund të ecin këmbësorët?A ka informacione vizuale të cilat pengojnë njerëzit që të kalojnë me kujdes në një rrugë të caktuar?A ekziston ndonjë rrugë e cila ndan zonat rezidenciale nga krahinat komerciale? Ritmet e ecjes në lagje të ndryshme të të njëjtit qytet janë të lidhura direkt me cilësinë e sistemit. Pra me fjalë të tjera në mjedise me cilësi të larte do të lëvizin më shumë këmbësore. Aty ku sistemi dështon, mungesa e trotuareve, e tabelave parandaluese, në rrugë pak të sigurta, sigurisht që do të kemi më pak njerëz që do të ecin mbi to. Gjithashtu njerëzit duan që të ecin në një mjedis ku ata te ndihen të sigurt, jo vetëm nga mjetet rrugore, por edhe nga krimet apo shqetësimet e tjera të cilat cenojnë sigurinë fizike të çdo individi. Hapësirat rrugore duhet të projektohen mirë, në mënyrë që të lejojnë ecjen gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Në qoftë se mjedisi i këmbësorit nuk është i arritshëm, atëherë ai shpesh është i pasigurt. Për shembull, pamjaftueshmëria e trotuareve, i detyron përdoruesit e karrigeve me rrota që të përdorin rrugën automobilistike në vend që të përdorin trotuarët. Prandaj është e rëndësishme që të sigurojmë lehtësira të mjaftueshme në zonat pranë rrugëve si për shembull, azile dhe shkolla. Por është e rëndësishme që të mbahet mend se edhe fëmijët apo personat e moshuar janë pjesë e komunitetit, kështu që këto lehtësira janë të nevojshme në çdo hapësirë ku njerëzit janë të prirur për të ecur.

Po të bënim një hartë të lokalizimit të aksidenteve, ku ndodhin më shumë aksidente dhe cilat grup-mosha janë më të rrezikuarat?

Në kushtet e lokalizimit të aksidentit, 65 për qind e tyre përfshijnë këmbësorë që ndodhen jo në udhëkryqe. Kjo është veçanërisht e vërtetë për këmbësorët nën moshën 9 vjeç, kryesisht për shkak të daljes së tyre në rrugë gjatë errësirës. Për moshat 45-65 vjeç, aksidentet janë përafërsisht të barabarta si për kryqëzimet ashtu dhe për rrugët e drejta. Këmbësorët në moshën 65 vjeçare e sipër, janë më shumë të ngjarë të jenë të plagosur apo të vrarë në kryqëzime (59 %) në krahasim me jo-kryqëzimet (41%), pasi këmbësorët e vjetër kanë tendencë për të kaluar në kryqëzimet, më shpesh se sa këmbësorët e rinj. Për më tepër disa këmbësorë të vjetër kanë mangësi fizike dhe aftësitë vizuale, që i bëjnë kalimet e rrugëve më të vështirë për ta. Goditjet fatale për këmbësorët ndodhin më shpesh gjatë periudhave të errësirës. Shumica e të gjitha aksidenteve me  këmbësorë, ndodhin në zonat urbane rastet kur aktiviteti i këmbësorëve dhe volumet e trafikut janë më të mëdha. Këmbësorët nganjëherë zgjedhin rrugën më të shkurtër, e cila shpesh i vendos ata në rrezik. Këmbësorët e moshuar  kanë më shumë të ngjarë të goditen gjatë orëve të ditës, kur ata kanë më shumë gjasa që të ekspozohen ndaj trafikut. Periudha shtator- janar ka numrin më të lartë të vdekjeve për këmbësorë në mbarë vendin, me orë të ditës zakonisht më të shkurtra dhe që karakterizohet nga një mot me shumë shi. Numri i viktimave fëmijë është më i madh në maj, qershor dhe korrik, për shkak se gjatë kësaj periudhe ata janë duke luajtur dhe duke zhvilluar aktivitete të ndryshme në ambiente të hapura.

Cilat janë faktorët kryesorë që ndikojnë në aksidentet ndaj këmbësorëve?

Shpejtësia është një faktor kryesor që kontribuon në aksidentet e të gjitha llojeve. Me shpejtësi të lartë, shoferët kanë më pak mundësi  për të parë një këmbësor, dhe ka më pak mundësi reale që të jetë në gjendje për të ndaluar në kohë, në mënyrë që të shmangë goditjen ndaj këmbësorit. Mundësia që këmbësorët të vdesin si pasojë e shpejtësisë së lartë është shumë e madhe. Konsumi i alkoolit është një problem kryesisht shëndetësor dhe shoqëror në të gjithë BE-në. Një fenomen i tillë sjell shumë pasoja: një numër shumë i lartë i aksidenteve me pasojë vdekjen në rrugët tona. Për të zgjidhur këtë problem nevojiten politika efikase të kontrollit të konsumit të alkoolit, që kanë nevojë për mbështetjen dhe koordinimin e BE-së.